4 Pistat e atentatit me minë-celular në Vlorë
VLORË- Një shpërthimi i fuqishëm ka tronditur paraditen e djeshme të qytetit bregdetar të Vlorës. Si pasojë e shpërthimit të një sasie tritoli të vendosur në makinë, ka humbur jetën 38-vjeçari Renato Abazi, drejtuesi i makinës, si dhe është plagosur rëndë 28-vjeçari Marenglen Dani dhe një fëmijë 10 vjeç që ndodheshin në të njëjtën makinë. Po kështu, i plagosur ka mbetur dhe një kalimtar i rastit, Gerti Sulejmani. Menjëherë policia e Vlorës ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe për momentin një nga pistat kryesore ku po hetohet është ajo e hakmarrjes.
Shpërthimi
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Vlorës, mësohet se rreth orës 11.30 të ditës së djeshme, në rrethin e Skelës ka ndodhur një shpërthim i cili është dëgjuar rreth 2 km larg vendi ku ndodhej makina. Sipas tyre, në momentin e shpërthimit makina është spostuar disa metra dhe ka rënë sërish në tokë. Kanë qenë kalimtarët e rastit të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen me të shpejtë të personave që ndodheshin në makinë, si dhe nxjerrjen e trupit i viktimës, që ka qenë i shpërndarë. Makina ka qenë automjeti tip opel korsa, me targa AX 676 DT, ngjyrë blu e errët. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e zjarrfikëseve dhe të policisë, të cilat kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit, por pa mundur ta finalizojnë në kohën e duhur. Mësohet se nga shpërthimi janë thyer edhe xhamat e ndërtesave, dëmtuar automjete, që ndodheshin aty pranë, si dhe është plagosur një kalimtar. Shpërthimi ka shkaktuar panik tek banorët, të cilët ishin duke shëtitur përgjatë bulevardit kryesor, në këtë zonë që është dhe nga më të populluarat. Në fillim u mendua për shpërthimin e impiantit të gazit të automjetit, por epiqendra e shpërthimit ka qenë në pjesën e përparme të automjetit, që lind dyshimet e eksplozivit.
Hetimi
Policia e cila ka bërë këqyrjen e vendngjarjes ka vënë piketat në disa pika ku pjesët e trupit të viktimës ndodheshin të shpërndara, si dhe pajisjet e makinës, të celularëve, të cilët mendohen se kanë qenë aparatet celularë që kanë bërë të mundur shpërthimin. Specialistë të shpërthimeve kanë pohuar se sasia e tritolit është vendosur në pjesën poshtë sedilies së shoferit. Po ashtu në afërsi të automjetit të shpërthyer është gjetur dhe një sasi tjetër tritoli 200 gr, e cila nuk kishte shpërthyer nga shpërthimi i parë. “Nga hetimet e deritanishme rezulton që ngjarja ka ardhur si rrjedhojë e një hakmarrje të mundshme për veprimtarinë e shtetasit Renato Abazi dhe nuk ka lidhje me procesin zgjedhor”, shprehet zyra për mediat në drejtorinë e policisë së Vlorës.
Viktima Renato Abazi ka pasur një Loto sporti, e cila ndodhej pikërisht përballë vendit ku ka ndodhur dhe shpërthimi. “Deri në këto momente nuk kemi asnjë konfirmim për veprimtari të tjera të tij. Po punohet nga grupi operativ për zbardhjen e çështjes dhe për të vërtetuar se çfarë konfliktesh ka pasur. Për këtë ngjarje deri në orët e vona janë shoqëruar disa persona të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes. Pasi janë pyetur, janë lënë të lirë sërish”, ka deklaruar drejtori i policisë së Vlorës.