E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat, nis shperndarja e shperblimeve

Buxhetorët marrin 1 mijë lekë më pak nga tatimi. Presin institucionet e pavarura

Prej pesë ditësh ka nisur shpërndarja e shpërblimeve për festat e fundvitit, të akorduar nga qeveria për administratën publike. Bëhet fjalë për shumën 10 mijë lekë, si masë kompensimi nga eliminimi i pagës së 13-të që jepej në fund të vitit si shpërblim. Në fakt buxhetorët kanë marrë 9 mijë lekë, pasi 1 mijë lekë u janë mbajtur që në fillim si detyrim nga tatimi prej 10 përqindësh. Të paktën të gjitha drejtoritë që varen nga ministritë i kanë marrë shpërblimet, dikush më herët dhe të tjerët në fillim të kësaj jave siç ishin punonjësit e administratës së arsimit. Në prije të shpërblimit kanë mbetur institucionet e pavarura, të cilat kanë paraqitur kërkesat në degët e thesarit dhe presin përgjigjen finale.

Në total fatura që duhet të paguajë qeveria për shpërblimet e ftesave të fundit llogaritet të shkojë në të paktën 800 milionë lekë, ose rreth 8 milionë dollarë, pa llogaritur efektet që rrjedhin nga shpërblimet e mundshme të pensionistëve, me 5 mijë lekë, fatura e të cilëve shkon në rreth 2.6 miliardë lekë.

Për administratën publike ofrohen të tjera shanse për të marrë shpërblim. Bëhet fjalë për atë kategori punonjësish që kanë dhënë rezultate pozitive në punë, të cilët mund të përfitojnë një pagë shtesë me pëlqimin e shefit dhe me firmën e ministrit.

Vendimi për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë për “Statusin e nëpunësit civil” përcakton në mënyrë të qartë formulën e shpërblimit, ku thuhet qartë se shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit, për çdo punonjës, jepet i diferencuar nga drejtuesi i njësisë së qeverisjes së përgjithshme, por jo më shumë se një pagë mujore në vit. Sipas vendimit, ky shpërblim në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat janë në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, jepet i diferencuar në bazë të rezultateve individuale në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin e shërbimit civil dhe në përputhje me fondin e shpërblimit në dispozicion.

Shpërblimi i titullarit të njësisë së qeverisjes së përgjithshme dhe fondeve speciale bëhet pas miratimit të eprorit të tij ose pas miratimit të organeve kolegjiale për ato njësi që funksionojnë me drejtim kolegjial. Ky shpërblim jepet vetëm në muajin dhjetor të vitit aktual. Në këtë rast, përjashtime bëhen në rastet e punonjësve që punojnë për shtimin e të ardhurave dhe konkretisht për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, masa e shpërblimit mund të jetë deri në dy paga mujore në vit. Shpërblimi mbi një pagë mujore në vit kushtëzohet vetëm për punonjësit që kontribuojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e të ardhurave tatimore, pas miratimit të një udhëzimi të veçantë për kriteret dhe rregullat e përfitimit të shpërblimit, i cili miratohet nga ministri i Financave.

Sa i takon pensionistëve, kjo kategori ka marrë në fund të çdo viti të paktën nga 5 mijë lekë, si “kartolinë” që Kryeministri e quante të vlefshme për blerjen e gjelit të detit. Zyrtarisht, Ministria e Financave nuk është shprehur ende se çfarë vendimi do të marrë, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga mbyllja e veprimeve në thesar.

Me ndihma të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe raste të tjera, të cilat përballohen nga fondi faktik i veçantë, përfshihen edhe pagesat për rastet e vdekjes së punonjësit ose të një anëtari të familjes, nga 10 000 - 30 000 lekë. Gjithashtu, ndihmohem edhe ata punonjës që sëmurën rëndë, me shuma që shkojnë nga 30 mijë deri në 50 mijë. Qeveria ka marrë disa vendime në 2010, duke dërguar për kurim shumë të sëmurë, fatura e të cilëve shkonte nga 1 milion lekë e sipër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›