E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

34-vjetori i themelimit të “RD”, Berisha: Tashmë, fjala e lirë ndiqet me burg

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Në 34-vjetorin e themelimit të gazetës së parë të pluralizmit në Shqipëri, “Rilindjes Demokratike”, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se, “RD përveç se ishte organi i partisë opozitare, ishte edhe organ i mendimit të lirë”.

“RD u shpall si organ i PD-së, por gazeta ishte organ i mendimit të lirë, mendimit intelektual dhe universal”, tha Berisha në pritjen e organizuar me këtë rast.

Berisha u ndal edhe te censura që preku edhe kombin më të madh, Amerikën, që sipas tij, mori një goditje fatale në zgjedhjet e 5 nëntorit 2024, me fitoren e Donald Trump.

“Ne sot pas 34 vitesh, kremtojmë atë ditë në një kohë kur fjala e lirë është skajuar në shoqërinë shqiptare, është skajuar në fakt jo vetëm në Shqipëri. Unë do të doja të thosha që është vetëm Shqipëria, por kjo nuk është e vërtetë. E vërteta tmerrësisht e hidhur është se për censurën, në mënyrën më marrëzore, filloi të flitet dhe në vendet e lirisë. Për censurën u krijuan zyra në zemër të atyre institucioneve që duhet të kishin mision të parë të kundërtën. Për censurën u krijuan edhe komisione parlamentare, ndër të tjera edhe në Shqipëri, nën etiketën e dezinformimit”, tha Berisha.

Sipas tij, “në Shqipëri është hipokrizi të flasësh për fjalën e lirë, pasi ajo ndiqet me burg”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha i bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve të lirë dhe të ndershëm që të mos rreshtin kurrë së luftuari për fjalën e lirë.

Në ceremoninë e 34-vjetorit të “Rilindjes Demokratike”, Berisha u shpreh se “ekstremi i majtë sot, është më i keqi që ka ekzistuar ndonjëherë në të gjitha format dhe nuk duhet të rreshtim kurrë së luftuari për fjalën e lirë”.

Po ashtu, Berisha komentoi edhe vendimin për mbylljen e TikTok-ut për 1 vit në Shqipëri, ndërsa e cilësoi këtë si “aktin më të rëndë të censurës që mund të ndërmerret dhe aktin më të rëndë ndaj fjalës së lirë”.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›