E Diel, 1 Nëntor 2026

“3D”, Muça: Rezultati në Hungari u përcaktua nga korrupsioni, retorika anti-perëndimore e Orban, strategjia e rrjeteve sociale nga opozita

Dinamikat që çuan në disfatën elektorale të ish-Kryeministrit hungarez Viktor Orbán u trajtuan gjerësisht gjatë emisionit “3D” në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH). Në panelin e drejtuar nga gazetari Alban Dudushi, analisti Flogert Muça paraqiti një zbërthim të shkaqeve të brendshme dhe të jashtme që përmbysën dominimin 16-vjeçar të partisë Fidesz, duke u ndalur te ekonomia dhe orientimi gjeopolitik.

Sipas analizës së Muçës, rrotacioni politik në Hungari nuk ishte një fenomen i papritur, por rezultat i një pakënaqësie të akumuluar ndër vite. Faktorët kryesorë që diktuan këtë “kthesë” u klasifikuan në tre shtylla së pari stanjacioni ekonomik dhe korrupsioni.

“Përkeqësimi i treguesve ekonomikë u cilësua si pika thelbësore e thyerjes së besimit qytetar”, tha Muça.

Ai theksoi se perceptimi i Hungarisë si një shtet i “kapur nga oligarkët” dhe i zhytur në korrupsion largoi mbështetësit tradicionalë.

Së dyti, sipas tij, retorika e vazhdueshme anti-perëndimore dhe raportet e afërta diplomatike me Rusinë shkaktuan lodhje tek elektorati, i cili kërkonte një ripozicionim të vendit në linjë me strukturat euroatlantike.

Së treti edhe efekti bumerang i sistemit zgjedhor.

“Arkitektura elektorale, e dizajnuar ndër vite për të mbrojtur dhe favorizuar pushtetin e Orbán-it, dështoi në kushtet e një bashkimi masiv të votave kundër tij, duke u kthyer në një penalizim për vetë krijuesin e saj.”, tha Muça.

Roli i medias sociale dhe brezit të ri

Një element kyç në fitoren e liderit të opozitës, Péter Magyar, u identifikua mënyra e komunikimit me zgjedhësit. Në kushtet e një asimetrie të thellë, ku media tradicionale kontrollohej gjerësisht nga aparati shtetëror i qeverisë së kaluar, opozita përdori strategji alternative.

“Një nga arsyet që kreu i opozitës ishte i suksesshëm ishte fakti se të rinjtë e gjetën veten në mediat sociale, sepse ishin të lodhur nga retorika e Orbán dhe propaganda e mediave të tij,” argumentoi Muça gjatë ndërhyrjes.

Sipas tij, ky mobilizim i rinisë përmes platformave digjitale arriti të anashkalojë monopolin informativ shtetëror, duke luajtur një rol vendimtar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›