E Shtunë, 31 Tetor 2026

32 kompani private përjashtohen nga tenderat

Nga Genc Kondi
Në datën 1 dhjetor, pra tre ditë më parë, Agjencia e Prokurimit Publik ka penalizuar të paktën 32 biznese me qendër në Tiranë e rrethe, pikërisht për abuzime në tendera, pabaraz e favore 

TIRANE-Bizneset shqiptare vazhdojnë të përfitojnë nga paratë e shtetit. Në datën 1 dhjetor, pra tre ditë më parë, Agjencia e Prokurimit Publik ka penalizuar të paktën 32 biznese me qendër në Tiranë e rrethe, pikërisht për abuzime në tendera, pabarazi, favore, ankesa nga firma të tjera etj.
Kështu, Agjencia e Prokurimit Publik ka vendosur që këto firma, në afatin kohor nga një deri në tre vjet, sipas shkallës së përgjegjësisë së gjithsesilës prej tyre, të mos marrin pjesë në procedurat e tenderave publikë që shpallen nga shteti me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Nuk është hera e parë që kjo agjenci ndërmerr një hap të tillë. Edhe një vit më parë ka qenë e njëjta procedurë. Madje nga viti i kaluar, një pjesë e firmave të cilat ishin në proces shqyrtimi dokumentacioni për përjashtim nga tenderat e shtetit, gjatë këtij viti, u është dhënë verdikti përfundimtar.
Ndërkohë, janë edhe tetë kompani të tjera që presin verdiktin e APP për t'u marrë në shqyrtim për abuzimet e kryera, pasi ndaj tyre të pushojnë proceset gjyqësore në ngarkim, të cilat janë të natyrave të ndryshme.

Subjektet
Firmat private të penalizuara u përkasin rretheve të ndryshme të vendit, por edhe fushave të ndryshme. Pjesa më e madhe e firmave, janë ato që merren me ndërtime dhe që më së shumti kanë konkurruar në tendera të shumta e sidomos në ndërtimin e infrastrukturës në Shqipëri, gjithmonë me paratë nga buxheti i shtetit. Por nuk kanë mbetur pas as ato që kanë qenë prezente për makinat, karburantet, shtypjen e librave apo teksteve shkollore, firmat e pastrimit, ato të shoqërive elektronike, farmaceutike, shërbime të ndryshme etj. Në listën e firmave që janë penalizuar nga APP gjeografia e tyre është e ndryshme. Ka mes tyre firma të Tiranës, Fierit, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Vlorës, por edhe nga vende të tjera fqinjë, si Kosova, Maqedonia madje deri në Bullgari. APP nuk ka nxjerrë në mënyrë konkrete shkeljet e bëra nga gjithsecili, por secila prej tyre ka marrë dënimin nga një vit deri në tre për të mos marrë pjesë në proceset tenderuese. Ndërkohë që një fakt i tillë vihet edhe në CV e firmave në tenderat e tjera që do të marrin pjesë pas "shlyerjes" së dënimit.

Legjislacioni
Të gjitha firmat që marrin pjesë në tendera, zbatojnë ligjin "Për prokurimin publik" si dhe vendimin e Këshillit të Ministrave për Miratimin e Rregullave për prokurimin publik. Por që nga data 1 tetor e vitit të kaluar ka hyrë në fuqi edhe një ligj i posaçëm që ka lidhje me përgjegjësinë ligjore penale të subjekteve private. Ndërkohë që me krijimin e Qendrës Kombëtare për Regjistrimin e Bizneseve tashmë ka më shumë firma që kanë hyrë në proces regjistrimi. Pavarësisht këtij fakti, duket se është shtuar edhe më shumë numri i firmave që abuzojnë me tenderat dhe nga fondet publike.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›