Lufta e Turqisë kundër prostitucionit

Në kafenenë, përballë brigjeve të detit Marmara, Suzana rrëfen tregimin e saj. Përderisa flet, telefoni i saj mobil cingëron çdo 15 minuta. Klientët, shpjegon ajo.
Ajo u martua nga i ati i saj në moshën 16 vjeçare dhe ajo u largua nga bashkëshorti i saj alkoolist dhe bixhozxhi, pasi që ja kishte lindur shtatë fëmijë. Për të mbështetur fëmijët, ajo bëri të gjitha punët e mundshme: ka shitur rroba të lira në një treg, ka punuar në fabrikë, si kameriere. Por të ardhurat e saj nuk mbulonin shpenzimet për fëmijët. Një takim i rastësishëm me një punëtor seksi e bindi atë që të filloi një karrierë tjetër.
Përkundër faktit se kërkonte nga vetëm 15 deri në 30 dollarë nga klientët, ajo zbuloi se mund të bëjë një jetë mjaft të mirë, aq më parë pasi që krijoi një bazë të klientëve, të cilët e pëlqenin dhe i besonin. Por për dallim nga punët e saj të tjera, ky profesion e përballi me ligjin. Ajo është gjobitur shumë herë nga policia dhe është paraqitur më shumë se 50 herë në gjykatë. Para katër viteve, ajo kaloi gjashtë muaj në burg, nën dyshimin e tregtisë me drogë dhe të punës me vajza të mitura. Policia nuk gjeti dëshmi dhe ajo u lirua.
Deri në momentin e burgosjes, Suzana nuk ju kishte treguar fëmijëve se çfarë punonte, por qëndrimi gjashtëmujor në burg e detyroi atë t’iu tregonte se çfarë bënte dhe pse.
Stambolli nuk është Bangkok. Për pjesën më të madhe, tregtia e seksit në këtë qytet është e padukshme. Por tregtia me seks, si e ligjshme, ashtu edhe ajo e paligjshme, ka një histori të gjatë në Turqi, që shkon prapa deri në kohën e Perandorisë Osmane. Sidoqoftë, në shekullin e 21-të, ajo në heshtje po çrrënjoset nga qeveria islamike, e cila dëshiron të krijojë një imazh për Turqinë, në të cilën mbetet shumë pak hapësirë për profesionin e Suzanës dhe kolegeve të saj.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Turqia aktualisht ka 3 mijë punëtorë seksi me leje, të cilët punojnë në 56 shtëpi publike të mbikëqyrura nga shteti. Numri i punëtorëve të seksit pa leje arrin në 100 mijë, me ç’rast mbi gjysma prej tyre janë të huaja.
Pas lirimit të Suzanës nga burgu, ajo aplikoi për të hapur një shtëpi të sajen publike, me leje të qeverisë.
“Isha e gatshme të paguaja tatimet. Kam familje, e di se çfarë do të thotë të kesh familje. Nuk dëshiroj ta bëjë këtë në ndonjë banesë, përreth të cilës ka familje, apo në automjet, siç e bëj tani”, thotë ajo.
Por kërkesa e saj u refuzua. Arsyetimi për refuzim ishte “mungesa e hapësirës”. Gjatë dekadës së fundit, që nga koha e ngritjes së AKP-së në pushtet, është ngadalësuar lëshimi i lejeve për shtëpi publike dhe gjatë tri viteve të fundit është ndalur pothuajse në tërësi.
Rregullimi i çështjes së tregtisë me seks në Turqi gjithmonë ka qenë një çështje e turbullt. Në një raport të qeverisë nga viti 1909 u nënvizua se një shtëpi publike, agër një kazerme të policisë në Stamboll, ka rezultuar me korruptimin e policisë. Në vitet e 80-ta, një armene, e quajtur Mathilde Manukyan, kishte operuar me dhjetëra shtëpi publike në Stamboll. Para vdekjes së saj, në vitin 2002, flitej se ajo ka qenë një prej tatimpaguesve më të mëdhenj në Turqi dhe është nderuar madje edhe me shpërblime nga qeveria sekulare, për kontributin që i kishte dhënë arkës shtetërore. Por gjithashtu flitej se ajo ka punësuar edhe vajza të mitura, prania e të cilave është injoruar nga policët, të cilët janë paguar nga ajo.
Por qeveria e tanishme turke ka vendosur që të ndërmerr masa. “Qeveria është e vullnetshme që të ashpërsojë luftën kundër prostitucionit, me qëllim që shtëpitë publike të mbyllen. Para se punëtoret e seksit të kalojnë në prostitucion, ne dëshirojmë t’i reformojmë, ti korrigjojmë dhe ti rehabilitojmë”, thotë një zëdhënës i ministrisë së Shëndetësisë.
Shtëpitë publike sot jo vetëm që po fyejnë ndjenjat gjithnjë e më konservatore sociale në Turqi, por ato po e pengojnë edhe modernizimin. Sipas Ali Olmezit, anëtar i devotshëm i AKP-së dhe nënkryetarit të asamblesë së Komunës së Ankarasë, shtëpitë publike janë në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.
“Kemi një projekt të madh për restaurimin e qytetit dhe shtëpitë publike thjeshtë po e pengojnë realizimin e tij, prandaj duhet të veprojmë.