Humbja e Orban, Nurellari: Loja me dy porta me Rusinë dhe përçarja me BE-në e rrëzuan nga pushteti

Analisti Adri Nurellari ka renditur disa nga arsyet që, sipas tij, çuan në humbjen e Viktor Orban dhe dobësimin e pushtetit të tij politik.
Sipas Nurellarit, një ndër faktorët kryesorë ishte konsumimi i gjatë në pushtet, që solli ngurtësimin e partisë dhe humbjen e kontaktit me realitetin.
“Pas një kohe të gjatë në pushtet, korrupsioni bëhet galopant, zhduken mundësitë për një pjesë të mirë të shoqërisë dhe kjo e dobëson një parti që dikur dominonte,” u shpreh ai në emisionin “3D” në RTSH.
Analisti theksoi gjithashtu se kriza ekonomike dhe strategjia e ndjekur nga Orban në raport me partnerët ndërkombëtarë ndikuan ndjeshëm në këtë rezultat.
“Orban përfitonte nga fondet e Bashkimi Evropian dhe njëkohësisht nga energjia që merrte nga Rusia. Kjo lojë me dy porta u ndërpre papritur dhe pati pasoja,” tha Nurellari.
Ai shtoi se përplasjet e vazhdueshme me BE-në dëmtuan imazhin ekonomik të vendit dhe ndikuan negativisht në perceptimin publik.
Një rol të rëndësishëm, sipas tij, ka luajtur edhe brezi i ri, i cili është më pak i lidhur me të kaluarën dhe më i prirur për ndryshim.
“Orban humbi pjesën më dinamike të shoqërisë. Rinia, përmes reagimit dhe pjesëmarrjes më të madhe në zgjedhje, solli ndryshimin dhe ndikoi në rrëzimin e tij,” përfundoi Nurellari.
/rtsh.al/