E Diel, 1 Nëntor 2026

4 vitet e mandatit të tretë, me vepra që do bëjnë të harrohen investimet e këtyre viteve

27-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministrit Sali Berisha bashkëbisedon me fermerë të rrethit të Lushnjes

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një bashkëbisedim me fermerë të rrethit të Lushnjes, në fshatin Kosovë. Kryeministri u ndal në impiantin e serave të një fermeri të zonës, për të takuar për të tretën herë brenda pak javësh, prodhuesit dhe përpunuesit e perimeve dhe produkteve të tjera të agrikulturës. Në rrethin e Lushnjes, në tetë vite, qeverisja e PD-së ka investuar 4.3 miliardë lekë në 220 kilometra rrugë që i shërbejnë maksimalisht produktivitetit të sektorit bujqësor. Vetëm në projekte të bujqësisë dhe kullimit janë investuar 228 milionë lekë të reja. Si subvencion janë dhënë 257 milionë lekë (të reja), nga e cila kanë përfituar rreth 1100 fermerë. Duke falënderuar pjesëmarrësit për ftesën, Kryeministri Sali Berisha, i garantoi fermerët e Lushnjës dhe të Shqipërisë se, “ne jemi përpjekur dhe në Shqipërinë rurale kemi bërë investimet më të mëdha se në çdo fushë tjetër, por synojmë të bëjmë shumë më tepër. Ne do të bëjmë gjithçka që të harrohet kjo që kemi bërë dhe të bëjmë shumë më tepër katër vitet që vijnë. Ky është interesi më i mirë i juaji, i shoqërisë shqiptare dhe i vendit në tërësi”. Për Kryeministrin Sali Berisha, bujqësia është e një rëndësie kapitale, pasi nuk ka Shqipëri të zhvilluar, pa fshat të zhvilluar. Në bashkëbisedimin me fermerët, Kryeministri Berisha parashtroi objektivat në fushën e bujqësisë, në katër vitet e ardhshme, të cilat do të jenë investimi në bujqësi është rruga më e shkurtër dhe më e sigurt  e punësimit të qytetarëve. Gjatë katër viteve që vijnë, me subvencionet tona, në sektorin privat të punësohen së paku 130 mijë punonjës; rritje e mbështetjes për të rritur konkurrueshmërinë në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar; trefishim i granteve për fermerët, në katër vitet e ardhshme; ndërtim i  sistemit më modern të ujitjes; finalizim i rrugëve rurale.
Më tej, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se, qeveria në 4 vitet e ardhshme do të trefishojë grantet për bujqësinë. “Dua t’ju siguroj se për ne, bujqësia, Shqipëria rurale është e një rëndësie kapitale. Ne besojmë dhe jemi të bindur se Shqipëria nuk do të mund të jetë kurrë vend i zhvilluar, pa një fshat të zhvilluar, pa një bujqësi të zhvilluar. Nga viti 2005 e deri më sot, nëse i referohemi buxhetit, mbi 60 për qind e tij, është investuar në Shqipërinë rurale, në rrugë, në kanale kulluese, në shkolla. Ne kemi besuar dhe besojmë se ndërtimi i rrjetit rrugor është i një rëndësie vendimtare për tregun, për jetën, për shëndetin, për shkollën. Ne kemi shpallur parim të ndërtojmë në çdo fshat, atë infrastrukturë që ekziston në lagjet e qytetit: rruga, ujë, drita, shkolla, qendra shëndetësore, të tjerat natyrisht i bëni vetë. Por, krahas kësaj përpjekjeje të madhe për një infrastrukturë moderne, jetike që ju të dilni në kohë dhe me koston më të ulët në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar, ne jemi përpjekur me një skeme granti dhe është i vetmi sektor ku ne japim para grant, domethënë financojmë falas. Nga viti 2007 e deri më sot, ne kemi financuar 42 mijë familje fermerësh në mbarë Shqipërinë. Kemi financuar rreth 1100 në rrethin e Lushnjes. Nga viti 2007 e deri më sot, ne kemi përfshirë në këto skema 26 sektorë të bujqësisë dhe blegtorisë. Ne këtë periudhë kemi vendosur një paketë të re ligjore, e cila heq çdo lloj tarife apo takse doganore, TVSH, për gjithçka ju duhet për prodhimin bujqësor, qofshin ato makineri, kimikate, medikamente për fermat blegtorale apo qofshin ushqime të caktuara për sektorë të blegtorisë. Ne kemi hequr çdo tatim që rëndonte më parë direkt apo indirekt mbi fermerin shqiptar. Qëllimi ynë është që ju të jeni sa më kompetitivë në tregun ndërkombëtar dhe tregun e vendit, por, nga ana tjetër, e lidhur direkt me ju, një nga zhvillimet më pozitive e më të rëndësishme ka qenë dhe qëndron në faktin se Shqipëri pret çdo vit, mbi 4 milionë turistë dhe vizitorë, gjë e cila ka pothuaj dyfishuar fuqinë blerëse dhe tregun për prodhimet tuaja të mrekullueshme. Mendoj se këto që kemi arritur janë inkurajuese, por unë ju garantoj se katër vitet që vijnë ne do të trefishojmë grantet për fermerët e Lushnjes, për fermerët e Shqipërisë”, shtoi Kryeministri.
Kryeministri Sali Berisha theksoi se ndërsa gjatë 4 viteve që vijnë do të trefishohen grantet për fermerët, me rritjen e subvencioneve të dhëna do të bëhet i mundur punësimi i 130 mijë qytetarëve. “Qëllimi ynë më kryesor është punësimi i qytetarëve shqiptarë dhe dua t’ju rrëfej këtu se investimi në bujqësi, subvencionimi i fermerëve është rruga më e shkurtër dhe më e sigurt  e punësimit të qytetarëve. Ne kemi subvencionuar 42 mijë familje. Por, nëse hedhim sytë përreth, ajo çka kemi bërë, nuk është më shumë se ¼ e asaj që fermerët kanë bërë vetë, me mundin, djersën e kursimet e tyre. Në qoftë se  supozojmë se ne kemi subvencionuar 10 hektarë ullinj, 40 të tjera i kanë mbjellë vete fermerët e Lushnjes, të Mallakastrës dhe të mbarë Shqipërisë.  Një gjë është e sigurt që bujqësia në këtë vend po merr gjithnjë e më shumë  një hov zhvillimi që kurrë nuk e ka pasur. Në katër vitet që shkuan, me subvencionet e qeverisë dhe investimet private janë  punësuar në bujqësi së paku 100 mijë punëtorë, krah pune, ne synojmë dhe kemi qëllim madhor që gjatë katër viteve që vijnë,  me subvencionet tona, në sektorin privat të punësohen së paku 130 mijë punonjës. Ne synojmë që në katër vitet që vijnë  jo vetëm të trefishojmë subvencionet. Ju garantoj se siç ndërtuam mbi 10 mijë kilometra rrugë, nga të cilat rreth 8 mijë i përkasin Shqipërisë rurale - dhe kemi prapë për të ndërtuar, - ashtu do të ndërtojmë  sistemim më modern të ujitjes që ekziston. Sot, në Lushnje janë mbi 111 hektarë që ujiten me pika. Ne do të bëjmë gjithçka që kjo sipërfaqe të dhjetëfishohet në katër vitet e ardhshme. Pra, projekti ynë është shumë konkret. Ne e konsiderojmë zhvillimin e bujqësisë një ndër faktorët më kryesorë për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar, për të punësuar shqiptarët”, u shpreh më tej Kryeministri, ndërsa vijoi një bashkëbisedim me fermerët e zonës.

Cilësia e Farërave

“Ju siguroj se çështja e farërave është dhe mbetet një çështje kryesore, për ne dhe do të bëjmë gjithçka për të forcuar gjithnjë e më shumë kontrollin mbi cilësinë e tyre, do të bëjmë gjithçka për të forcuar laboratorët e kontrollit të tyre, do të bëjmë gjithçka për një përgatitje më të mirë të kuadrove dhe specialistëve të fushave të ndryshme të bujqësisë, të farërave, të mbrojtjes së bimëve, të fidanëve dhe në tërësi”.

Kontratat me jashtë

“Lidhur me kontratat, do të bëjmë gjithçka t’ju ndihmojnë nëpërmjet promovimit të prodhimeve tuaja dhe ekspertëve, të cilët janë të profilizuar në çështjet e kontratave. Qeveria, Ministria e Bujqësisë do të marrë të gjitha masat të promovojë prodhimet tuaja”.

 
Për rrugët

“Rruga është një problem për ju dhe do të bëjmë gjithçka që në një hark kohor sa më të shkurtër të rregullohet. Këtu në Lushnje kemi ndërtuar 270 kilometra rrugë  kombëtare dhe jo kombëtare dhe kemi sërish rrugë për të ndërtuar. Ne do t’i finalizojmë ato dhe ju siguroj se do të jenë ndër investimet e para, ajo rrugë dhe rruga që ma kërkuan në Divjakë, nga Divjaka në Çermë”.

 
Tarifat doganore dhe taksat

“Ligjet e heqjes së të gjitha tarifave doganore dhe taksave, TVSH-së, mbi çdo lloj inputi, vegël, makineri që përdoret në bujqësi, blegtori, peshkim patën një vonesë, sepse donim të kapnim shkallën më maksimale, të mos mbetej asgjë pa u përfshirë në listën e veprimit të tyre. Tani janë në parlament, do të votohen këto 2-3 javë dhe do të hyjnë në fuqi. Ne do të bëjmë gjithçka për zbatimin e tyre sa më të shpejte dhe sa më të plotë”.

Lidhur me distributorin

“Lidhur me distributorin, është shumë e vërtetë se ju keni ecur më shpejt se disa mekanizma të tregut. Prodhimi është rritur dhe prodhimi kërkon distributorin. Ne do ta konsiderojmë shumë seriozisht me Ministrinë e Bujqësisë, nëpërmjet kreditimit, sepse si qeveri, më së shumti preferojmë të kreditojmë privatin dhe ta bazojmë në iniciativën e privatit këtë”.

Regjistri dixhital i tokës

“Ne po bëjmë regjistrin dixhital të tokës. Siç bëmë regjistrin dixhital të qytetarëve, do të bëjmë edhe regjistrin dixhital të tokës, i cili përfundon brenda vitit 2013. Kemi ecur shumë në këtë drejtim. Ky është regjistri i dytë më i rëndësishëm i këtij shteti dhe një Task-force, e kryesuar nga Kryeministri, e ndjek në mënyrë  të pandërprerë këtë proces. Kjo do të jetë një arritje  e madhe për vendin”.

Bazimi te prodhimi

“Dua t’ju them miqësisht se për ne, masa e fundit që kemi marrë për heqjen e çdo lloj takse mbi makineritë dhe mbi çdo gjë tjetër për bujqësinë, edhe TVSH-në për ato që do të blini brenda për prodhimin, ka një kosto jo më pak se 60 milionë euro. Akciza e naftës, që mund t’ju shpërndanim juve, e ka shumë herë më të pakët vlerën. Por, skema e bazuar mbi prodhimin është skema pa korrupsion, është skema më e afërt me të vërteten”.

Rivlerësimi i pasurisë

“Kam shumë kërkesa nga qytetarët, për të rivendosur përsëri mundësinë e rivlerësimit dhe ju garantoj se do ta rivendosim. Kemi qindra e mijëra emigrantë, të cilët edhe ata kërkojnë të njëjtën gjë, kërkojnë mundësinë e rivlerësimit të pronave dhe banesave që kanë në Shqipëri. Ne do ta shohim me shumë përparësi dhe unë jam plotësisht në favor të kësaj”.

Vaditja, projekt madhor

“Vaditja është një nga projektet më madhore të këtij vendi dhe duhet jemi të përgatitur për një investim shumë të madh për vaditjen, në shkallë kombëtare. Koncepti im është që, siç bëmë rrugët, duhet t’i kthehemi vaditjes. Nuk kemi bërë dot atë që duhet, vetëm për fondet, sepse kemi përparësuar rrugët”.

Energjia elektrike

Në Lushnjë ka një progres real në mbarështimin e lopëve të racës dhe prodhimin e produkteve blegtorale. Ajo që kërkoni ju është shumë logjike, shumë e drejtë dhe unë ju siguroj se menjëherë do t’i kërkoj drejtorit të CEZ-it të konsiderojmë me përparësi të madhe ngritjen e linjës së tensionit, në trajektoren që ju thoni. Kërkesa është shumë e drejtë dhe ne do ta bëjmë atë.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›