Bankat thithin paratë e emigrantëve, duke rritur interesat e depozitave
Ndonëse në një vit krize ekonomike, ku qarkullimi i parasë nuk ka pasur ritmin e një viti normal, bankat e nivelit të dytë vazhdojnë të shtojnë shërbime në favor të emigrantëve, për të thithur paranë e tyre në sportele. Burime nga Shoqata e Bankave bënë me dije se disa banka të nivelit të dytë muajt e fundit kanë preferuar të bëjnë një lëvizje në drejtim të kahut rritës të interesit për depozitat, sidomos ato në lekë. Por vihet re edhe një rritje e lehtë në depozitat në euro. Por një formë e aplikuar edhe në vitin e kaluar janë dhe bonuset që bankat japin në fundvit. Disa syresh mund të japin një bonus deri 10-15 për qind, për të gjithë ata që hapin depozita gjatë muajit dhjetor.
Kryesisht ndryshimin në kahun pozitiv të interesit të depozitave e kanë bërë bankat e nivelit të dytë, që bankat mëmë i kanë në ato vende të Bashkimit Evropian, ku është përqendruar dhe numri më i madh i shqiptarëve që jetojnë e punojnë. Ndërsa të tjera banka nuk kanë preferuar të bëjnë oferta fundviti për sa u përket ndryshimeve në produktet që ofrojnë, duke pretenduar se interesat që ata kanë në treg janë të konkurrueshme për gjithë vitin. Drejtuesit e bankave të nivelet të dytë, të vetëdijshëm për faktin se niveli i dërgesave nuk është si një vit më parë, kanë tentuar që me këtë rritje të interesit të depozitave të mund të thithin sado pak paratë që vijnë në fundvit nga ardhja e emigrantëve, që kalojnë festat në vendin e tyre. Një prej drejtuesve të një banke tregon për “standard” se këtë vit vihet re një tendencë e dërgesave të parave nga emigrantët nëpërmjet transfertave nga vendet ku jetojnë. “Ata emigrantë që kanë për të bërë ndonjë investim në Shqipëri preferojnë për t’i sjellë paratë në Shqipëri, nëpërmjet transfertave bankare, duke eliminuar kështu riskun e qarkullimit cash të parasë”, - thotë një ekspertët bankarë. Sipas tij, kostoja për këtë dërgesë është shumë e ulët, pasi komisionet pothuajse janë ulur në të gjitha bankat. Por pavarësisht gjithë këtyre lehtësirave që kanë krijuar bankat, niveli i dërgesave të emigrantëve vazhdon të mbetet i ulët. Sipas të dhënave, dërgesat e emigrantëve janë ulur me rreth 200 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Por pavarësisht efekteve krizë, bilanci i transfertave korente gjatë periudhës janar–shtator mbetet pozitiv dhe peshën kryesore (rreth 78%) të të ardhurave në këtë kategori vazhdojnë ta zënë prurjet e emigrantëve shqiptarë me banim jashtë. Por ato në vetvete kanë pësuar ulje krahasuar me vitin e kaluar. Ende nuk mund të ketë një numër të saktë të emigrantëve shqiptarë, pasi një pjesë e mirë e tyre janë pa dokumente në vendet ku jetojnë e punojnë. Por sipas studiuesve të ndryshëm, vlerësohet se nga Shqipëria, me një popullatë prej rreth 3.2 milionë banorësh, gati 1 milion kanë emigruar, kryesisht në Greqi dhe Itali. Sipas BSH-së, për periudhën 2000-2008, në nivel makroekonomik, këto flukse zënë mesatarisht 13-14 për qind të PBB-së, duke luajtur rol të rëndësishëm në mbështetje të bilancit të pagesave. Remitancat janë gjithnjë e më të rëndësishme krahasuar me flukset e tjera valutore, të lidhura me aktivitetet ekonomike, duke qëndruar në 65 për qind të të ardhurave nga aktiviteti tregtar dhe duke u përllogaritur mesatarisht 133 për qind më të larta se të ardhurat nga turizmi. Remitancat familjare përbëjnë gati 86 për qind të transfertave korente, duke eklipsuar burime të tjera mbështetëse për ekonominë. Flukset e remitancave kanë qenë deri në fillim të vitit 2008, zakonisht më të larta se investimet e huaja direkte, madje gati 4 herë më të mëdha.