32-vjeçari kuqezi hedh poshtë spekulimet për largimin drejt Katanias
Erjon Bogdani heq maskën. Në të gjitha kuptimet. Pas protezës që i mbronte nofullën e operuar, tashmë sulmuesi shqiptar i dërgon mesazhe dashurie Kievos. Kontrata e 32-vjeçarit përfundon në qershor, duke sigluar fundin e aventurës së tij të gjatë me këtë skuadër. Më pas ai do të vendosë se çfarë do të bëjë me të ardhmen, ku qëndrimi te veronezët është njëra prej hipotezave. Megjithatë, Bogdani është i përqendruar vetëm tek e tashmja dhe kërkon të jetë protagonist në këtë pjesë të dytë të sezonit.
Erjon, e hoqët maskën?
Më në fund e hoqa dhe shpresoj që mos të jetë e nevojshme ta përdor më. Në këtë mënyrë mbylla një kapitull, tani do të rifilloj të jem Bogdani i vërtetë. Shpresoj të gjej formën e fillimit të sezonit. Mund të them se nuk është e lehtë të luash mirë, kur nuk je në gjendje të japësh maksimumin. Por, viti 2010 do të jetë pozitiv. Po përgatitem të jap gjithçka.
Luajtët si titullar në ndeshjen e parë të 2010-s. I çuditur?
E për çfarë? Punojmë shumë gjatë gjithë javës në mënyrë që t’u përgjigjemi sa më mirë zgjedhjeve të trajnerit, i cili në këtë rast vendosi se do të luaja unë. Shpresoj ta bind shpesh që të më aktivizojë si titullar deri në fund të këtij sezonit.
E keni harruar humbjen me Interin?
Duhet ta harrojmë, edhe pse nuk mund ta fshehim faktin që ajo ndeshje na la një shije të hidhur. Goli që u dha zikaltërve fitoren erdhi pas një aksioni ku më parë Kievos iu mohua një penallti. Unë e pashë shumë mirë faullin, isha fare pranë aksionit. Më pas, në sekondat e fundit u regjistrua edhe prekja e dukshme me dorë nga Kuarezma. Por, nuk kemi çfarë të bëjmë…
Pra, ndoshta do të ishte më mirë të përqendroheni të ndeshja (e sotme) në fushën e Romës?
Pa dyshim. Duhet të luajmë njësoj si me Interin. Kievo duhet të jetë një skuadër që vrapon, lufton dhe matet si e barabartë me të gjithë. Tani do të përballemi me Romën, Juven dhe Lacion. Synimi ynë është që t’i krijojmë vështirësi të mëdhave.
Në qershor kontrata juaj me Kievon përfundon, çfarë planesh keni për të ardhmen?
Qershori është ende larg. Aktualisht jam i përqendruar vetëm te kampionati i Kievos.
Mendohej se do të largoheshit në merkaton e janarit…
Absolutisht jo, do të jem lojtar i Kievos deri në fund të sezonit.
Katania ju kishte përgatitur një kontratë 2-vjeçare…
Fola me Sartorin (drejtorin sportiv) dhe kjo çështje është e mbyllur. Situata është e qartë: jam te Kievo dhe do të qëndroj këtu. Dëshiroj të realizoj gola me peshë për këtë skuadër.
Do t’ju pëlqente të rinovonit kontratën me veronezët?
Për çdo gjë që lidhet me të ardhmen do të vendos në momentin e duhur. Mendoj se do të takohem sërish me drejtuesit e klubit.