E Diel, 1 Nëntor 2026

33 ditët e Haan në ShqipëriKoha fiktive që ka kaluar trajneri i kombëtares shqiptare në vendin tonë. Nga tre janari te tridhjetë dhjetori i 2008-ës

Leonard Karaj (SPECIALE E TIRANA OBSERVER) - Diçka më shumë se një muaj në vit. Kjo është koha që ka shpenzuar trajneri i kombëtares shqiptare Arie Haan në vendin tonë. Në ndryshim nga paraardhësi i tij Bariç, holandezi ka qenë më i rregullt dhe i drejtpërdrejtë. Haan as nuk deklaroi dhe ca më pak kërkoi që të ishte rezident në Shqipëri, teksa Bariç në fillim pati kërkuar shtëpi në Tiranë por me kalimin e kohës ndryshoi mendim. Holandezi pati konfirmuar se ai do të mbështetej tek futbollistët që luajnë jashtë vendit dhe kampionati shqiptar do të shihte si një zgjedhje të dytë. E megjithatë në një vit trajneri ka ndjekuar jo pak ndeshje të Superligës dhe ka grumbulluar disa futbollistë që militonin dhe vazhdojnë ende të luajnë në skuadra të kampionatit shqiptar. Haan pati kërkuar më shumë disiplinë dhe rregull jo vetëm në skuadër por edhe nga drejtuesit e FSHF-së që merren direkt me përgatitjet e grumbullimeve të kombëtares. Ai nuk priti shumë për të “djegur” rezidencën e kuqezinjve, hotel “Adriatik” vetëm pas një grumbullimi duke kërkuar që skuadra të akomodohej jo më në Durrës por në Tiranë. U tha, u bë. Përgatitjet për sfidat me Suedinë dhe maltën në shtator morën jetë nga rezidenca e hotel “Tirana Internacional”.

Historia e Haan me Shqipërinë nis në ditët e fundit të 2007-ës por u konkretizua të zezë mbi të bardhë më 3 janar 2008. Holandezi zbret për herë të parë në Tiranë si trajner për të firmosur kontratën e tij me drejtuesit e federatës shqiptare. Por vizita e dytë ishte goxha zhgënjyese për të. Teksa priste të bënte debutimin e tij në dy miqësore, ndaj Arabisë Saudite dhe Moldavisë FIFA dhe UEFA pezullojnë FSHF-në pas konfliktit me MTKRS-në. Më 18 mars Haan vjen në Shqipëri edhe për të kuptuar më mirë situatën në vend dhe asokohe qarkulluan jo pak fjalë se ai mund të jepte edhe dorëheqjen nga skuadra. Një muaj më vonë Haan erdhi në Shqipëri për të përgatitur listën e futbollistëve për miqësoren e 27 majit ndaj Polonisë. Më pas grumbullimi nuk u bë në Tiranë por në Reutlingen të Gjermanisë. Pas humbjes minimale në Gjermani (1-0) Haan do të kthehej më 16 gusht në Shqipëri për të zhvilluar ndeshjen e parë si trajneri i kuqezinjve para publikut shqiptar, në miqësoren ndaj Lihteshtejnit. Në fakt kjo përballje u kontestua nga tekniku pasi ai kërkonte të luante ndaj një skuadre më të fortë se Shqipëria ose minimalisht në nivelin e kombëtares shqiptare.

Por aventura reale e Haan nis më 30 gusht. Tekniku grumbullon të besuarit e tij për dy ndeshjeve e para kualifikuese të 6 dhe 10 shtatorit ndaj Suedisë dhe Maltës. Gjatë kësaj kohe ai ndoqi edhe ndeshjen Partizani-Vllaznia 0-1 ku piketoi edhe rikthimin në ekipin kombëtar të mbrojtësit Elvin Beqiri. Pas 4 pikëve të marra në Shqipëri dhe 1 pike shumë të vuajtur në Portugali në muajin tetor, Haan u rikthye në vendin e tij të punës më 1 nëntor. Arsye ishte miqësorja e 19 nëntorit ndaj Azerbajxhanit. Me atë rast Haan ndoqi edhe dy takime të Superligës (Partizani-Shkumbini dhe Tirana Besa). Por vetëm një javë më vonë Haan do të shkelte sërish tokën shqiptare. Këtë herë shkak u bë Asambleja e Zakonshme e Federatës Shqiptare të Futbollit mbajtur më 12 nëntor. Ndërsa më 27 dhjetor ishte vizita e fundit e tij. Haan bëri bilancin e një viti si trajner i kuqezinjve dhe piketoi në një farë mënyre edhe ecurinë e skuadrës së tij për ndeshjen e 11 shkurtit në “Ta’Qali”, ku Shqipëria do të përballet me Maltën. Në rast fitoreje kuqezinjtë do të marrin përkohësisht kryesimin e Grupit 1 eliminator.

 

33 ditët e Haan në Shqipëri

3 janar-4 janar
Arie Haan zbret për herë të parë në Tiranë si trajner për të firmosur kontratën e tij me drejtuesit e federatës shqiptare. Një ditë më vonë ai së bashku me zyrtarë të lartë të FSHF inspektuan edhe qendrën sportive të ekipeve kombëtare në Kamëz.

18 mars-21 mars
Vizita e dytë zyrtare e Arie Haan në tokën shqiptare. Holandezi vjen për të grumbulluar skuadrën për miqësoren e 21 dhe 26 marsit ndaj Arabisë Saudite dhe Moldavisë por pa mundur të bëjë këtë gjë për shkak të pezullimit të Shqipërisë më 15 mars nga FIFA.

26 prill-28 prill
Trajneri Arie Haan vjen në Shqipëri për të përgatitur listën e futbollistëve për miqësoren e 27 majit ndaj Polonisë. Më pas grumbullimi nuk u bë në Shqipëri por në Reutlingen të Gjermanisë. Tekniku holandez ndoqi edhe derbin Partizani-Tirana.

16 gusht-21 gusht
Është debutimi i parë zyrtar i Arie Haan para publikut shqiptar në miqësoren ndaj Lihteshtejnit. Në fakt kjo përballje u kontestua nga tekniku pasi ai kërkonte të luante ndaj një skuader më të fortë se Shqipëria ose minimalisht në nivelin e kombëtares shqiptare.  

30 gusht-11 shtator
Trajneri Arie Hean vjen në Shqipëri për grumbullimin e dy ndeshjeve kualifikuese të 6 dhe 10 shtatorit ndaj Suedisë dhe Maltës. Gjatë kësaj kohe ai ndoqi edhe ndeshjen Partizani-Vllaznia 0-1 ku piketoi edhe rikthimin në ekipin kombëtar të mbrojtësit Elvin Beqiri.

1 nëntor-3 nëntor
Arie Haan vjen në Shqipëri për të biseduar me drejtuesit e FSHF-së lidhur me miqësoren e 19 nëntorit ndaj Azerbajxhanit. Tekniku ndoqi nga afër edhe dy takime (të shtunë dhe të diel) në kampionatin shqiptar, Partizani-Shkumbini dhe Tirana Besa.

9 nëntor-13 nëntor
Trajneri i ekipit përfaqësues rivjen në Shqipëri. Këtë herë shkak është bërë Asambleja e Zakonshme e Federatës Shqiptare të Futbollit mbajtur më 12 nëntor. Ndërsa dy ditë më parë ai ndoqi edhe një ndeshje të Superligës (Dinamo-Flamurtari 1-1).

27 dhjetor-30 dhjetor
Haan vjen në Shqipëri para fillimit të vitit për tu përgatitur ndeshjen e shkurtit ndaj Maltës. Takimi me maltezët do të zhvillohet, më 11 shkurt, dhe në rast fitoreje në “Ta’Qali”, Shqipëria do të marrë përkohësisht kryesimin e Grupit 1 eliminator.

E Shtune, 10 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›