45 vjet Institut
Instituti i Monumenteve ka festuar dje 45-vjetorin e themelimit. Do të ishte dashur një ceremoni më serioze për institucionin më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore në vend. Në fakt, ka qenë vetëm një takim më se normal mes disa specialistëve, pak fjalime të mbajtura dhe një ekspozitë shumë modeste. Instituti i Monumenteve të Kulturës, i pagëzuar me emrin “Gani Strazimiri”, ish-themeluesi i këtij institucioni, ka nisur punën në vitin 1965. Strazimiri, arkitekti që kishte lënë përgjysmë studimet në Itali për t’iu bashkuar luftës, afroi atë kohë disa specialistë, një pjesë e të cilëve vazhdojnë ende të kontribuojnë në fushën e trashëgimisë. Drejtori aktual, Apollon Baçe, në fjalën e tij ia atribuoi meritat për 45 vitet e jetës së këtij instituti, themeluesit Gani Strazimiri, e po kështu bënë akademiku Emin Riza dhe profesor Neritan Ceka, i ftuar të jetë i pranishëm në këtë ceremoni. Pasi foli për ulje-ngritjet ndër vite të IMK-së, veçanërisht për problemet e pas ’90-s, Apollon Baçe është ndalur te projekt-reforma që është duke u përgatitur për sistemin e trashëgimisë. “Kjo reformë nuk ka filluar as nga unë as nga zoti Ceka, por ka qenë një sensibilizim i qeverisë”, ka thënë Baçe. Në fakt, reforma dhe statusi i ri që do të marrë Instituti i Monumenteve të Kulturës (parashikuar të quhet Instituti i Trashëgimisë) ka marrë edhe pjesën kryesore të diskutimit në këtë takim-përvjetor, shumë pak i ngjashëm me një të tillë. E diskutuar mjaft me dyer të mbyllura mes aktorëve të trashëgimisë, hasur edhe në kundërshtime të disa syresh, Neritan Ceka, në pozicionin e kryetarit të grupit të punës ngritur për këtë qëllim ka theksuar edhe njëherë përmbledhtazi të mirat e kësaj reforme nëse do të implementohej. Më parë, duke u shprehur se ndihej pjesë e kësaj familjeje, Ceka ka thënë se 45 vjet duken një çudi për këtë institucion, por të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij i ka udhëhequr entuziazmi. “Entuziazmi është kushti kryesor i atyre që duan të merren me monumentet. Këto ditë të shirave unë kam qenë në një xhiro nëpër monumente, kam parë rreth 20 kisha bizantine me çati të hapur që u pikonte shiu, ndërkohë që ne kemi 293 punonjës dhe shpenzojmë 9 milionë euro. Situata në monumentet e kulturës është tragjike. Sot jemi më larg se pika e fillimit”, ka qenë deklarata e Cekës para se të hynte në temë për reformën. Më tej Ceka ka folur për një ligj që është gati të kalojë në Parlament, i cili i jep Institutit të Monumenteve vend qendror dhe e kthen në një institucion të centralizuar shkencor. “Ky projektligj përfshin pushtetin vendor, i cili deri më tani ka qenë indiferent ndaj përkujdesjes së monumenteve dhe zhvillimit të tyre. Ndërkohë që do synohet në ngritjen e shkollave të përhershme të restaurimit dhe formimin e specialistëve. Përmes kësaj reforme ne po bëjmë atë që kemi shpresuar të bëhej prej disa vitesh. Pak muaj pas zbatimit të kësaj reforme do të shihet që gjithçka do të ndryshojë”, ka theksuar Ceka, duke iu kundërvënë edhe zërave të disa specialistëve që nuk kanë qenë dakord me disa pika të kësaj reforme. Në fakt, takimi për një përvjetor të tillë nëse do të ishte marrë më seriozisht, ndoshta do të kishte qenë rasti më i mirë për të diskutuar mbi të ardhmen e këtij institucioni të trashëgimisë. Në fakt, në këtë takim është vënë re mungesa e zërave “opozitarë” të kësaj reforme si ish-drejtori i mëparshëm, Lorenc Bejko. Specialisti Emin Riza përkrahu idenë e Cekës për një reformë centralizuese të IMK-së, duke e cilësuar si të vetmen garanci për një përkujdesje të vazhdueshme për monumentet. Ndërsa duke i cilësuar specialistët e rinj, ndoshta edhe të një niveli më të lartë se ai i brezit të tij, për shkak edhe të zhvillimeve që ofron koha, Riza ka dhënë disa porosi për të rinjtë: nëse vendosni t’u kushtoheni monumenteve, duhet të merrni parasysh se do t’u kushtoni jetën. Kjo nuk është një punë që bëhet për 3-4 vjet e pastaj viheni në kërkim të një pune me rrogë më të lartë”. Të gjithë specialistët janë të mendimit se këto 20 vitet e fundit, për shkak të ndryshimit të sistemit, Instituti i Monumenteve nuk është në ditët më të mira. Përkujdesja e monumenteve nuk është as më e mirë se para ’90-s, por diskutimet shkojnë deri në fraza të tilla si: “ka mjaft gjëra që duhet të rregullohen”. Përveç panelit të ftuar nuk e ka marrë fjalën asnjë nga specialistët e tjerë, as ata që kanë qenë më parë në krye të këtij institucioni. Instituti i Monumenteve të Kulturës është themeluar në vitin 1965 nga arkitekti Gani Strazimiri, i cili përveç guximit për të realizuar disa vepra arkitekturore me gjithë kufizimet e asaj kohe, ishte i pari që shfaqi interesin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ai cilësohet si iniciatori dhe udhëheqësi i punës komplekse për: identifikimin, dokumentimin, mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve në Shqipëri, si dhe krijuesi dhe realizuesi i sistemit organizativ për mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve të kulturës. Në ndikimin e veprimtarisë së tij, Shqipëria ishte ndër të parat vende në Europë që vuri në mbrojtje dy qendra të rëndësishme historike, atë të Gjirokastrës dhe Beratit, sot pasuri e UNESCO-s.
#