Doktor profesorët rrezikojnë postin në shërbimet shëndetësore
Shefat e shërbimeve në spitalet universitare do të zgjidhen me konkurs të hapur. Sigurisht faktor në këtë proces do të jetë edhe drejtuesi i qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Ndryshimi i modaliteteve për zgjedhjen e shefave të shërbimit është diskutuar fillimisht nga grupi i punës që po kujdeset për formulimin e ndryshimeve për projektligjin “Disa amendime në ligjin e arsimit të lartë”. Po ashtu, Fakulteti i Mjekësisë, profesorati që aktualisht jep mësim në departamentet e tij, është në dijeni të draftit të përgatitur, pavarësisht se janë shprehur që ky është thjesht një draft dhe ende nuk e ka marrë formën e ligjit, dhe nuk është miratuar përfundimisht.
Pavarësisht kësaj, pak kohë më parë në konferencën e rektorëve, atëherë kur u bë edhe një paraqitje e shkurtër e pjesëve të draftit për ndryshime në ligjin aktual të arsimit të lartë është sqaruar nga kreu i arsimit se shefat e shërbimeve në institucionet shëndetësore arsimore do të përzgjidhen me konkurs të hapur.
Zgjedhja e shefave të shërbimitPër institucionet universitare të arsimit të lartë, shefat e shërbimit do të zgjidhen me konkurs të hapur. Lajmi është konfirmuar nga vetë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Në konferencën e rektorëve ai ka sqaruar se konkursi do të jetë i hapur, përpos kritereve të tjera. Komisioni i cili do të bëjë vlerësimet, do të paracaktohet, ndërkohë që faktor në zgjedhje dhe përzgjedhje sigurisht që do të jetë edhe drejtori i qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”.
Parashikimi, në draft dhe kritere“Në fakultetet e mjekësisë të institucioneve publike të arsimit të lartë që kanë spitale universitare, përgjegjës i shërbimit është titullari i shërbimit. Ai duhet të jetë figurë e spikatur në fushën e shërbimit dhe të ketë së paku titullin akademik ‘profesor i asociuar’, ose gradën shkencore ‘doktor’, të fituar në një universitet të njohur jashtë vendit”, thuhet në projektligjin për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë.
Po ashtu, në projektligj sqarohet se “përgjegjësi i shërbimit përzgjidhet me konkurrim të hapur. Kriteret e tjera të kualifikimit dhe modalitetet e organizimit të konkursit përcaktohen në statusin e IAL-së, ose në rregulloren e njëjësisë kryesore të tij”. Ndërkaq, autoriteti drejtues i njëjësisë kryesore i propozon drejtorit të spitalit universitar dy kandidatura, të klasifikuara nga konkursi i hapur, në vendin e parë dhe të dytë. Mandati i përgjegjësit të shërbimit zgjat 4 vjet. “Në fakultetet e mjekësisë të institucioneve publike të arsimit të lartë, që kanë spitale universitare, lëndët/disiplinat klinike organizohen në shërbime. Shërbimi është njësi bazë e fakultetit dhe bën pjesë në strukturën e spitaleve universitare. Ai realizon funksione mësimore e kërkimore, si pjesë e fakultetit, si dhe funksione diagnostike e trajtuese themelore në nivel të lartë shkencor, si pjesë e spitalit universitar”, thuhet në projektvendimin “Për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë”, i cili pritet të miratohet brenda pak kohësh.
Shërbimi duhet të ketë në përbërje të tij të paktën shtatë anëtarë efektivë, si personel akademik, ndër të cilët të pakën tre duhet të jenë me grada e tituj.
#