Greqi, lirohet njëri nga pengjet e Rizait

Media greke njoftojnë se është liruar njëri nga pengjet që mban prej 17 oresh Alket Rizait në burgun e Malandrinos në Greqi. Po ashtu mësohet, forcat speciale kanë hyrë në ambientet e burgut me maska kundragaz, por ka pak informacion për këtë.
Ndërkaq nga vendlindja e tij, Ballsh kanë reaguar prindërit Ramiz dhe Donika Rizai. Ata u thanë gazetarëve vendas se, “djali i tyre është i pafajshëm dhe po përdoret nga shteti grek. E ëma e Alketit, tha se, “e mbështesin djalin e tyre në veprimin që ka ndërmarrë duke theksuar se ai duhet ta vazhdojë rrugën që ka nisur”. “Shteti grek po përdor djalin tonë, e ka akuzuar për gjëra që nuk i ka bërë. “Alket, rrugën që ke nisur çoje deri në fund se shteti grek po tallet me ty, është shprehur Donika Rizai duke kërkuar edhe ndihmën e shtetit shqiptar për ta mbështetur të birin.
Në anën tjetër policia greke ka marrë të gjitha masat dhe pritet në çdo moment ndëryrja. Mësohet se janë futur snajper me kamerë të cilët evidentojnë edhe ambientet e brendshme ku ndodhet Alketi. Sipas Stefës, kur policët të binden se çfarë armatimi ka Rizai dhe se si është situata aty, do përgatiten për një ndërhyrje të tyre e cila mund të finalizojë operacionin.
..........................................
Alarm në burgun e Malandrinos në Greqi, ku i dënuari shqiptar Alket Rizai ka marrë peng zyrtarë të burgut. Nuk është e qartë nëse janë 4 apo 6 pengjet e tij, por më së shumti flitet për 4 roje dhe 2 të burgosur.
Thuhet se nga ora 21:00 e së shtunës ai mban me vete eksploziv, duke kërcënuar për të hedhur në erë burgun, në qoftë se nuk e lenë të lirë. Në korrik të vitit 2011, ai e njoftoi një arratisje të tretë në një intervistë për Gazeta Shqiptare.
Gjatë gjithë natës avokati i tij dhe e dashura Aspasia Mitropia, e njohur si Sula, kanë negociuar duke i kërkuar Alketit të lerë të lirë pengjet dhe të mos derdhë gjak të pafajshëm. Në negociata kanë hyrë edhe negociatori i policisë, prokurori i Amfisas dhe një zyrtar i ministrisë së Drejtësisë.
Mësohet se mbrëmë gjatë bisedës me të dashurën e tij, Alketi është shprehur i vendosur: “Ose do të iki, ose do më vrasin”
Alket Rizai ka folur gjatë natës me gazetarët grekë dhe ka protestuar për sistemin e drejtësisë dhe dënimin e tij që e cilëson të padrejtë, duke thënë ndër të tjera:
“Unë kam durim dhe nuk më soset durimi. Do presim fundin e kësaj pune. Gjykata ka abuzuar me mua, vendimi për burg për jetë është i padrejtë dhe nuk e meritoj. Më sillni një makinë dhe unë do t’i liroj pengjet e do largohem. Të shohim kush do dalë i fituar. Unë i kam marrë masat e mia".
“Nuk dua të filloj t’i vras ata një nga një. Unë kam asgjë me ta", thotë Alket Rizai për pengjet e tij, duke vënë në dukje se ai ka durim dhe mund të presë.
Më pas i jep telefonin njërit prej pengjeve që të kërkojë një makinë dhe pengu pyet: "Kaq e vështirë është për të sjellë një makinë që të na lerë të lirë?"
Sipas një zyrtari të burgut, 38 vjeçari Alket Rizai ndodhet në një gjendje të rënduar psikologjike. Sipas tij, situata e Rizait është ajo e një njeriu që nuk ka çfarë të humbasë. Ai thotë se janë të paktën 6 personat që ka peng Rizai, 4 pengje janë të stafit të burgut dhe 2 të burgosur, por nuk dihet roli i 2 të burgosurve që janë peng. Mediat shkruajnë se pengmarrësi është nën ndikimin edhe të substancave narkotike dhe kjo e bën të vështirë negociimin me të.
Lidhur me eksplozivin që pretendon se ka me vete, është i tipit C4, një lëndë e rrezikshme dhe me efikasitet të lartë që përdoret kryesisht në ushtri, nga grupet terroriste apo kamikazët.
Gjatë mesnatës janë dëgjuar të shtëna në burg, por Alket Rizai tha se ishte policia që hodhi gaz lotsjellës./Indeksonline/