Itali, grevë e përgjithshme kundër qeverisë
Punëtorët italianë u janë bashkuar punëtorëve të tjerë në të gjithë kontinentin europian për të kundërshtuar masat e shkurtimit të shpenzimeve buxhetore që po ndërmerren në një pjesë të madhe të vendeve të BE-së. Këto masa kanë prerë dukshëm edhe shpenzimet e sistemit të ndihmës sociale. Dje, sindikata më e madhe e vendit ka organizuar një grevë të përgjithshme në shenjë proteste. Sindikata CGIL e thirri grevën, pasi Kryeministri i vendit, Berluskoni, aprovoi në Parlament masat e shkurtimeve të shpenzimeve të buxhetit. Ato përfshijnë ndër të tjera edhe ngrirjen e pagave të sektorit publik, si dhe shkurtimin e fondeve për qeverisjen lokale. Në qytetet më të mëdha italiane janë organizuar greva dhe protesta edhe pse ndërkohë greva nuk është mbështetur nga dy sindikata të tjera të mëdha në vend CISL dhe UIL. Punonjësit e sektorit shtetëror dhe privat të transportit kanë organizuar një grevë që ka zgjatur me orë të tëra duke krijuar probleme në lëvizjen në vend. Italia si dhe shumë vende të tjera në Europë po përpiqet që të pakësojë deficitin buxhetor, ndërkohë që po përjeton ritme shumë të ulëta të rritjes ekonomike. Masa e shkurtimeve të shpenzimeve buxhetore që u aprovua nga Parlamenti një muaj më parë kishte një vlerë prej 24 milionë eurosh dhe përfshinte vitet 2011 dhe 2012. Kjo protestë ka pasuar ato në Greqi dhe në Francë gjatë kësaj jave që kanë qenë të përqendruara kundër shkurtimeve të pensioneve. Vendet e Eurozonës kanë nxituar të aprovojnë masat e reduktimit të shpenzimeve për të rivendosur besimin në monedhën e përbashkët dje të ndalin “infektimin” nga kriza greke.
Ndërkohë, në Rumani, një gjykatë ka vendosur se disa nga masat e shtrëngimit të shpenzimeve të propozuara nga qeveria për t’u miratuar në Parlament janë jokushtetuese. Ky vendim ka shumë të ngjarë që të vonojë edhe kredinë kyçe që vendi pret nga FMN. Vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese që në fakt nuk mund të apelohet ka ardhur pasi dhjetëra rumunë kanë tentuar që të sulmojnë pallatin presidencial në shenjë proteste ndaj masave duke kërkuar edhe një takim me Presidentin e vendit, Basesku. Ndërkaq Kryeministri i vendit, Emil Boc, deklaroi se do të prezantonte masa që të reduktonin shpenzimet në mënyrë që vendi të kualifikohej për kredinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar.