38-vjetori i krijimit të Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile, Vengu: Shtojmë forcën dhe reagimin

TIRANË, 1 shtator /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mori pjesë sot në ceremoninë e 38-vjetorit të krijimit të Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile.
Vengu shprehu mirënjohjen për këtë strukturë të Forcave tona të Armatosura, prej dekadash në vijën e parë të përballjes me fatkeqësitë natyrore dhe situatat emergjente.
”BMEC ka treguar se misioni i saj nuk njeh stinë, orë apo vështirësi. Dimër e verë, ditën e natën, gjithmonë aty për të shpëtuar jetë, për të mbrojtur pasuritë kombëtare dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, theksoi Vengu.
Vengu shtoi se, “BMEC po ridimensionohet duke shtuar personel, mjete dhe teknologji, si dhe duke e zgjeruar bazën e veprimit edhe tek trajnimi dhe certifikimi i skuadrave vendore të emergjencave civile, duke shtuar forcën dhe reagimin në çdo cep të vendit”.
Ministri nënvizoi se, BMEC është sot më e fortë, më e trajnuar dhe më e pajisur se kurrë, teksa shprehu respekt dhe falënderim për çdo efektiv.
/gj.m/r.e/J.P/