E Shtunë, 31 Tetor 2026

43 vjet ne celuloid rrefehet gruaja e pare e Kinostudios

Tashmë është 74 vjece, por kur kthehet në kujtimet e saj kuptojmë se është një grua krenare për gjithëcka ka pasur e ka bërë në jetë. Është regjisorja e parë shqiptare Marianthi Xhako e cila me shumë bujari pranoi të flas sot më tetë mars për të gjitha gratë shqiptare, ato që ishin dje, e ato që janë sot.

"Kam xhiruar shumë gra të kohës, gra të thjeshta, të punës, që nga mjelëset, kryetare kooprative, mësuese fshati, në ato fshatrat e largëta të malësisë", rrëfen regjisorja Marianthi Xhako.

Është e lumtur që ka sjellë gjithë Shqipëirnë në artin e dokumentarëve edhe pse, mes direktivave e censurës së kohës. "Nuk flas për kushtet teknike, makineritë e vjetra të rënda, që nuk xhironim dot një sinkron, po ne gratë regjisore mundoheshim ta bënim më njerëzore filmin dokumentar, sepse ai ishte i tejskashëm i politizuar. Shpesh ishte skematik, ne mundoheshim si femra, që personazhet tona të futeshin në botën e tyre të brendshme. Nganjëherë dhe e zbukuronim realitetin pa dashje, vuajtjet i tregonim, mundin djersën e tregonim, po sidoqoftë donim që gratë tona të ishin të bukura, dhe ato ishin të bukura në sajë të punës së tyre", thotë ajo.

Kur rrëmon mes kujtimeve tregon se privilegji i punës në Kinostudio, nuk ka qënë aspak e lehtë për të, e për gjashtë, apo shtatë femra kolege të saj. "Kam punuar 40 ditë në minierën e Kurbneshit, në mes të minatorëve dhe atyre u bënte përshtypje, një grua që komandonte 5-6 burra, apo një brigadë të tërë. E kisha shumë të vështirë të shkëputesha një kohë të gjatë nga shtëpia sepse isha nënë, e duhet të miresha më shumë me fëmijët e mi", vijon rrëfimin.

Regjisorja që u  dashurua me dokumentarin dhe kamerën, sot shikon me keqardhje sfidat e shumë femrave për tu bërë pjesë e kinematografisë shqiptare. "Filmi artistik ka ecur e po bën filma me vlerë, po nuk po shoh një femër regjisore. Vendin e Xhanfizesë nuk po e zë asnjë kineaste, kështu që u bëj thirrje artisteve të reja ta duan filmin dhe të sakrifikojnë", thotë regjisorja Xhako.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›