4 laboratorë dhe 1 qendër multifunksionale i shtohen Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Kushi: Në dispozicion edhe të studentëve

Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës i janë shtuar 4 laboratorë dhe 1 qendër multifunksionale për Këshillin Studentor dhe klubet studentore në të cilat janë instaluar pajisje dhe teknologji të reja. E pranishme në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja për të parë nag afër investimet e reja, ministrja e Arsimit,Evis Kushi u shpreh se laboratorët e rinj, që do të ndihmojnë në realizimin e veprimtarisë akademike, didaktike, kërkimore, si dhe përvetësimin e kompetencave të reja në fushën e Inteligjencës Artificiale, nuk do të jenë vetëm në dispozicion të pedagogëve për punë kërkimore shkencore dhe akademike, por edhe në dispozicion të studentëve.
“Vitin e kaluar ne vumë një buxhet 400 milionë lekë të rinj për universitetet shqiptare. Shpallëm një thirrje teë ndarë në dy zëra. Njëri zë për të mbështetur hartimin dhe implementimin e programeve, me hartimin e kurrikulave apo shkëmbimin e pedagogëve. Dhe zëri i dytë ishte për infrastrukturën sepse shumë programe të dyfishta apo të përbashkëta me universitetet evropiane kanë nevojë për laboratorë të rinj, për infrastrukturë, për pajisje, për t’i mundësuar, për t’i zbatuar siç duhet këto programe
Më vjen mirë që Universiteti i Tiranës iu përgjigj menjëherë thirrjes sonë për të përfituar nga ky buxhet dhe sot pres me padurim që t’i vizitojmë këto në dispozicion të pedagogëve për punë kërkimore shkencore dhe akademike, por edhe të studentëve.
Shumë shpejt do të hapet thirrja nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit për projekte të kërkim-zhvillimit, por edhe projekte të infrastrukturës.Këtë vit kemi rritur buxhetin për kërkimin shkencor madje edhe kufirin maksimal për të aplikuar për një projekt të ri. Edhe numri i përfituesve do të jetë më i lartë, por edhe buxheti për çdo projekt fitues do të jetë më i lartë.”, tha Kushi.
/rtsh.al/