Vaksina e A/H1N1 shpërndahet sot në 12 qarqe
Dhjetë mijë dozat e para të vaksinës kundër A/H1N1 ndahen sot në qendrat shëndetësore në të 12 qarqet e vendit, ku pjesa më e madhe e tyre janë planifikuar për në Tiranë. Në të njëjtën kohë, Komiteti i Vaksinimit sot zhvillon një mbledhje në të cilën do të përcaktojë detajet e mëtejshme për mënyrën e vaksinimit, ndërsa drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, ka bërë thirrje dje që personat të cilët kanë alergji nga veza, të mos aplikojnë këtë vaksinë.
ISHP
Zyrtarisht, gjatë ditës së sotme, pritet të bëhen injektimet e vaksinës kundër gripit të derrit në pacientët e parë. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, deklaron se do të tregohet kujdes me personat që janë përcaktuar për ta kryer këtë vaksinë, pasi efektet anësore të momentit janë të pashmangshme.
Megjithatë, është në dëshirën e secilit nëse do ta injektojë këtë vaksinë. “Vaksina nuk është e detyrueshme, ftohen prindërit e fëmijëve me sëmundje kronike shoqëruese që vullnetarisht të paraqiten për vaksinimin e fëmijëve të tyre në qendrat shëndetësore”, - tha Ylli. Mësohet se vaksina është 0.5-miligramëshe dhe organizmi i pacientit që e injekton atë, fiton imunitet brenda 8 ditëve. Sipas Yllit, të gjitha qendrat shëndetësore, ku do të aplikohet kjo vaksinë, do të jenë të pajisura edhe me antidote të ndryshme për alergjitë që ajo mund të shkaktojë.
Vaksina
Sasia e parë, prej 10 000 ampulash 0.5 ml të shoqëruara me shiringat përkatëse. Vaksina Fluval P, e prodhuesit hungarez Omninvest, bën pjesë në listën prej tetë vaksinash të licencuara nga të paktën një agjenci rregullatorë e Bashkimit Evropian.
Fluval P përmban virusin e inaktivuar dhe adjuvantin me bazë fosfat alumini. Ajo është e prodhuar nga derivate të vezës dhe për këtë arsye nuk jepet tek personat me alergji ndaj vezës. Gjithashtu, vaksina nuk aplikohet për fëmijët nën 1 vjeç. Për personat mbi 12 vjeç aplikohet dozë e plotë prej 0.5 ml, ndërsa për fëmijët nga 12 muajsh deri 12 vjeç, gjysma e dozës. Nuk ka raporte për efekte anësore të rënda prej kësaj vaksine. Pas kësaj sasie të parë pritet brenda 10 ditësh një sasi e dytë prej rreth 15 000 ampulash dhe më tej sasi të tjera, duke parë situatën në dinamikë. Gjithashtu, në dinamikë do të ftohen grupet e popullatës me risk më të lartë.
Sasia e parë do t’u ofrohet fëmijëve mbi 1 vjeç me një sëmundje kronike shoqëruese dhe disa grupeve personelit shëndetësor me ekspozim më të madh ndaj pacientëve të sëmurë me A/H1N1, siç janë infeksionistët, reanimatorët apo pediatrët. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në fillim të javës vaksina u shpërnda nga ISHP-ja në drejtoritë e shëndetit publik dhe më tej në qendrat shëndetësore, ku edhe do të ofrohet falas për grupet e përcaktuara.