E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mekanizmi i shpërthimit të tritolit

Sipas policisë, ky shpërthim ka ardhur si pasojë e një sasie tritoli të ndezur me një detonator, lidhur me një aparat celular. Sasia e tritolit ishte vendosur në sedilien e shoferit Renato Abazi , ndërkohë që pranë vendit të ngjarjes janë gjetur 200 gramë tritol i pashpërthyer. Një veprim i tillë ka pasur si qëllim eliminimin fizik të drejtuesit të mjetit, ndërsa ende nuk dihet se cilat janë motivet që kanë çuar autorët në këtë veprim ekstrem. Ndërkohë burime policore kanë saktësuar se në momentin e shpërthimit, 38-vjeçari Renato Abazi ka qenë duke parkuar makinën e tij pikërisht në vendin përballë ku ndodhet dhe pika e Lotos që ishte pronë e tij. Në atë moment ai ka qenë në makinë së bashku me dy persona të tjerë, të cilët kanë mbetur të plagosur. Policia ka qenë e rezervuar në të dhënat e detajeve, por edhe nuk ka bërë me dije deklarime nga të dëmtuarit, apo dëshmitë, për shkak të hetimeve. Ende nuk dihet çfarë konflikti mund të ketë patur viktima në kohë më të largëta, për zbardhje të të cilit gjithashtu janë marrë në pyetje shumë persona. Aktualisht për ngjarjen janë angazhuar edhe struktura të policisë që merren me luftën kundër krimit të organizuar, si dhe hetimet i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Pistat e policisë, kryesorja hakmarrja

Nga hetimet e para të policisë së Vlorës mësohet se një nga pistat kryesore për këtë ngjarje është ajo e hakmarrjes. Edhe pse të rezervuar në dhënien e detajeve, burime zyrtare të policisë kanë pohuar se janë duke hetuar të shkuarën e 38-vjeçarit Renato Abazi. Por, edhe pse ai nuk ka qenë i dënuar për ndonjë vepër penale, jo pak herë ai ka qenë i dyshuar, por asnjëherë nuk janë dokumentuar plotësisht në mënyrë që më pas ai të përballej me drejtësinë. Një tjetër pistë ku po hetohet është ajo e prishjes së pazareve të drogës. Edhe kjo është një pistë e mundshme, pasi jo në pak raste emri i tij ka qenë i lakuar si i përzier në trafikun e drogës. Pista e tretë ku po hetohet fort nga policia e Vlorës është edhe ajo e rivalitetit në biznes, pasi prej disa kohësh ai kishte hapur një pikë lotoje sportive. Ndërsa nuk është përjashtuar edhe ndonjë mundësi e ndonjë zënke të rastit, edhe pse kjo është më pak e mundshme, pasi një atentat i tillë është menduar në çdo detaj. Ndërkohë që policia e Vlorës është duke hetuar dhe shokun e 38-vjeçarit, Marenglen Dani, i cili është personi i cili ndodhet në spitalin e Vlorës dhe është ende në gjendje të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›