E Shtunë, 31 Tetor 2026

44 miliarde leke per punet publike ne 2011

Ndërtimi i rrugëve dhe projekte të tjera në infrastrukturë do të përfitojnë pjesën më të madhe të investimeve nga buxheti i shtetit për vitin 2011. Projekt buxhetit i miratuara muajin e shkuar përcakton që rrugët, strehimi, sistemet e ujësjellësave dhe punët e tjera publike të marrin nga buxheti i shtetit rreth 44 miliarde lekë. Në total shpenzimet për vitin që sapo nisi janë 409 miliardë lekë, që do të shkojnë për zëra të ndryshëm.

Përsa i përket investimeve të ndara sipas ministrive, ajo e Punëve Publike do të marrë pjesën më të madhe. Kështu, në buxhet përcaktohet që me rreth 44 miliardë lekë të ndërtohen dhe rehabilitohen 92 kilometra rrugë të rrjetit kombëtar. Më këtë shumë gjithashtu do të mundësohet mirëmbajtja e rrjetit rrugor dhe rritja e cilësisë së shërbimit për furnizimin me ujë në zonat urbane në 91% të totalit të popullsisë dhe për zonat rurale në 71% të totalit të popullsisë.

Buxheti i shtetit për 2011 ka parashikuar gjithashtu dhe dhënien e 40.4 miliarde lekëve për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, 3.8 miliardë lekëve për ministrinë e Shëndetësisë dhe 6.8 miliarde lekë për Ministrinë e Bujqësisë. Përsa i përket rrugëve, një pjesë e financimit nga ministria e Punëve Publike do të kalojë për ndërtimin e aksit të ri rrugor Tiranë - Elbasan. Këtë vit pritet që të nisë puna për këtë projekt disa vjeçar.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›