Vulin: Serbia do t’i forcojë strukturat e saj në Kosovë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka qëndruar në veri të Mitrovicës, gjegjësisht në Qendrën Spitalore. Ai fillimisht theksoi retorikën tashmë të njohur se Serbia nuk i lë serbët e Kosovës dhe do të jetë përherë me ta. Vulin ka siguruar se Serbia do t’i forcojë institucionet e veta në Kosovë.
“Shteti i Serbisë nuk është në Kosovë për t’u tërhequr, ajo është këtu për t’i forcuar institucionet e veta e jo për t’i shuar”, tha Vulin.
Ai tha se problemet me të cilat përballen punëtorët e QS do të zgjidhen shpejt.
“Numri i punëtorëve nuk guxon të zvogëlohet, por secili vend pune duhet maksimalisht të shfrytëzohet për të mirën e njerëzve që jetojnë në Kosovë”, tha ai, ndërkohë që ka falënderuar të punësuarit në këtë qendër shëndetësore, për siç tha ai “përkushtimin për të punuar këtu, që janë këtu dhe që nuk mendojnë të shkojnë dhe që i respektojnë dhe zbatojnë krejt atë që nga ata e kërkon Serbia”, transmeton Zëri.
“Qendra Spitalore në Mitrovicë do të vazhdojë të funksionojë edhe më mirë, ndërsa garanci për këtë është udhëheqja e re, e cila ka kushte për punë pa pengesa”, theksoi Vulin, i cili ka shtuar se në shtetin e Serbisë mbetet që të përkujdeset për institucionin më të rëndësishëm.
Ai pohoi se është në kompetenca të Ministrisë së Shëndetësisë, Fondit Republikan për Sigurime Shëndetësore dhe Zyrës për Kosovën, që të bëjnë gjithçka që mbrojtja shëndetësore të jetë kualitative dhe që të punohet edhe më shumë për ruajtjen e shëndetit të të gjithë qytetarëve të Kosovës.