E Shtunë, 31 Tetor 2026

4 vjet nga tragjedia e Gërdecit, homazhe në nderim të viktimave

Sot mbushen 4 vjet nga tragjedia e Gërdecit, ku si pasojë e shpërthimit të fabrikës së demontimit të armëve humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 persona. Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë zhvilluar homazhe në kraterin e shpërthimit dhe kanë vendosur lule në memorialin përkujtimor të 26 viktimave të kësaj tragjedie. Gjithashtu në homazhe, kanë marrë pjesë edhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe përfaqësues të opozitës.
 

Tre ditë para 4 vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, Gjykata e Tiranës i ka dhënë fund maratonës së gjatë të procesit për 29 të akuzuarit për këtë ngjarje të rëndë. 20 prej tyre kanë marrë një dënim total prej 98 vitesh burg, afërisht një shekull. Ndërsa 9 të tjerë kanë hequr përfundimisht akuzat nga shpatullat duke u deklaruar të pafajshëm.
Dënimin më të lartë e morën ish-drejtori i Meiko Ylli Pinari dhe administrator i fabrikës së demontimit Dritan Minxholli. Ndërsa Mihal Delijorgji u dënua me 10 vjet heqje lire dhe ish-shefi i shtabit të Ushtrisë Luan Hoxha 6 vjet.

Pas vendimit, familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit reaguan ashpër duke e konsideruar vendimin si dhimbje të njëjtë me atë të vetë ngjarjes. Sipas tyre me këtë vendim drejtësia nuk ishte vetëm e vonuar por në njëjtën kohë dhe e dështuar.
Tragjedia e Gërdecit u regjistrua paraditen e 15 marsit 2008 ku humbën jetën 26 persona dhe rreth 300 të tjerë u plagosën si pasojë e shpërthimit në depon e demontimit të municioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›