30 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Grave “CEDAW”
DPSHB vë në përdorim të të gjithë të interesuarve manualin interpretues të “CEDAW”, një instrument efikas për t’u mbrojtur nga diskriminimi gjinor, për këdo në të gjitha shkallët e gjyqësorit apo organizmat ndërkombëtarë.
Historiku
18 Dhjetori shënoi datën historike të sanksionimit të të drejtave të grave në rang kombëtar, pikën kulmore të promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të grave në mbarë botën.
I ngritur pak pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1947, Komisioni i Statusit të Gruas pranë OKB-së, kurorëzon përpjekjet e më shumë se tre dekadave, duke arritur që Asambleja e Kombeve të Bashkuara të miratojë më 18 dhjetor 1979 “Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas” ose e njohur ndryshe “CEDAW”. U deshën të kalonin 22 vjet të tjera derisa në dhjetor të vitit 1999 miratohet protokolli shtesë, i cili përcakton anën procedurale të zbatimit, përdorimit dhe monitorimit të konventës.
Shteti shqiptar e ka bërë pjesë të legjislacionit të brendshëm këtë konventë në vitin 1993, ndërsa protokollin shtesë të saj në vitin 2003.
Konventa “CEDAW” paraqet një rëndësi shumë të madhe, sepse e vendos njërën gjysmë të njerëzimit në qendër të shqetësimeve në lidhje me të drejtat e njeriut. Ajo nuk është vetëm një ligj ndërkombëtar i të drejtave të grave; ajo është gjithashtu një program për veprim për vendet e ndryshme, për të garantuar gëzimin e këtyre të drejtave.
“CEDAW” bashkon në një traktat me gamë të gjerë për të drejtat e njeriut, dispozitat e instrumenteve të tjera ekzistuese të OKB-së në lidhje me diskriminimin e mbështetur në dallimet biologjike midis sekseve të ndryshme. Për më tej, ai përfundon me krijimin e një instrumenti të vërtetë për eliminimin e diskriminimit të grave. Përveç kësaj, ajo krijon një mekanizëm për monitorim dhe zbatim. Ndër traktatet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, një traktat i tillë si “CEDAW” përfaqëson pranimin nga komuniteti ndërkombëtar të disa standardeve dhe normave të caktuara.
“CEDAW” jep legjitimitetin e duhur ose një bazë ligjore të të drejtave të njeriut me fokus të drejtat e grave, promovon pretendimet e grave dhe barazisë në të gjitha fushat e jetës. Ai i detyron shtetet për të prezantuar ndryshimet e duhura ligjore dhe politike që i japin fund diskriminimit kundër grave. Barazia e të drejtave duhet të jenë si “de jure” ashtu dhe “de facto”. Konventa krijon një mekanizëm monitorimi dhe një mekanizëm ankimimi për të siguruar zbatimin.
Rekomandimi i Përgjithshëm 19 i formuluar nga Komiteti “CEDAW” në 1992 merret gjerësisht me çështjen e dhunës ndaj grave. Çdo nen i konventës është analizuar në aspektin e dhunës dhe në përgjithësi thelbi i rekomandimit është se “diskriminim” për qëllimet e konventës përfshin gjithashtu edhe dhunën kundër grave. Në veçanti, rekomandimi identifikon dhunën në jetën publike dhe atë private, përfshirë dhunë në familje.
“Dhunë e drejtuar ndaj një gruaje për shkak se është grua ose që i prek gratë në mënyrë disproporcionale. Ajo përfshin akte që shkaktojnë dëm fizik, mendor, ose seksual, ose vuajtje, kërcënime, kërcënime për akte të tilla, shtrëngim dhe forma të tjera të heqjes së lirisë”.
Komiteti pohon se dhuna kundër një gruaje përbën shkelje të të drejtave të njeriut pavarësisht nëse autori është një zyrtar publik apo një person privat. Tek të njëjtët rekomandime të përgjithshme. Komiteti u bëri thirrje shteteve palë të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dhunën me bazë gjinore. Masa të tilla përfshijnë jo vetëm sanksione ligjore, mjete dhe rrugë civile për kompensim, por edhe masa parandaluese si informim publik dhe programe edukative, si edhe masa mbrojtëse, duke përfshirë shërbime mbështetëse për viktimat e dhunës.
Protokolli shtesë i “CEDAW” krijon një mekanizëm të ri për zbatimin e konventës.
Ai i lejon gratë qoftë në mënyrë individuale apo grupet e grave për të paraqitur pretendimet për shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të tyre pranë Komitetit të “CEDAW”. OJF-të dhe grupet e tjera mund të paraqesin individë (sigurisht me pëlqimin e vetë individëve), edhe pse në disa raste komisioni mund të vendosë që një procedure e tillë pëlqimi nuk është e nevojshme.
Përpara se të paraqiten pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut, duhet të plotësohen një numër kriteresh, duke përfshirë edhe ndjekjen e çështjeve duke përdorur sistemin e brendshëm juridik (p.sh. duke përdorur të gjitha procedurat e vlefshme në nivel kombëtar për të kërkuar mbrojtje ose drejtësi, siç mund të jetë p.sh. rastet e paraqitura në gjykatë apo ankesat e bëra në polici).
Protokolli shtesë gjithashtu i jep komitetit kompetenca për të hetuar situata të rënda ose sistematike të shkeljeve të të drejtave të grave.
Që në vitin 2003 gratë shqiptare ose individë që e ndiejnë se u janë dhunuar të drejtat e tyre të parashikuara në konventë nga qeveria apo edhe sistemi gjyqësor, kanë mundësi reale t’i drejtojnë ankesat e tyre komitetit.
Shqipëria në janar 2003 ka prezantuar pranë Komitetit të Konventës në New York Raportin Fillestar të Konventës të konsideruar Raport i Kombinuar Fillestar dhe i Dytë. Në 2008 ka përfunduar Raportin e Tretë Qeveritar të Konventës i cili pasi mori miratimin nga Këshilli i Ministrave në korrik 2008, është dërguar për shqyrtim sipas procedurës dhe afateve të kërkuara pranë Komitetit të Konventës në Gjenevë.
Shqipëria dhe “CEDAW”
30 vjet pas miratimit dhe 16 vjet pas ratifikimit nga Parlamenti shqiptar, progresi shqiptar në zbatimin e Konventës së “CEDAW” është i dukshëm.
Shqipëria vjen në këtë 30-vjetor me një kuadër ligjor kuadër dhe specifik të plotësuar në kuptim të garantimit ”de jure” të të drejtave të grave. Vitet e fundit janë duke u implementuar në mënyrë të suksesshme Strategjia Kombëtare e Barazisë Gjinore dhe kundër Dhunës në Familje, ligji ”Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, ligji “Për barazinë gjinore në shoqëri”, plotësimi i kuadrit nënligjor për barazinë gjinore dhe kuadrit nënligjor kundër dhunës në familje, ngritjes dhe fuqizimit të strukturave të reja, ndërgjegjësimit të opinionit publik me këto çështje, forcimit të bashkëpunimit shtet - shoqëri civile - organizata ndërkombëtare si më poshtë:
Qeveria Shqiptare i ka konsideruar të drejtat e grave si pjesë integrale e të drejtave të njeriut.
Gjatë 4 viteve të fundit në promovimin e përkatësisë gjinore dhe luftës kundër dhunës në familje janë përfshirë shumë aktorë: personalitetet më të larta të shtetit si Presidenti, Kryeministri dhe kryetarja e Parlamentit, institucionet qeveritare në nivel qendror e vendor.
Integrimi i çështjeve gjinore (gender maistreaming) së pari duket në vullnetin politik të qeverisë shqiptare për përfshirjen e çështjeve të përkatësisë gjinore në politikat publike, legjislacion dhe ngritjen e strukturave të reja. Qeveria ka vënë si prioritet të saj marrjen në konsideratë të komponentit gjinor në të gjitha politikat ndërinstitucionale që do të hartohen duke përfshirë edhe buxhetimin gjinor në planet konkrete të veprimit.
Në parametrat “de facto” treguesit e standardeve të barabarta gjinore janë njëkohësisht në rritje. Në shkolla regjistrohen më shumë vajza se djem, duke përbërë 58% të të gjithë studentëve që ndjekin arsimin e lartë. Në universitete stafi akademik përbëhet nga 43,6% femra përkundrejt 56.4% meshkuj. Ndërkaq gra me grada shkencore janë 38%.
Në administratën publike prania e grave është më inkurajuese duke pasur parasysh faktin që ato përbëjnë 43% të numrit të përgjithshëm të punonjësve, ndërkohë që paraqitet më i ulët ky numër në nivel drejtimi.
Gratë janë të përfaqësuara me 16,6% në Parlament nga 7,1% që ishte përfaqësimi në legjislaturën e kaluar.
Në ambasadat dhe në misionet diplomatike të Shqipërisë gratë përbëjnë 31% të përfaqësimit, nga të cilat ambasadore 14%.
Megjithatë, vazhdon të mbetet i ulët përfaqësimi i grave dhe vajzave në postet drejtuese të partive politike.
Rritet çdo vit fondi shtetëror për aplikimin e projekteve të programeve të punësimit dhe në veçanti i atyre të formimit nëpërmjet punësimit, që është një nga format e zbutjes së tregut informal të punës, që në të shumtën e rasteve kanë në fokus të tyre gratë.
Gratë janë gjerësisht të përfaqësuara në OJF-të, të cilat u ofrojnë shërbime të ndryshme, kryesisht kategorive më vulnerabël të shoqërisë, paralelisht me fushatat e avokatisë dhe lobimit.
Në 30-vjetorin e “CEDAW”, DPSHB vë në përdorim të grave shqiptare manualin interpretues të “CEDAW”. Ky është një manual shumë praktik i botuar me mbështetjen e UNIFEM, që do të shpërndahet në të gjithë territorin shqiptar, duke pasur në fokus target-grupin e grave.
Manuali jep një zbërthim të plotë dhe analitik të neneve të “CEDAW” dhe të protokollit shtesë të konventës, interpretimin e këtyre neneve, mekanizmat e zbatimit dhe monitorimit të “CEDAW”, rrugët e ankimimit dhe të përdorimit të “CEDAW” në rast të evidentimit të diskriminimit gjinor etj.
Me anë të këtij manuali ashtu si edhe me aktivitete të tjera sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese synohet ndërgjegjësimi i grave shqiptare për ta përdorur “CEDAW” në të gjitha proceset e mbrojtjes së tyre nga diskriminimi, pasi që nga vitit 1993 kjo konventë është pjesë e legjislacionit shqiptar.