Talenti sqaron në “Prag Sfide”, prapaskenat e transferimit te Dinamo
Gjatë verës së fundit u transferua te skuadra e njohur kroate, e Dinamos së Zagrebit dhe tashmë duket se ka fituar një vend stabël në grumbullimet e kombëtares kuqezi, të drejtuar nga trajneri Josip Kuzhe. Bëhet fjalë për sulmuesin e ri, Emiliano Vila, aventura kroate e të cilit nuk ka rezultuar pozitive në 6 muajt e para, ndaj ai dhe klubi i tij, duket se kanë vendosur për rikthimin e tij në Shqipëri, te Dinamo në formë huazimi për 6 muajt e ardhshëm.
Në një prononcim për emisionin “Prag Sfide” në platformën dixhitale “SuperSport”, ai rrëfen të gjitha prapaskenat e këtij transferimi. “Për momentin jam ende me letra një lojtar i Dinamos së Zagrebit, nënvizon Vila, por për gjashtë muajt e ardhshëm mendoj se me 90 për qind do të jem në dispozicion të trajnerit Shkëlqim Muça te Dinamos e Tiranës. Letrat e mia janë në Zagreb, kështu që do të vendosë klubi im kroat për këtë transferim”. Shanset për realizimin e kësaj lëvizje në merkato janë të thuajse të plota. Këtë e pranon edhe vetë talenti durrsak. Kalimi i tij në Kroaci u bë me shumë bujë, por kur analizon 6 muajt e parë, kupton se ai nuk mundur të shfaqë vlerat e tij në futbollin kroat.
Dhe i detyruar nga ky fakt, ai është treguar i gatshëm të rikthehet në kampionatin shqiptar, te kryesuesit e Kategorisë Superiore. Sigurisht që ka qenë edhe dëshira ime, pasi te Dinamo e Zagrebit nuk m’i dhanë mundësitë për të luajtur, kështu që vendosa të largohem, rrëfen sulmuesi i ri i bluve. Gjithë fazën përgatitore u stërvita me skuadrën. Munda të luaj vetëm një ndeshje miqësore me Dinamon e Zagrebit, madje ku shënova edhe një gol.
Ndërkohë që vetëm dy dytë para fillimit të kampionatit më dhanë lajmin se duhet të transferohesha te skuadra e Nk Lokomotivës. Megjithatë, arsyet nuk i di akoma”. Kjo marrëveshje huazimi vlen vetëm për 6 muaj. “Unë rikthehem në Shqipëri për të luajtur deri në fund të sezonit, sqaron futbollisti 22-vjeçar. Pastaj do të rikthehem përsëri te Dinamo e Zagrebit”. Për këtë lëvizje ka marrë edhe miratimin e trajnerit të Kombëtares sonë, Josip Kuzhe, i cili është shprehur optimist për huazimin e tij në kampionatin shqiptar. Vetë Vila e di mirë që te Dinamo ka shumë konkurrencë në repartin e sulmit, megjithatë ky fakt nuk e tremb.
“Normal që konkurrenca është e madhe, por për mua kjo është një gjë e mirë, pasi ajo do të na ndihmojë që të shpallemi kampion. Le t’ia lemë fushës të vendosë. është hera e parë që punoj me trajnerin Shkëlqim Muça, për mua do të ishte kënaqësi”. Dëshira e madhe e tij është të fitojë titullin kampion në Shqipëri. “Do ta dëshiroja shumë fitimin e një titulli, dhe shpresoj që këtë ta arrij në fund të këtij sezoni me Dinamon në kampionatin shqiptar”, përfundoi Vila.