300 mijë shqiptarë do të kenë të drejtë të marrin nënshtetësinë greke
Rreth 300 mijë do të jenë emigrantët shqiptarë ose fëmijët e tyre që do të kenë të drejtë të aplikojnë për të marrë nënshtetësinë greke. Për herë të parë, Kryeministri i Greqisë, z. Jorgo Papandreu, dha dje një shifër të përafërt të atyre emigrantëve që mund të plotësojnë kriteret e vendosura në ligjin e ri të marrjes së nënshtetësisë, ndonëse ky i fundit u bë më i vështirë pas kalimit në Kuvend.
Papandreu
Duke folur përpara deputetëve grekë, Papandreu deklaroi se janë përafërsisht 500 mijë emigrantë të ligjshëm në Greqi, që plotësojnë kriteret bazë të marrjes së nënshtetësisë, siç është koha e qëndrimit apo vendlindja në Greqi. Gjatë seancës plenare, ku Kryeministri ishte thirrur në interpelancë nga deputetët e forcës ekstremiste të djathtë LAOS, ai deklaroi se këta persona kanë të drejtë të marrin nënshtetësinë greke, pasi vuajnë të njëjtat pasoja dhe kanë të njëjtat shpresa si pjesa tjetër e shtetasve grekë.
Duke marrë parasysh që emigrantët shqiptarë në Greqi përbëjnë përafërsisht 60 për qind të numrit total të emigrantëve dhe faktin se ata janë ndër rrymat e para emigratore në vendin fqinj, atëherë del nga statistikat e paraqitura nga Kryeministri grek se përafërsisht 300 mijë shqiptarë do të kenë të drejtë të aplikojnë për nënshtetësinë, duke paguar 1000 euro dhe duke pritur tre vjet deri në marrjen e përgjigjes.
Kryeministri grek nënvizoi se ligji do të zgjidhë një problem që ka precipituar për 28 vjet pa asnjë nismë ligjore që do ta zgjidhte atë në mënyrë efektive.
“Këta njerëz ekzistojnë, jetojnë, vuajnë dhe gëzohen mes nesh. Ata kanë fytyra, shpresa, ëndrra dhe frika. Kriza ekonomike i prek ata në të njëjtën mënyrë siç na prek ne dhe ata shqetësohen ashtu si ne”, - deklaroi Papandreu, në përpjekje për të bindur të gjitha palët në Kuvend.
Polemikat politike
Çështja e emigracionit në Greqi është kthyer në një patate të nxehtë në duart e politikës. Qëndrimin e PASOK-ut, që është në qeverisje, e kanë kundërshtuar të katërta partitë politike që janë në Parlamentin grek, secila për motive të ndryshme. Ato janë shprehur se nuk do të votojnë pro këtij ligji, nëse nuk merren parasysh ndryshimet që ato kërkojnë. Por, mendimet janë tërësisht të kundërta mes spektrave politikë.
Partitë e majta greke, Synaspismos dhe Partia Komuniste e Greqisë, kanë kërkuar dhënie të nënshtetësisë për të gjithë emigrantët me më pak kushte sesa janë vendosur në ligjin aktual. Synaspismos ka kërkuar dhënien e nënshtetësisë të gjithë emigrantëve që kanë 4 vjet në Greqi, ndërsa Partia Komuniste Greke ka kërkuar ndarjen e tyre në tri kategori:, azilkërkuesit, personat që duan të migrojnë në vende të tjera të BE-së dhe ata që duan të integrohen në shoqërinë greke, për të dhënë dokumentet përkatëse tek secili.
Nga ana e djathtë e spektrit politik, partia konservatore greke Demokracia e Re dhe ajo e ekstremit të djathtë LAOS janë shprehur kategorikisht kundër këtij ligji. Demokracia e Re kërkon rritjen e kushteve për marrjen e nënshtetësisë nga vetëm ata që janë të integruar tërësisht në kombin grek, ndërsa LAOS nuk pranon asnjë dhënie nënshtetësie për shtetasit e huaj me kombësi të huaj.
Megjithatë, PASOK ka shumicën e vendeve në Parlamentin grek dhe me sa duket, ligji do të kalojë, pasi Papandreu ka deklaruar se kjo është një sfidë e tij personale dhe e qeverisë që drejton në mandatin e tij të parë si Kryeministër.