30 kamionë ndihma nga Kosova
Zv/Kryeministri, Ilir Meta falënderoi qeverinë e Kosovës për kontributin e dhënë, si dhe guximin dhe kurajën e forcave të Sigurisë së Kosovës në ndihmë të zonave të përmbytura. Gjithashtu, Meta falënderoj qeverinë e Kosovës për kontributin e dhënë prej 1 milion euro në ndihmë të banorëve të prekur nga kjo situatë në veri të vendit. “Solidariteti i treguar sot është mbarëkombëtar. Ky solidaritet tregon që kombi në vështirësi reagon si një i tërë”, tha ai. Falënderime për ndihmat dhe solidaritetin e treguar nga biznesi i Kosovës u dhanë edhe nga kreu i Dhomës së tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Nikolin Jaka. Në veçanti, Jaka shprehu falënderim edhe për ministrin e Integrimit, Besim Beqaj, i cili në përmbytjet e janarit vizitoi Shkodrën në cilësinë e kreut të Odës Ekonomike. Në takimin e zhvilluar dje, të pranishmit garantuan se do të sillnin drejt Shqipërisë 30 kamionë me ndihma ushqimore për bagëtitë e prekura nga përmbytjet, ndërsa u angazhuan për donacione me vlera monetare në ditët e ardhshme. Biznesi i Kosovës është përgjigjur i pari për të ndihmuar vendin tonë nga dëmet e krijuara në veri.
Nga ana e tij, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu falënderoi bizneset kosovare për ndihmat që kanë dhënë për banorët e prekur nga përmbytjet në Shqipëri dhe i ftoi ata të vazhdojnë të kontribuojnë.