E Shtunë, 31 Tetor 2026

5 Mallkimet

29-06-2013 / Nga Qemal Sakajeva

1.
Nga çfarë ka frikë njeriu?
Është një pyetje e thjeshtë që, më së shpeshti, merr përgjigje të shpejtë, të atypëratyshme; herë të sinqerta e herë të shtirura; ndonjëherë të sajuara, por dhe të atilla, që janë gënjeshtra të trasha e nuk besohen.
Në vitin 1972, më ka rastisur të njoh një njeri të shkolluar e të ditur mbi jetën, i cili dha shpirt, tak-fak, nga infarkti akut i miokardit, në Malësi të Gjakovës, qindra kilometra larg shtëpisë së vet, në Tiranë. Atë e pata parë të friksohej nga diçka që, shumë të tjerë e shpërfillin si shkak frikësimi, madje nuk ia vënë veshin asfare. Në një bashkëbisedim të nxehur me dikë, rreth një mosmarrëveshjeje, nga një keqkuptim, e dëgjova t’i thoshte tjetrit: “Më shaj sa të duash e si të duash, veç mos më mallko. I tutem shumë mallkimit!”
Koha kur e thosh, se nga çfarë kishte frikë, ishte kulmin i ateizmit, në Shqipëri, dhe, qe e sigurtë që, ai njeri nuk kishte pasur, si e qysh, të lexonte libra të shenjtë.
Por, shumë vjet më pas, në Bibël, në faqen 1283 (botim i “Drita”, Ferizaj, 1994, me përkthim mjeshtëror të Dom Simon Filipaj), ndesha “Pesë mallkimet”, më të rëndat, të cilat, po të mos jesh pjesë e një shoqërie në krizë të thellë vlerash morale, edhe mund të të mos mbeten në mendje.
Madje, rëndom, në përditshmërinë tonë, sillemi ashtu si, përveç që vlerat morale janë tronditur thellë, deri edhe bjerrë, e shthurja pak bën përshtypje, bash për këtë vjen hutimi i njerëzve e, aspak trimërimi i pamend, për të mos pasë kurrfarë frike, përfshirë mallkimin.                               
                                                      2.
Nëma e Parë:“Mjerë kush mbledh ç’ka s’është e tij - deri kur? që ngarkon pengje mbi vete!”
Kusarimi, ose vjedhja, ose hajnia, ose grabitja - shih sa shumë emra për një veprim të shëmtuar e të ndëshkueshëm, që euro-amerikanisht tingëllon ledhatueshëm  e thirrur korrupsion, a nuk është mbledhje “çka s’është e tij”? Dhe pyetja “deri kur?”, a nuk afron cak kohor të fillimit të pasojës, si ndëshkim i asaj që është mbledhur ndërsa s’ka qenë e jotja?
Vjedhja zyrtare, nuk ndodh nga njerëz me zhele e shtëpi pa bukë, por nga ata, me kostume të shtrenjta firmato, pushtet e pasuri (rroga e mirë apo e vogël vjen nga punësimi, të ardhurat e mëdha që fitohen nga vetpunësimi në vjedhje, janë mjelje e shtetit). Ky pasurim i urryer nuk shthuret e rrëzohet lehtë, deri sa ndëshkimi mbi ta, nëpërmjet dënimeve shembullore të merituara, të mos u ketë kallë frikën e ligjit: “Mjerë kush merr çka nuk është e tij”!
Sa kohë duhet deri atëherë? Le të të shohim e veprojmë njëherësh. Qeveria është shpallur më kërcënimin, “zero tolerancë”, domethënë, të shkatërrohet, me çdo kusht, korrupsioni. Kur kjo të ketë fituar edhe si psikologji, të jetë ngritur edhe opinioni në mbështetje, atëherë, njerëzit do të shihet të jenë të shpërblyer, për çdo rast, tek të thonë: E kapi mallkimi! Ka plot nga ata që, vjedhësit zyrtarë i quajnë njerëz të zotë, të shkathtë, të kohës, por më të shumtë janë ata që, kur dikush prej tyre, ende nuk është ndëshkuar, e mallkojnë: “Mos e hëngërt shëndosh!”.

                                                    3.
Nëma e Dytë:“Mjerë kush nxjerr fitim të padrejtë për të zezën e shtëpisë se vetë që të endë lart çerdhen e vet për të shpëtuar nga mjerimi!”
Shoqëria jonë  i këmben rolet, shitës - blerës dhe anasjelltas. Duke qenë se individi, për shumë vjet qe lënë i pambrojtur, ndër ne u thur e u end manipulimit. Aq përfshirës u bë mashtrimi e manipulimi sa, thuajse nuk mbeti gjë pa u prekë nga ky kalbëzim i rëndë, për nxjerrjen e fitimeve të padrejta, për t’u pasuruar më shpejt e më shumë. Shko të blesh bukë dhe nuk je i sigurtë se ke blerë gramaturën e paguar. Blej qumësht dhe nuk të lëshojnë dy dyshime, papastërtia e tij dhe hedhja ujë në të. Nuk e pi ujët e çezmës për pasiguri dhe po aq i pasigurtë ndjehesh për ujin e blerë. Kërkon një shërbim mjekësor dhe, përveç që çmimi i padrejtë të fut drithërimat, dyshon a t’i kanë dhënë të sakta përfundimet. Furnizohesh me karburant dhe nuk e di sa ujë, squfur a përzjerës të tjerë  ka brenda. Punësohesh te privati dhe, edhe po i pagoi siguracionet, ai prapëseprapë nuk i nënshtrohet rregullit, sepse përdorur dy lloj faturash, e ashtu i mashtron të dy palët, edhe të punësuarin, edhe shtetin. Numërimi i këtyre rasteve është i pafund. Por, mendja e shumëkujt punon për përfitim të shpejt, përmes manipulimit, duke gjykuar: nuk je i zoti të fitosh, vdis!
Por, kush mashtron, është e sigurtë se, edhe po nuk i zuri shteti, sytë e njerëzve e shohin dhe e mallkojnë. Ndëshkimi i tyre vjen atëherë kur shteti dhe qytetari bëhen bashkë, arrijnë t’i përcjellin mashtruesit frikën nga ndëshkimi i ligjit.
                                                      4.
Nëma e Tretë:“Mjerë kush në gjak ndërton qytetin, mbi fajësi e ngre kështjellën!”
Shqipëria është kthyer në një vend ku, me çfarë ka ndodhur, ky lloj ndëshkimi vërtetë besohet dhe, nuk janë të paktë ata që ndjejnë frikë. Por ka të marrë që nuk duan t’ia dinë rrezikut e pasojës. Po të vëresh me vëmendje statistikën e krimit, të vrarë të pafajshëm ka ndonjë të ngratë që, e ka rrokë plumbi qorr. Gjithë të tjerët, të futur në varr, pa mundur ta gëzojnë pasurinë e shumtë, janë larje hesapesh a ndëshkim hyjnor, duke e vërtetuar mallkimin me gjak.
Nëse në Kinë, vdekjet e panumërta ndodhin nën tokë, thellë minierave të pasigurta, me etjen e për fitime të majme me shpenzime të pakta, në Shqipëri vdekjet e panatyrshme, por të bujshme, kanë ndodhur mbi tokë, si ndëshkim i përfshirjes në krim dhe i mallkimit që i zë një ditë. Shpesh, paratë e fituar nga vjedhja e krimi, janë kthyer në vila madhështore, biznese befasuese, makina ëndërr. Kjo është sëra më e mallkuar e njerëzve, si nga të pafajshmit, të përfshirë në fatkeqësitë e rrethanave, si nga të tjerë, që janë pjesë e shoqërisë dhe ndjejnë bashkë me të.                                                                    
                                                         5.
Nëma e Katërt: Mjerë kush pijen i jep mikut të vet, i qet helm dhe e deh për t’ia parë lakuriqësinë!”
Ky mallkim është ndëshkuar tronditshëm ndër ne. Trafiku i qenieve njerëzore, më i ziu dhe më i turpshmi, që ka ndodhur me shfrenim dhe nuk mund të thuhet se është ndalur krejtësisht, ka statistika rrëqethëse, sa, nëpër vite të shkuara, na pati ngjitur gati në krye të shteteve. Procesi i trafikimit, përgjithësisht, nuk ndodh patjetër i dhunshëm, por, fillimisht, miqësor. Është si një hedhje helmi në pijen e mikut, për të fituar me lakuriqësinë e femrave tona, nëpër rrugët e perëndimit. Me këto para, dikush ka ngritur vila shokuese e biznese fitimprurëse, tjetërkush loton pada e vuajtja nuk i soset deri në varr. Shpesh i ka mbuluar dheu, më pare - viktimat e pafajshme, më vonë - trafikantët si ndëshkim.
Ndoshta nuk ka gjë më të ngutshme se sa ndalja tërësore e këtij turpi, që, qysh sa vjet, e zbuloi vendin lakuriq, përpara syve të botës.
                                                 6.
Nëma e Pestë:“Mjerë ai që i thotë drusë:“Zgjohu!” Gurit të pagojë: “Çohu nga gjumi!”, a thua i tilli mund të mësojë?”
Ky nuk është vetëm mallkim, por edhe thirrje për inteligjencë njerëzore. Ata që janë bërë kërcunj ndaj të keqes, kanë provuar se është e kotë t’u thuhet, Zgjohu!” Sepse, atyre u del gjumi vetëm atëherë kur i zë nëma.
Por, ky, më parë se zgjim, bëhet ndëshkim. Ata që bëjnë gurin e pagojë, gjithashtu, duket e kotë t’i tundësh, sepse guri s’flet e nuk njeh nxënie. Ky është mallkim ndaj atyre që heshtin, që s’lëvizin, që s’veprojnë, me mendimin e rrejshëm se, ashtu, u shmangen pasojave. Shoqërisë i duhet opinioni i gjallë, ku asnjëri të mos hijezojë si dru e të mos heshtojë si gur.                                               
                                                7.
Njeriu lind bashkë me frikën. Frika rri brenda tij, gjithë jetën. Dhe vdesin të dy bashkë. Njeriu ynë është disi një hallakamë. Gjindet buzë një honi të thellë sa, po nuk filloi të ketë frikë nga ligji dhe mallkimi, do ta ketë ende të gjatë periudhën e përtëritjes dhe ngritjes. Shoqëria ende nuk përjeton kohën e shpëtimit, por vuan pasojën e ndëshkimit, nga që tronditja e vlerave morale, e ka bërë shpërfillës edhe ndaj pasojës, kinse asgjë nuk vjen nga asgjëja - domethënë nga nëma.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›