Tirana, me memorialin “Post-Bllok”

Berisha: “Memoriali, kujtesë e vuajtjes dhe martirizimit të shqiptarëve nën diktaturën totalitare”
Përurohet instalacioni i artistëve, Fatos Lubonja e Ardian Isufi, për ndërtimin e të cilit janë përdorur shtylla galerie nga Burgu i Spaçit, si dhe një copë nga Muri i Berlinit
Basha: “Tre objektet e memorialit përfaqësojnë terrorin, paranojën dhe izolimin, si instrumente të diktaturës”
Topalli: Spaçi është “Aushvici” shqiptar
Tirana do të ketë që tashme një memorial i cili simbolizon izolimin komunist, të titulluar “Postbllok”. Memoriali përbëhet nga tre objekte autentikë: bunkeri i instaluar pikërisht në këtë vend, në hyrje të Bllokut qysh në kohën e diktaturës, shtyllat e galerisë, të marra nga miniera e kampit famëkeq të persekucionit, i cilësuar edhe si “Aushvici” i shqiptarëve, ai i Spaçit dhe një copë nga muri i Berlinit, dhuratë që i është bërë Bashkisë së Tiranës nga Bashkia e Berlinit.
Ky memorial, i ideuar nga ana artistike nga Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi vjen si homazh për të gjithë ata që vuajtën izolimin dhe persekutimin komunist por edhe si kujtesë për të shkuarën tonë jo të largët.
Në ceremoninë e inaugurimit të këtij memoriali të iniciuar nga Bashkia e Tiranës ishin të pranishëm Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ambasadorja e Republikës Federale Gjermane, Carola Müller-Holtkemper, drejtuesja e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës, dr. Anna Kaminsky, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të shoqatave të përndjekurve politikë të regjimit komunist, deputetë, përfaqësues të Këshillit Bashkiak të Tiranës etj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka nisur fjalën e tij, duke kërkuar ndjesë që për shumë vite në Tiranë ka munguar qoftë dhe një shenjë përkujtimi apo refleksioni për këtë periudhë të errët të kryeqytetit më famëkeq të Evropës komuniste. “Funksioni i këtij memoriali, për mua si Kryetar i Bashkisë së Tiranës është i dyfishtë. Së pari, në një kohë që lëviz kaq shpejt, veçanërisht për brezin e ri, aq sa e kemi të lehtë të harrojmë dhe ta marrim të mirëqenë edhe lëvizjen e lirë pa viza në Evropë, është e rëndësishme të kujtojmë një moment kur nuk lëviznim dot të lirë as brenda qytetit të Tiranës. Së dyti, duke kujtuar dhe mos harruar këtë pjesë të rëndësishme, ndonëse tepër të errët të historisë sonë, ne jemi të qartë për të sotmen e të ardhmen tonë. Është e domosdoshme kjo veçanërisht për brezin e ri, qindra e mijëra prej të cilëve këtu në Tiranë e kalojnë periudhën e tyre të lirë të ditës apo fundjavat, në këtë zonë të njohur si Blloku, por pa ditur saktësisht se çfarë simbolizonte dhe çfarë projektonte në zemrat dhe mendjen kolektive të shqiptarëve për vite e vite me radhë”, u shpreh Basha.
Për Fatos Lubonjën, bashkautor i këtij memoriali, ky është një dedikim për të gjithë ata që nuk e kapërcyen dot kohën në diktaturë. “E vetmja gjë që unë mund të them këtu në këtë moment është një lloj dedikimi nga ana ime, për të gjithë ata që nuk arritëm dot, që sot i kujtojmë, që do i kujtojmë nëpërmjet këtyre e shpresojmë edhe veprave të tjera. Do i kujtojnë si njerëz që nuk mundën dot ta kapërcejnë kohën e diktaturës dhe ta jetojnë këtë kohë. Një pjesë prej tyre ndoshta ishin më të mirët. Unë për vete, ia dedikoj atyre këtë punë”, u shpreh Lubonja.
Inaugurimi i këtij memoriali ishte një moment tejet emocionues për Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Objekti i tretë i tij, galeria e Spaçit është një kujtim i hidhur për zonjën Topalli. “Për mua personalisht, elementi i tretë është ai më prekësi, më i dhimbshmi se ndoshta e kam pak edhe më personale. Spaçi është “Aushvici” shqiptar, është vendi i vuajtjeve dhe barbarive të papërshkrueshme, është emri që e kam dëgjuar që në vogëli, se familjarët e mi, ashtu si qytetarët e qytetit tim, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë nga të gjithë qytetet e Shqipërisë torturoheshin në mënyrën më barbare”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Ambasadorja e Republikës Federale Gjermane, Holtkemper e konsideroi si shumë të rëndësishme përballjen me të shkuarën, në mënyrë që të mos përsëritet më në të ardhmen. “Është pjesë e karakterit të njeriut, që gjërat e zakonshme apo të shëmtuara të përpiqet t’i ndrydhë apo edhe t’i harrojë, ndaj në kontekstin e të shkuarës komuniste e socialiste bëhet edhe më i rëndësishëm trajtimi i ngjarjeve të së shkuarës. Procesi i menaxhimit të së kaluarës është gjithmonë një proces i mundimshëm, shpesh i vështirë e që ndesh në pengesa të shumta. E pikërisht edhe për këtë arsye, është kënaqësi të shohësh se si gjermanët dhe shqiptarët kërkojnë dialogun, kërkojnë të shkëmbejnë përvojat për tu përballur me të shkuarën në mënyrë aktive e për të mos lejuar që padrejtësitë e saj një ditë të përsëritën”, u shpreh ambasadorja Holtkemper.