E Diel, 1 Nëntor 2026

46 vjet burg për njeriun që u kthye në liri në moshën 75-vjeçare

Autori i Lajmit: Red.
Lindi në Prizren më 1916. Kur Lazër Radi ishte ende fëmijë, familja e tij ikën prej Kosovës (e dëbuar nga serbët) dhe vendoset në Shkodër. Këtu, Lazër Radi, kryen shkollën e mesme dhe më pas vazhdon studimet e larta në Romë, ku dhe u diplomua në drejtësi. Në Romë fillon të botojë shkrimet e tij të para, si në gazetat italiane ashtu dhe në ato shqiptare. Viti 1944 e gjen Lazerin përsëri në Shqipëri. Ende pa përfunduar lufta, e arrestojnë. Dorëshkrimet i sekuestrohen dhe çka pati botuar deri atëherë, censurohet. Qysh prej kësaj kohe, e gjithë jeta do t i kalojë burgjeve dhe internimeve. Lirohet përfundimisht në vitin 1991, pas 46 vjetësh kalvar, në moshë të thyer 75- vjeçare. Megjithë peshën e vuajtjeve dhe të moshës nis të shkruajë përsëri, boton disa libra monografikë me kujtime, poezi, si dhe përkthime të ndryshme. Pjesën e fundit të jetës, deri sa mbylli sytë përgjithmonë, Lazer Radi, ia kushtoi kësaj krijimtarie. Kemi zgjedhur një përshkrim që ai i bën intelektualit të njohur Mirash Ivanaj, shkëputur nga libri “Misteret e një misteri”, në të cilin ndërthurren kujtimet e tij me rrëfime të burgosurish të tjerë.
Vitet e fundit të Mirash Ivanajt
Fragment nga libri “MISTERET E NJË MINISTRI”
Ditët e fillimit në burg : Tregon Ibrahim Hasnai
Në ditët e fundit të dhjetorit të vitit 1947, pasi u izoluam për dhjetë muaj nën rrebeshin e torturave çnjerëzore të hetuesisë nga sigurimi komunist, na nxorën në gjyqin e lartë ushtarak. Ishim një grup të burgosurish prej tetëmbëdhjetë të pandehurish. Fletakuza që na u dha ishte e njëjtë për të gjithë: “Kanë tentuar të krijojnë Komitete dhe nënkomitete për rikrijimin e Ballit Kombëtar”.
Në këtë gjyq u dënuan me vdekje njimbëdhjetë vetë nga të cilët u pushkatuan shtatë, kurse katër të tjerët pas pak ditësh në burgim të përjetshëm. Fatkeqët që patën rrezikun të pushkatohen ndër ditët e para të janarit 1948 (7-8 janar) ishin: Islam Radovicka, Ilmi Hysi, Uan Filipi, Riza Dani, Syrja Selfo, Hasan Reçi dhe Faik Shehu (Ky gjyq, në historikun e dhimbshëm të gjyqeve fallco, që kurdisi sigurimi komunist, është quajtur “Gjyqi i të dënuarve politikë me në krye Islam Radovickën”).
Kur isha i izoluar m u dha fati i dhimbshëm që të dergjem për afro tre muaj në një qeli të paharrueshme me shokun tim të rinisë, intelektualin tiranas, Xhemal Farkën, i cili më kishte folur shumë rreth figurës së madhe të Mirash Ivanajt, bile, më kishte treguar me hollësi për takimin e fundit që kishte pasë tek “Muri i Vajtimit” në Jeruzalem. Megjithëse unë kisha një farë dijenije mbi këtë figurë të madhe të shoqërisë shqiptare, por Xhemali, me tregimet e tij më bëri të dëgjoj me një dashuri dhe vlerësim të pakufi për kollosin Mirash Ivanaj...

Ky lajm është publikuar: 26/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›