Instituti për periudhën e komunizmit, ligji në Kuvend
Në axhendën e komisioneve parlamentare është vendosur diskutimi i dy projektligjeve të veçanta për kujtimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Kështu, brenda pak ditësh do të nisë diskutimi i projektligjit për krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Sistemit Komunist në Shqipëri, por edhe projektligji për simbolet e përkujtimit të viktimave, ku parashikohet ngritja e muzeut të krimeve dhe dhunës komuniste, por dhe ndërtimin e një obelisku për nder të viktimave të diktaturës. Kështu, në bazë të këtij ligji, do të ngrihet një institut, i cili do të bëjë një punë kërkimore për dokumentimin e të gjitha krimeve të sistemit komunist. Ky institut do të identifikojë aktet ligjore dhe jonënligjore sekrete dhe josekrete të përgatitura apo të miratuara nga të gjitha institucionet, organet dhe autoritetet shtetërore dhe kushtetuese, të cilat kanë shërbyer si bazë e organizimit dhe funksionimit të të gjithë aparatit në tërësi të sistemit komunist. Analizon shkaqet dhe rrugët e vendosjes të regjimit komunist, dokumente që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë, por edhe të huaj që mbështetën ardhjen e këtij regjimi, si dhe të atyre që bënë rezistencë kundër tij. Grumbullon të dhëna, dokumente dhe dëshmi që i shërbejnë ndriçimit të veprimtarisë së organeve dhe strukturave të sigurisë së shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të gjitha veprimtarive që kanë çuar në dhunimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist. Evidenton personat që kanë qenë pjesë e organeve të autoriteteve vendimmarrëse përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar direkt ose indirekt në veprime represive në jetën sociale dhe kulturore.