E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sahat lëpirës

Pse e zbardhët kullën e Sahatit ?!
Dhe e latë në mes të kryeqytetit si bibilush keci ?!
S'ka më keq për një vend se kur i lëpihen kullat !
Ç'punë ju prishi gjëja e vjetër ? Pse i ratë më qafë kryelartit ? Pse ia holluat gjakun të moçmit ?! Pse ia prishët rehatin dëshmitarit ? Pse e bëtë lanet besnikun ?! Pse e mohuat qëndrestarin ? Ishte i mbushur; e zbrazët. Ishte i këndshëm; e katandisët të gërditshëm. Ishte i nxehtë; e ftohët. Ishte i bukur; e shëmtuat. Pak nga pak po bëhej prej mishi, me të kishim nisur të llafoseshim, t'i qanim hallet, ta pyesnim, t'i kërkonim këshilla; ju vajtët e gurosët !
Pse kaq zell për të ndrequr sahate dhe zbardhur kulla ? Pse kruheni me kohën që rrjedh vetë, me moshën që duam ta dimë, me Historinë, që, ashtu si e kemi, me të duam të krenohemi ? ǒtë bëjë tani shqiptari përpara kësaj shplajnaje ? Ku t'i hedhë sytë ? Mbi larot dhe kurvat e mozaikut ? Mbi sheshin e proletariatit ? Mbi ministritë e Duçes ? Mbi kulturën e Hrushovit ? Apo mbi ish-shtatoren e qoftëlargut ?
Ç'patët që ia zbardhët fytyrën e murrët të vetmit burrë që s'u ep, që pa, dëgjoi, lexoi, provoi, u deh, u tmerrua e u drithërua nga të gjitha ?!
Sahati i qytetit nuk na duhet për të parë orën. Na duhet për të kujtuar të shkuarën. Pa kullën e vjetër, si do biem tash e tutje në mendime, si do mund të derdhim një pikë lot ?
Në të vërtetë, këtë zbardhje të kullës e patët nisur prej kohësh. Por nuk kuptohej ç'ishte. E mbuluat fillimisht me një gjë të mistershme të zezë. E katandisët si grua të mbuluar atë burrë të lartë i cili në shekuj s'ka bërë gjë tjetër veçse shqiptarëve u ka copëtuar kohën ?! Ustallarët shqiptarë të para dy shekujve nuk e bënë tonin si e pjerrëta e Pizës. Ata e bënë atë të drejtë dhe të fortë. Babaxhanit tonë të pafajshëm prej dyqind vjetësh nuk i është shkulur asnjë gur, nuk ka lëvizur asnjë milimetër. Ai është ndërtuar me paret e zanatçinjve tiranas, që ustallarët dhe çirakët të orientoheshin për vaktet. Kur të ngiheshin nga gjumi, kur të venin të flinin, kur ta hapnin e mbyllnin dyqonin, kur të faleshin, kur niste Ramazani, syfyri etj. Pse duheshin zbardhur të tëra këto ? Ju meraklinjtë e nxirjeve përmes zbardhjeve, pse u ngutët ? Para se ta zbardhnit kullën, pse s'hodhët njëherë sytë rrotull, pse s'pyetët, për të zbardhur ndonjë gjë tjetër ? Jo Xhaminë ! Se e keni edhe të provuar që Asaj i hani utin. Për shembull, mozaikun mbi muze. E ç'ia mbys kot edhe unë! Ju, flaka t'i bjerë, të gjitha u rrafshofshin e u dërrmofshin, u harrofshin e u zbardhshin, u shpëlafshin e u ndotshin, ju për mozaikun të vrisni dhe një fjalë se e thoni, pa le ta hiqni.
E meqë mozaikun kriminal gjallë nuk e prekni, se mozaiku, tej dënglave tuaja propagandistike dhe nostalgjike, para së gjithash është elektorat dhe ju duhet, pse nuk zbardhni ndonjë gjë tjetër. Për shembull, ata budallenjtë me gjithë lecka që na i sjell bota, pasi kanë mbaruar universitetet e saj. Ata të rinjtë që vinë e sillen këtu si alienë. Sikur zbavitja është e gjitha në jetë dhe puna e gjitha nëpër filma, duke na kujtuar në këtë mënyrë të kaluarën kur ishte e kundërta; gërdia e gjitha në jetë, qejfi i gjithi nëpër filma. Zbardhini pra ata të pështirët që ngjajnë aq shumë me njëri-tjetrin. Të gjithë të njëjtë, si vidha, si bullona, si tulla. Të gjithë ultra liberalë, të gjithë flokët me xhel, të gjithë me një laptop me rrip hedhur në sup, të gjithë që venë në pub, të gjithë që duan të punojnë nëpër OJF-ra, të gjithë që duan rroga të larta, të gjithë që shëtisin në internet, të gjithë që dërgojnë pafund e-mail-e, të gjithë me pseudonime nëpër blogje.
Eh ç'ia fus kot edhe unë ore! E ku i prekni ju ata. E ku guxoni ju të bëni të vjetër aleatët tuaj të rinj që parashikoni t'i përdorni nëpër zbardhje të ardhshme. Të ri ju doni pikërisht atë që mezi u bë i vjetër. Atë që sa më e vjetër, më e bukur, kullën. Atë që na duhet me myshk nëpër brazda ku takohen gurët dhe me ndryshk nëpër lloza, mundësisht si ka qenë kaherët, vetëm me kumbanare, pa shifra dhe akrepa.
Të vetmen zbardhje që nuk është zbardhje, por nxirje, të vetmin nder që nuk është nder, çnderim, të vetmin respekt që nuk është respekt, por përdhosje - atë bëtë !
Vajtët ndreqët orën që s'i duhet kurrkujt. I zbardhët moshën që i duhet gjithkujt.
Koha është e bukur, sepse është e mugët. Por ju kohën e doni si kullën, pa nuanca, të bardhë, pa gjurmë erërash që e rrahën, shirash që e lagën, rrebeshesh që e shkundën.
Po ku, në të vërtetë, e keni atëherë hallin ju estetikët gjenialë të nxirjeve përmes zbardhjeve ?
Jua them unë ku e keni hallin.
Nuk e keni hallin as me Sahatin, as me kullën, as me Duçen, as me Hrushovin, as me sheshin, as me proletariatin. Ju hallin, para së gjithash, e keni të gjithin me kohën, të cilën nuk e bëni dot kurrë tuajën, prandaj gjithmonë rrihni ose ta vidhni ose ta zbardhni. Dhe e gjitha ka lidhje me të drejtën, e cila nuk është kurrë me ju të mozaikut, por gjithmonë me ne të myshkut.
Dhe ky është problemi ! Ju zbardhni kulla, vidhni kohëra, lëpini sahate. Ne s'merremi me të tilla. As me sahate as me kohëra, por vetëm me momente të larta dhe myshqe të vjetra dhe nuk lëpijmë asgjë. Prandaj myshku hiqet dhe mozaiku s'shkulet dhe prandaj luftën e kemi të fituar ne të myshkut, që na përket e drejta e përjetshme dhe koha e pafundme, dhe jo ju burracakët e mozaikut që mbaheni me përkohshmërira të vjedhura.
Po ia fus kot ?
Për ju që zbardhni kulla, sigurisht që kot po ia fus. Përderisa ju nuk orientoheni dot. Mes një jete të zakonshme dhe një jete heroike, mes një idealisti dhe një plehu, mes një varri normal dhe një grope pushkatimi, mes një komunisti kriminel dhe një diversanti liberator, mes "Varrezave të Dëshmorëve" që i kini ngritur ju, dhe "Memorialit të Diversantit" para të cilit varrezat tuaja do të duken si miza, që pas pak do ta ngremë ne.
Zbardhni veten, jo kullën !
Sa mirë do ishte, por s'mundeni.
Sepse jeni tepër të zinj. A e dini sa të zinj jeni ? Saktësisht, aq sa të bardhë e bëtë kullën ! Dhe sa më tepër kulla të zbardhni, aq më tepër do nxiheni. Prandaj ju nuk do zbardheni dot kurrë. Ju vetëm do nxiheni e do nxiheni pafund derisa ju dhe krejt raca juaj të zhdukeni.

edisonypi@gmail.com

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›