E Diel, 1 Nëntor 2026

400 punëtorë arsimor u mungojnë shkollave të Prizrenit

Arsimit prizrenas i mungojnë punëtorët në masë të madhe. Norma mësimore në Drejtorinë e arsimit është 2.339, kurse, sipas formulës së financimit të aprovuar nga Ministria e Financave dhe ajo e Arsimit duhet të jenë 2884, çka do të thotë se janë rreth 400 punonjës më pak. E mungesa e stafit mësimdhënës ka bërë që numri i nxënësve nëpër klasë të rritet gjë që po ndikon negativisht në rrjedhën e mësimit, thonë autoritetet komunale të arsimit.

Shkollave të komunës së Prizrenit po u mungojnë rreth 400 punëtorë arsimorë, përfshirë këtu edhe psikologun, pedagogun dhe rojat e natës. Mungesa e mësimdhënësve, por edhe e punëtorëve tjerë ndihmës për vite të tëra ka filluar të reflektohet bukur shumë nëpër këto vatra të dijës.

Drejtori komunal i Arsimit Nexhat Çoçaj, i deklaroi Radio Kosovës, se reduktimi i punëtorëve arsimor po paraqet probleme edhe në mësimnxënje.

“Norma mësimore në Drejtorinë e Arsimit është 2.339, kurse, sipas formulës së financimit të aprovuar nga MEF, dhe MASHT duhet të jetë 2.884, çka do të thotë se rreth 400 mësimdhënës janë me pakë sesa që punojnë, përfshirë këtu edhe punëtoret ndihmës, psikologun, pedagogun, rojen e natës etj, por edhe infrastrukturës” tha Çoçaj .

Mungesa e mësimdhënësve në shkollat fillore dhe të mesme ka bërë që numri i nxënësve në një klasë të jetë 47-të, tha për Radio Kosovën Nexhat Çoçaj duke shprehur shqetësimin për këtë fenomen.

I pari i arsimit prizrenas bëri të ditur se kërkesat për këtë çështje në instancat më të larta shtetërore kanë qenë të vazhdueshme, mirëpo deri më tash, siç tha, nuk është marrë ndonjë përgjigje çfarëdo qoftë ajo.
Nexhat Çoçaj tha se dhurata më e mirë për këtë vit do të ishte nëse Qeveria e Kosovës do të jepte një sinjal për zbatimin e formulës së financimit, pengesë e së cilës, sipas tij, është Fondi Monetarë Ndërkombëtarë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›