Zbulohen detajet e performancës së Aurela Gaçes në Eurovizion
Tashmë ditët po numërohen mbrapsht për këngëtaren Aurela Gaçe, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 56-të të Festivalit Europian, që mbahet në Dusseldrof (Gjermani). Është e emocionuar, por edhe e kënaqur, me reagimet që ka marrë për këngën “Feel the passion”, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë turet që ka organizuar deri më tani. Ekskluzivisht në këtë intervistë për gazetën “Mapo”, Aurela rrëfen gjithë detajet e performancës së saj në skenë; që nga pjesëmarrja e tre backvokal-isteve, e kitaristit të mrekullueshëm Bledar Sejko dhe bateristit Emiljan Dhima. Për më tepër, le të ecim së bashku në këtë bashkëbisedim të këndshëm….
Aurela, një ditë para nisjes në Dusseldorf… Si ndihesh?
Ndihem e ngarkuar emocionalisht, por është një emocion i bukur! Kisha më shumë ankth kur filluan përgatitjet para dy muajsh, tani jam pak më e qetë sepse shoh reagimin e njerëzve që më rrethojnë dhe jo vetëm njerëz në rrugë, qoftë edhe reagimet në rrjetin social Facebook, që janë të mira, janë dashamirëse, kanë një energji pozitive dhe kjo më mjafton që të kem krahë, të kuptoj që ka njerëz që i mbajnë sytë te ne dhe presin më të mirën!
Si është menduar performanca në skenën e Eurovizionit?
Unë do të mundohem që të paraqes sa më mirë pasionin që mban kënga. Nuk do të dal jashtë këngës, sepse atë melodi dhe tekst kam pëlqyer dhe kam kënduar, dhe kështu që duhet t’i përshtatem deri në fund. Do të ketë sigurisht një vetëpërmbajtje në fillim të këngës, ku do të ketë më shumë interpretim, pasi dua që mesazhi im të përçohet bukur, njerëzit ta kuptojnë, gjithë ajo Europë ta kuptojë se çfarë do të këndoj! Sigurisht, në pjesën kur ritmi dhe energjia e këngës rritet, edhe energjia ime do të rritet, por do të më ndihmojnë shumë edhe efektet që Albert Malltezi, i cili është edhe regjisori i videoklipit, do të jetë me ne edhe si drejtor skenik i performancës sonë në skenën e Eurovizion.
Megjithatë në skenë Aurela, nuk do të jeni vetëm…
Po, nuk do të jem vetëm. Do të kem tre backvocal-iste, të cilët jetojnë në Gjermani dhe këtu gjej momentin që të falenderoj artisten tonë të mirënjohur, që jeton në Gjermani, Eda Zari, e cila u kujdes që të gjente backvocal-istet që ajo mendon se mund të më mbështesin shumë mirë në këngë. Do të kem në kitarë Bledar Sejkon, i cili tanimë është i njohur nga gjithë publiku shqiptar, si një figurë shumë e spikatur në skenë, qoftë për performancën e tij, qoftë edhe për instrumentin që dihet nga të gjithë sa profesionist është. Do të kem në bateri Emiljan Dhimën, pjesëtar i orkestrës që Shpëtim Saraçi drejton në televizionin Klan.
Mendon se ky grup në skenë do t’i jap më shumë energji paraqitjes suaj skenike?
Sigurisht! Do t’i shtojë energjinë, do ta veshë atë. Unë nuk do të jem vetëm në skenë, ne do të jemi të gjithë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, edhe pse si pozicion në skenë ata mund të jenë pak pas meje, përsëri do të jenë në funksion të këngës dhe në funksion të lëvizjeve të mia.
Përsa i përket fustanit që do të vishni, mund të na tregoni ndonjë detaj sesi do të jetë?
Mirela Nurçe, e cila u kujdes për veshjen time, qysh në daljen time në Festivalin në RTSH, dhe më tej në videoklip, ku gjithë njerëzit janë mahnitur me fustanin që ajo krijoi, është përsëri ajo që do të kujdeset për veshjen! Ngjyra dhe modeli më shkon shumë për shtat, më shkon me trupin, me lëkurën, dhe sigurisht më zbut shumë në portret, gjë që u pa edhe në videoklip, që ngjyra që ajo kishte zgjedhur për mua më zbuste në portret. Kemi zgjedhur për në natën e Eurovizionit një ngjyrë të ëmbël, ngjyrë perlë. Nuk dua të nxjerr më detaje, përsa i përket veshjes. Ndërsa make-up artist do të jetë sërish Lili, grimeria që do të kujdeset për grimin e flokët, me të cilën gjithashtu kam bashkëpunuar në Festival e më tej në klipin, ku keni parë sesi i shndërroi sytë e mi në sy shqiponje, në bazë të grimit që kishte bërë, gjithmonë në përputhje me këngën. Siç e shihni, nuk e kam ndërruar grupin. Me atë grup që nisa rrugëtimin në Festivalin në RTSH, me atë do të jem edhe në Eurovizion, pasi kam marrë një energji vërtetë pozitive dhe nuk kishte arsye të ndryshoja asnjë gjë (qesh)!
Në Dusseldorf do të jetë edhe familja juaj, i dashuri?
Po, do të jetë familja ime, i dashuri im, vëllai me nusen e tij nga Italia, do të jetë shoqëria ime, mjaft miq që jetojnë dhe në Gjermani, di që do të jenë dhe shumë njerëz që do të vijnë nga Gjermania, dhe sigurisht që ky fakt më gëzon shumë, sepse gjej mbështetje tek këta njerëz që do të jenë atje me mua.