E Diel, 1 Nëntor 2026

Stërmundimi i mendjes për të ruajtur arsyen në burg

Autori i Lajmit: Red.
Lindi në Tiranë më 14 shkurt 1934. Mbasi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin e Tiranës fillon studimet juridike. Në vitin 1956, arrestohet dhe dënohet me 15 vjet heqje lirie për tentativë arratisje. U lirua në vitin 1964, por kalvari i vuajtjeve të Leka Totos, që është njëkohësisht dhe djali i publicistit të njohur Ismet Toto, nuk do të mbarojë këtu: ai punon si puntor krahu fillimisht në bujqësi dhe më pas si hekurthyes gjithmonë nën presionin e të qënit njeri i “deklasuar”. Bashkohet me lëvizjen demokratike në fillim të viteve 90 dhe, në vitin 1992, zgjidhet deputet për zonën Delvinë-Sarandë. U nda nga jeta më 2001, pas një sëmundje të papritur. Duke pasur një bagazh të gjërë kulturor veprimtaria e tij lëvron zhanret e prozës, publicistikës, dramës dhe përkthimit. Ka botuar shumë vepra ndër të cilat mund të përmëndim: “Vetkryqëzimi”, “Shën e Premtja” dhe “Po lexoj veten”.
Fragment nga libri “PO LEXOJ VETEN”
Disa muaj pas revolucionit hungarez të vitit 56 më arrestuan, në emër të popullit, në ndërmarrjen ku punoja. Erërat e ngrohta që vinin nga Rusia nuk mundën të shkrijnë sadopak akujt e fortë të diktaturës enveriane, në të kundërt, ngritën një acar të egër që u shëmbëllente viteve të para pas çlirimit.
Errësira e një mbrëmjeje të zakonshme më gjeti në nënshkallën e Degës së Brendshme, te "Selvia" hijerëndë. Një birucë e ngushtë dhe e pjerrët, ku mund të ecje vetëm i përkulur. Në ballë të saj ndodhej një dritare e vogël e rrumbullakët, dy pëllëmbë mbi dyshemenë prej çimentoje, që shikonte në trotuarin e godinës. I hutuar, u ula pranë saj dhe, nëpërmjet hekurave të kryqëzuara, vështroja krejt pa vëmendje këmbët e policëve, çizmet e oficerëve dhe rrallë pulpat e ndonjë sekretareje, që venin e vinin me nxitim. Nuk e di sa kohë ndenja ashtu i tulatur, me kokë të zbrazët nga çdo mendim, brenda së cilës jehonin vetëm trokëllimat e këmbëve pas dritares, si një ritëm i vazhduar pa vijë melodike.
Mendja krejt pavullnetshëm nisi të çmpihet me dhimbje, ashtu si çlirohet nga mizat një gjymtyrë e mpirë. Frika e pavetëdijshme e ngriu trurin dhe vetë ajo nisi ta shkrijë, duke e vënë në shërbim të arsyes. Të krijohet përshtypja sikur ajo është burimi i çdo aktiviteti njerëzor. E vrava mendjen në gjithë drejtimet e mundshme pse ndodhesha aty dhe merrja një përgjigje të vetme: do të kem thënë ndonjë fjalë që u ka dogëndisur. Komunistët, megjithëse janë ateistë e materialistë dogmatikë, e pranojnë mbyturazi rëndësinë themelore të Logosit në gjenezën e gjithçkaje, njëlloj si profetët biblikë. E mbikëqyrin atë me shumë kujdes dhe kur u vjen ndesh zhdukin së pari atë që e shqipton, mbasi e kanë të qartë se fjala nuk mund të vritet. Këtë unë e dija mirë, megjithatë, në një rreth të ngushtë shokësh, isha i vetëdijshëm që kisha shprehur pakënaqësi sipas rastit. Çuditërisht nuk munda të kujtoj asgjë të përcaktuar. Të tëra treteshin në një mjegull prej së cilës dalloja vetëm ngjyrën gri në të zezë. Duke pranuar faktin se kisha folur, e vetmja rrugë logjike qe të merrja në analizë personat me të cilët pata shkëmbyer mendime. Persekutimi i ashpër që diktatura kishte ushtruar mbi familjen tonë, pushkatimi i xhaxhait me Grupin e Deputetëve, sulmi i egër që diktatori në shkrimet e raportet e tij u bënte prindërve të mi si antikomunistë më kishin shndërruar në një djalë të matur në moshe te re. Për rrjedhojë dy - tre shokë përbënin rrethin tim shoqëror. Nisa t i shqyrtoj një nga një, mundohesha të sillja ndër mend ndonjë dobësi të karakterit të tyre ndër vite. Një përpjekje e kotë, çdo dyshim i lindur tretej menjëherë. Ata mund të më kishin sjellë shumë më parë aty ku ndodhesha. Koka filloi të më dhimbte dhe një ndjenjë turpi më pushtoi. Duke mërmëritur më vete, u kërkova për ndjesë për dyshimin tim. I drobitur u shtriva mbi dysheme dhe me dorën në faqe më zuri një gjumë
Ky lajm është publikuar: 26/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›