Topalli dhe Bode përjashtojnë mundësinë e kandidimit për kreun e PD-së
Në një deklaratë për mediat kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli ka deklaruar se nuk do të kandidojë për postin e kryetares së Partisë Demokratike. Deklarata e Topallit ka ardhur menjëherë pas mbledhjes së kryesisë së PD-së. Sipas Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit, kreu i PD-së, nuk është ambicia e saj. Ajo ka vlerësuar bashkëpunimin shumë të mirë me kryetarin Berisha. “S’do të kandidoj për kryetare të PD, nuk ka qenë ambicia ime. Jam krenare që kam punuar me Sali Berishën. Berisha, arkitekt i Shqipërisë moderne”- u shpreh Topalli.
Bode: Do mbështes lidershipin e ri/Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode u shpreh dje pas mbledhjes së kryesisë së PD se, nuk do të kandidojë për kreun e partisë. Ai deklaroi se do të mbështesë lidershipin e ri të PD, i cili do të zgjidhet nga anëtarësia e partisë sipas parimit “një anëtar, një votë”. “Kam 16 vjet që jam Sekretar i Përgjithshëm i PD, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryetarit Sali Berisha. Ka qenë një kënaqësi dhe fat i madh për mua që kam bashkëpunuar në ditë të mira dhe të këqija. Kështu që, do të jem në funksion të konsolidimit të lidershipit të ri të Partisë Demokratike”- u shpreh Bode.
...