E Diel, 1 Nëntor 2026

Abazaj: Shkatërrimi i sistemit shëndetësor, po minon besimin mjek-pacient

Flet për “TemA”-n, dr. Din Abazaj, president i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekut

Duke patur parasysh ngjarjet e fundit, ku bluzat e bardha janë vënë nën akuzë për pakujdesi në punë, si i ka ndjekur Urdhri i Mjekut të tilla raste?

Së pari, dua të them se bluzat e bardha janë në akuzë jo vetëm kohët e fundit dhe për ngjarjet e fundit. Ato janë në shënjestër të akuzave dhe kritikave vend e pa vend në mënyrë të vazhdueshme prej shumë kohësh. Sa u përket ngjarjeve të fundit, në ndryshim nga ç’ndodh rëndom, ku akuzat godasin në tërësi shërbimet dhe bluzat e bardha pa dallim, duke i futur në një thes të fajshëm e të pafajshëm, në këtë rast bëhet fjalë për raste e emra konkretë dhe fatkeqësisht për ngjarje të rënda. Akoma nuk mund të jepen konkluzione nëse ato mund të klasifikohen e të kategorizohen si pakujdesi në punë apo kategori tjetër gabimi mjekësor. Dihet që edhe në mjekësi si kudo ku punohet ndodhin gabime. E keqja është se gabimet mjekësore jo rrallë janë të pakorrigjueshëm dhe fatkeqësisht fatale, sepse marrin jetë njerëzish apo shkaktojnë vuajtje, ndërlikime, gjymtime, etj. Këto gabime karakterizohen apo klasifikohen sipas prejardhjes, rrethanave, shkakut etj., dhe mund të jenë nga pakujdesia profesionale, mund të vijnë nga vonesa në përcaktimin e diagnozës apo diagnozë e gabuar, mjekim i vonuar apo i gabuar, analiza të pasakta apo të interpretuara keq, mungesa aparaturash e mjetesh diagnostikuese e mjekuese ose joefiçentë, ndërhyrje operatore jo të nevojshme apo të kryera jo në organin e duhur, harresë e trupave të huaj në trup si garza, gërshërë, pinca etj,; paraqitje me vonesë në një rast urgjence apo refuzimi i saj, gabime në dhënien e gjakut, drama nga reaksione alergjike, ndonjëherë të paidentifikuara për shkak të një anamneze të cekët apo mungesës së mjeteve të nevojshme të urgjencës në gatishmëri, neglizhencës së mjekut apo personelit tjetër mjekësor; nënvlerësimi apo mbivlerësimi i rastit që përfundon në ndërhyrje të gabuara, organizimi i keq i punës në ekip në njësinë e shërbimit, e plot kategori të tjera gabimesh. Kur ndodhin apo raportohen të tilla ngjarje ato evidentohen nëpërmjet investigimesh dhe ekspertizave të ndryshme kliniko-mjekësore, dokumenteve, ekspertizës anatomopatologjike e mjekoligjore, etj., ndonjëherë këto të vështira për t’u vërtetuar dhe që kërkojnë kohën e nevojshme. Për çdo çështje hapet dhe plotësohet një dosje me të gjitha të dhënat e grumbulluara nga investigimi e verifikimi paraprak. Kështu që, qëndrimi ndaj mjekut apo personelit tjetër mjekësor dhe ndëshkimi ose jo i tyre bëhet kurdoherë në varësi të përfundimeve që dalin nga këto investigime e verifikime. Nuk mund të thuash që në fillim me një të rënë të lapsit se mjeku është vrasës apo mjeku është kriminel, apo e pësoi për faj të mjekut, etj., siç ndodh shpesh gjatë njoftimeve që jepen në mediat e ndryshme. Për t’u kthyer tek përgjigjja e pyetjes që ju shtroni, kjo është konkretisht mënyra dhe rregullat që Urdhri i Mjekëve i ndjek rastet në përgjithësi dhe i ka ndjekur apo po i ndjek edhe ngjarjet e kohëve të fundit për të cilat jeni të interesuar. Përfundimet jepen vetëm pasi ato gjykohen në Komisionin e Gjykimit Disiplinor Profesional. Rastet të cilat janë dërguar në organet e drejtësisë, prokurori e gjykata, ne i pezullojmë deri në vendimin përfundimtar dhe të formës së prerë të këtyrë organeve për t’u rihapur në Komisionin e Gjykimit Disiplinor Profesional, në vartësi të problematikës që përmban çështja dhe për aq sa i takon organit tonë në planin profesional dhe etik.

Z. Abazaj, kemi dëgjuar për rrezikun mjekësor, sigurinë e pacientit dhe menaxhimin e tij. A mund të na thoni diçka rreth tyre?

Në vijim të përgjigjes së pyetjes dhe problematikës që ju parashtroni nëpërmjet saj, dua të theksoj se ngjarjet e fundit për të cilat bluzat e bardha janë vënë nën akuzë janë pjesë përbërëse e atij që në një term të veçantë njihet në mjekësi si rreziku mjekësor dhe siguria e pacientit. Duhet informuar e sqaruar për t’u kuptuar nga të gjithë se, mjedisi mjekësor, përveç shërbimit dhe shpëtimit të jetëve njerëzore, në çdo vend të botës mbart edhe rreziqe e pasiguri. Tërësia e masave që çdo sistem dhe institucion shëndetësor i çdo vendi merr për të parandaluar dhe minimizuar këto rreziqe dhe për të rritur sigurinë e pacientit njihet nën termin “Menaxhim i rrezikut mjekësor”. Në kuptimin më të plotë dhe më të gjerë, menaxhimi i rrezikut dhe siguria e pacientit do të nënkuptonte tërësinë e masave që qeveria e një vendi dhe sistemi i tij shëndetësor ndërmarrin për përmirësimin e vazhdueshëm të pandërprerë të kujdesit shëndetësor në tërë komponentët dhe kuptimin e tij. Kjo kërkon reforma të thella, riorganizim të sistemit shëndetësor, përmirësim të mënyrës së financimit e menaxhimit, kërkon përmirësimin e organizimit dhe të drejtimit të institucioneve shëndetësore dhe vetërregullimit profesional, duke rritur kontrollet nga jashtë dhe duke mbështetur kompetencat dhe autonominë e tyre vetëqeverisëse. Në këtë kuptim, për të vlerësuar një sistem qeverisës të një vendi nëse është i mirë apo jo treguesi më i besueshëm mendoj do të ishte gjendja në të cilën është sistemi i shëndetësisë së atij vendi, si dhe gjendja shëndetësore fizike mendore dhe shpirtërore e popullatës së tij. Ashtu sikundër mendoj se, treguesi i besueshëm dhe i sigurt për të vlerësuar nëse një sistem shëndetësor është i mirë apo jo do të ishte besimi dhe kënaqësia e qytetarëve të atij vendi e shprehur ndaj këtij sistemi shëndetësor dhe profesionistëve të tij.

A mund të flitet për një krizë besimi sot dhe pse bluzat e bardha janë më të akuzuarat?

Në përgjigje të kësaj pyetjeje dhe në vazhdim të çështjeve e problematikës që u trajtua më lart, lidhur me vënien e bluzave të bardha nën akuzë dhe gabimet mjekësore, nuk mund të them se shumë nga akuzat dhe pretendimet që ngrihen ndaj mjekëvë nuk janë të drejta dhe nuk qëndrojnë. Por, mjekun nuk mund ta gjykojmë të shkëputur e të veçuar nga mjedisi e sistemi në të cilin ai formohet, edukohet dhe e ushtron profesionin e tij. Mjeku tradicionalisht i nderuar dhe i respektuar maksimalisht, sot është pak i vlerësuar dhe i sulmuar verbalisht madje edhe fizikisht, i pambrojtur si asnjëherë tjetër. Pagat mjerisht të ulëta e jodinjitoze të mjekëve, të cilat nuk përafrojnë me vlerat e profesionit mjekësor dhe rëndësinë e tij; edukimi profesional i mangët; konteksti mjedisor shoqëror dhe ekonomik, ku korrupsioni është shtrirë thellë në çdo qelizë të shoqërisë; kushtet në të cilat ushtrohet profesioni me shumë mangësi në infrastrukturë, logjistikë me pajisjet mjekësore diagnostikuese e mjekuese, etj,. janë faktorë që ndikojnë negativisht, duke deformuar figurën e mjekut dhe duke ulur motivin e tij ndaj detyrës. Nga ana tjetër, në rrethana të tilla thellohet kriza e besimit dhe pakënaqësia e publikut. Të gjithë jemi dëshmitarë tashmë të një krizë të thellë besimi e pakënaqësie që manifeston hapur publiku ndaj shërbimeve shëndetësore në përgjithësi e për pasojë edhe ndaj profesionistëve të shëndetësisë, gjë që ju në mënyrë të përditshme e pasqyroni në organet tuaj të medias. Edhe vetë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë pohuar për një sistem shëndetësor të dështuar. Por, një gjë është e sigurt, nëse sistemi shëndetësor ka dështuar kjo është rezultat i qeverive të papërgjegjshme që e kanë qeverisur këtë vend gjatë afro dy dekadash të një tranzicioni të vështirë e të stërzgjatur dhe i mungesës së respektit të tyre për shëndetin e jetën e njeriut, por kurrsesi për faj të bluzave të bardha. Përkundrazi, nëse shëndetësia mbahet dhe më keq sa mundet e si mundet, institucionet e saj janë në shërbim të publikut dhe i përgjigjen kërkesave të tij, kjo në radhë të parë është për meritë të përkushtimit dhe vetëdijes profesionale të bluzave të bardha, gjë që e kanë demonstruar në momente shumë të vështira, atëherë kur qeveritë kanë rezultuar të dështuara e të rëna. Kujtoni vitin 1997 dhe tragjedinë e Gërdecit, por jo vetëm kaq, ka dhe momente të tjera.

Cilat janë masat që i takon të marrë Urdhri i Mjekut në të tilla raste dhe cilat janë kompetencat që i takojnë këtij institucioni në vendimmarrje për raste të tilla?

Lidhur më pyetjen që shtrohet, se cilat janë masat që i takon të marrë Urdhri i Mjekut dhe kompetencat e tij në vendimmarrje për raste të tilla, së pari dua të theksoj se, synimi, qëllimi dhe suksesi i punës sonë nuk është i orientuar dhe i bazuar në masat ndëshkimore, por para së gjithash në masat dhe parandalimin e ngjarjeve të padëshirueshme dhe gabimeve mjekësore. Për këtë, synojmë në nxitjen e reformave për edukimin e vazhdueshëm profesional mjekësor, vendosjen e standardeve dhe kontrollin e veprimtarisë profesionale përballë këtyre standardeve. Synimi ynë thelbësor është institucionalizimi i procesit të vetërregullimit profesional autonom dhe të pavarur si forma demokratike dhe e domosdoshme e drejtimit të profesionistëve të shëndetësisë, rritjes së përgjegjësisë, vetëvendosjes dhe vetëkontrollit të standardeve profesionale nëpërmjet formave të rivlerësimit periodik të performancës, licencimit e rilicencimit profesional individual. Të gjitha këto, në bashkëpunim e partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë, Fakultetin e Mjekësisë, shoqatat profesionale tëmMjekëve e partnerë të tjerë. Masat ndëshkimore, siç u theksua më lart, në përgjigje të pyetjes së parë, merren me vendim të Komisionit të Gjykimit Disiplinor Profesional bazuar në ligjin, statutin, kodin e etikës dhe deontologjisë mjekësore, si dhe në Rregullorën e Gjykimit Disiplinor. Këto masa variojnë nga këshillimi, vërejtje e thjeshtë, vërejtje me paralajmërim e deri në gjobë dhe heqje të së drejtës për ushtrimin e profesionit dhe çregjistrimin nga Urdhri i Mjekut.

Urdhri i Mjekut nuk është vetëm për të marrë masa ndaj bluzave të bardha, por edhe për t’i mbrojtur mjekët në rast se kanë të drejtë. Si mendoni se kanë ndikuar ngjarjet e fundit tek opinioni publik?

Duke iu referuar kësaj pyetjeje dhe duke qenë plotësisht i të njëjtit mendim se Urdhri i Mjekut nuk është vetëm për të marrë masa ndaj bluzave të bardha, por për t’i mbrojtur mjekët, sqaroj se ka disa forma për t’i mbrojtur ata, por duke mos marrë përsipër rolin dhe funksionet e një sindikate. Së pari, forma më efikase e mbrojtjes së mjekëve është duke i orientuar drejt standardesh profesionale në përputhje me një praktikë të mirë mjekësore, duke iu vënë në dispozicion Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore si udhërrëfyes për një praktikë mjekësore të mirë dhe të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo mjek, duke i kontrolluar, këshilluar dhe mos i lejuar të bëjnë kundravajtje në ushtrimin e profesionit, duke mos lejuar masa abuzive ndaj tyre, të cilat i pengojnë në ushtrimin e lirë dhe të pavarur të profesionit. Së fundmi kur ka denoncime dhe vihen nën akuzë, mbrojtja më e mirë realizohet nëpërmjet një gjykimi disiplinor profesional të drejtë dhe të paanshëm. Sa i përket ndikimit të ngjarjeve të fundit në publik kuptohet që është tepër negative, thellon akoma më tepër krizën e besimit, raportet mjek-pacient dhe respekti i ndërsjelltë midis tyre përkeqësohet akoma më tepër, gjë që ndikon negativisht në vendimmarrjen e mjekut për diagnozën dhe mjekimin, si dhe për miratimin e zbatimin nga i sëmuri të këshillave dhe rekomandimeve të dhëna.

Si mund të kthehet besimi i opinionit publik ndaj bluzave të bardha, pasi mjekët shpëtojnë edhe jetë njerëzish?

E theksova edhe më lart, tradicionalisht në të gjitha periudhat, populli e ka dashur dhe e ka respektuar mjekun dhe profesionin mjekësor. Ky besim dhe respekt u thye keq tani në kohën tonë dhe kjo ka arsyet e veta. Populli shpreson e pret të marrë nga mjeku shërbimin për të cilin ai ka nevojë dhe t’i kthejë mjekut respektin dhe falënderimet e përzemërta. Por, çfarë ndodh në fakt? Qytetari, që në fillim bie në kontakt me një mjedis që në shumicën e rasteve është i papërshtatshëm dhe i takon jo vetëm të presë në një korridor apo sallon, ndoshta të errët, por edhe të përballet me një sërë mangësish të panumërta si në aparatura e pajisje të tjera diagnostikuese, ashtu edhe në medikamente e mjete të tjera mjekësore. Nuk po ndalem në situatën brenda e jashtë spitaleve, sepse më mirë se kudo është pasqyruar e pasqyrohet në mediat e përditshme, të shkruara dhe ato elektronike. Në këto kushte e rrethana në të cilat bluzat e bardha ushtrojnë praktikën mjekësore, një element shumë i rëndësishëm për kthimin e besimit dhe optimizmit të publikut ndaj mjekut është përmirësimi i mënyrës së komunikimit me të sëmurin dhe të afërmit, përmirësimit të mënyrës se si trajtohen të sëmurët nga mjeku, etj., elementë që patjetër kushtëzojnë cilësinë e shërbimit. Atëherë kuptohet, besimi dhe optimizmi i publikut ndaj shëndetësisë dhe bluzave të bardha rikthehet kur ky sistem t’i ofrojë publikut kujdes shëndetësor të standardeve të larta dhe siguri, ku ne të garantojmë qytetarin tonë se në institucionet e kujdesit shëndetësor do të gjejë mjekun që ai dëshiron dhe e pret prej kohësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›