E Shtunë, 31 Tetor 2026

5 ditë bota në ekran

"Revolucionet manual përdorimi" dhe "Vdekja e zotit Lazaresku" do të hapin siparin e edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Festivali do të mbahet në datat 19 deri më 23 mars në Akademinë e Filmit dhe Multimedias "Marubi". Për katër ditë radhazi, në ekranin e festivalit do të projektohen 28 filma në gjinitë e dokumentarit dhe të filmit artistik, që vijnë nga vende të ndryshme të botës, si Kanadaja, SHBA, Meksika, Japonia, Suedia, Palestina, Bjellorusia dhe Shqipëria. Sipas drejtorit ekzekutiv të IHRFFA-s, Kujtim Çashku, do të jenë dy prodhime kinematografike shqiptare në këtë edicion, të cilat sjellin një atmosferë të asaj çfarë quhet post-trauma e shoqërisë shqiptare. Nën regjinë e Pluton Vasit do të shohim një udhëtim me kamera në historitë e grave të persekutuara gjatë regjimit komunist, që nga Musine Kokalari e deri te gra të panjohura, por që jeta e të cilave është shtrirë nën këtë sistem.

Festivalet e Filmit për të Drejtat e Njeriut në çdo vend të botës (gjithsej ka 26 festivale të tilla) kthehen në qendra debati mbi problemet më të mprehta të shoqërisë njerëzore dhe atë çfarë përjeton në të vërtetë individi. Regjisorët e këtyre prodhimeve ndonjëherë kalojnë përmes sfidave për të hyrë në zonat më të errëta të një shoqërie dhe për të përcjellë me syrin e kinemasë atë çfarë në gjuhën e thjeshtë quhet "zonë e ndaluar". Sipas Çashkut, në festival do të ketë dhe filma të cilët kanë sjellë reagime në vendet e tyre për vetë filozofinë që mbartin.

Për Theodore Orlin, mënyra e të parit të të drejtave të njeriut sot në botë ka ndryshuar, por sërish kemi të bëjmë me probleme të reja në horizont, që kanë të bëjnë me të drejtat.

I sapokthyer nga Kosova, ai tregon se problemi i atyre njerëzve ishte konfortimi me lirinë dhe të menduarit si të lirë. Ndryshe nga njerëzit në Rumani apo në Bullgari, ku po provohen ndjesitë e të integruarit në Evropë. Por Shqipëria është në një tjetër fazë ndjesish sipas Orlin, fazë e cila ka lëvizur shumë nga koha kur ai e shkeli për herë të parë. Sigurisht që problemi i lirisë vijon të mbetet një nga problemet globale, për vetë mënyrën sesi njerëzit e perceptojnë atë.

Për organizatorët, ky nuk është një Festival i të Drejtave të Njeriut, por është një leksion i nevojshëm në fushën e të drejtave për vende me demokraci të brishtë si Shqipëria, ku arti i kinemasë shprehet si një nevojë për të qenë i dobishëm dhe për ta kthyer vëmendjen te njeriu këtu.

Nëse i referohemi 28 filmave që do të ngjiten në ekranin e festivalit, ato janë një përzgjedhje e kujdesshme të prodhimeve që jo vetëm kërkojnë të vënë në pah të drejtat e njeriut, por që kanë dhe një vlerë të konfirmuar artistike (për vetë çmimet e marra). Kështu, nga drama e tmerri i vdekjes së një pensionisti nga Rumania, tek indiferenca dhe korrupsioni i sistemeve shtetërore që janë krijuar për të qenë në shërbim të njeriut, një realitet paralel ky edhe me Shqipërinë nëpërmjet filmit artistik "Vdekja e zotit Lazaresku", i regjisorit Cristi Puiu, krijojnë një atmosferë të zymtë balzakiane. Në ditën e dytë të festivalit do të shfaqen filmat "Një e diel në Pripyat" (Francë), "Sundimi i ligjit", "Mjekër e thinjur", "Një leksion nga Bjellorusia", "Macet e Mirikitanit". Filmi "Mohim total" hap siparin e ditës së tretë të festivalit, për të vazhduar më pas me filmin shqiptar "Dhembje ...Shpresë", "Shtrëngim duarsh me djallin-Udhëtim i Romeo Dallaire" (Kanada), "Një e njëqinda e sekondës (Angli), "Lista e Karlës" (Zvicër) etj. Në ditën e katërt do të shfaqen filmat "Maria‘s Grotto" (Palestinë), "Puthja e Yllity, vajza e cirkut në Indi", "Drejt ëndrrës" (Greqi), "Miss Gulag" (SHBA), "Ajo ish-kriminelja" (Francë), "Padrejtësia e dyfishtë" (SHBA - Meksikë), "Ardhja e dritës" (Spanjë), "Syri i kuq" (Zvicër). Ditën e fundit të festivalit do të shfaqen filmat "Shkëlqimi i grabitur" (Bullgari), "Një këngë për Argyis" (Zvicër) dhe "Ditë natë ditë natë" (SHBA).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›