E Shtunë, 31 Tetor 2026

330 milionë aborte gjatë katër dekadave

Afro 330 milionë aborte janë kryer në Kinë ndërmjet viteve 1971 dhe 2010, tregojnë të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë që politika e kufizimit të lindjeve po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje.

Ministria ka dhënë në janar statistika të detajuara rreth sterilizimeve dhe aborteve, para njoftimit për shkrirjen e saj me Komisionin Kombëtar për Popullatën dhe Panifikimin Familjar javën e kaluar. Disa vëzhgues në këtë riorganizim shohin preludin e një zbutjeje të kufizimit të lindjeve për çiftet kineze, mirëpo zyrtarë kinezë e kanë thënë të kundërtën gjatë kësaj jave.

“Planifikimi familjar do të forcohet e jo të dobësohet”, ka deklaruar Wang Feng, zëvendësshef i zyrës për reforma në sektorin publik, i cituar nga agjencia zyrtare e lajmeve “Xinhua”. “Pas reformës, Kina do të vazhdojë politikën e saj të planifikimit familjar”, ka siguruar sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Ma Kai.

Kufizimi i lindjeve për të gjithë dhe politika e një fëmije të vetëm për qytetarët që nga fillimi i viteve 1980 i kanë mundësuar Pekinit të shmangë rreth 400 milionë lindje shtesë në vendin më të populluar të botës, i cili, në fund të vitit të kaluar, kishte 1,354 miliard banorë. Mirëpo, abortet kanë mundësuar edhe eleminimin selektiv të embrioneve dhe fetusëve femërorë, me ç’rast kanë rritur deficitin për disa dhjeta miliona femra në popullatën kineze.

Numri i aborteve ka kulmuar ndërmjet viteve 1982 dhe 1992 me më shumë se 10 milionë në vit, ndërsa piku është arritur më 1983 dhe 1991 me më shumë se 14 milionë, tregon Ministria e Shëndetësisë. Kufizimi i lindjeve ka pasur për pasojë një numër shumë të lartë të aborteve të detyruara, të cilat në parim aktualisht janë të ndaluara.

Kjo praktikë megjithatë po vazhdon në disa rajone. Në qershor, rasti i një gruaje, e cila është detyruar të abortojë teksa ishte në muajin e shtatë të shtatzanësisë, ka shkaktuar skandal dhe ka shtyrë autoritetet lokale të kërkojnë ndjesë.

Në planin afatmesëm, Kina patjetër që duhet të zbutë kontrollin e lindjeve për shkak të mplakjes së shpejtë të popullatës dhe zvogëlimit të popullatës aktive, theksojnë demografët dhe analistët./AFP/Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›