Tibetianët e rinj, "jo" politikës së paqes së Dalai Lamës
Demonstrimet e dhunshme kundër dominimit kinez u qetësuan disi të shtunën dhe një lloj qetësie relative është vendosur tani në Lhasa, pas katër ditësh trazira. Agjencia shtetërore kineze e lajmeve bëri me dije se protestuesit kanë vrarë dhjetë njerëz, ndërkohë që aktivistët tibetianë, të vendosur në Indi, njoftuan jo më pak se tridhjetë protestues kanë gjetur vdekjen gjatë demonstrimeve nga dora e forcave të sigurisë (në fakt, japin edhe një shifër tjetër që mund të jetë rreth 100 viktima). Autoritetet kineze lëshuan të shtunën një ultimatum, ku "shkelësve të ligjit" u kërkohej të dorëzoheshin deri të hënën. Por, për shumë tibetianë revolta aktuale është një shenjë e sigurt që mundësitë për një kompromis me Pekinin janë thuajse të papërfillshme.
Autoritetet kineze fajësojnë Dalai Lamën, liderin shpirtëror të tibetianëve, si autorin kryesor të nxitjes së revoltave. Qeveria tibetiane e instaluar në vend nga Pekini, në një deklaratë të lëshuar të shtunën, la të kuptohej se demonstrimet e jashtëligjshme qenë organizuar nga "murgj e klerikë", si pjesë e një plani nga "Organizata e Dalai Lamës", për të destabilizuar Tibetin.
Njerëz pranë Dalai Lamës u kundërpërgjigjën, duke shpjeguar se këto akuza qenë "absolutisht të pabaza" dhe se revoltat kishin shpërthyer spontanisht. Gjatë ditëve të para të javës së shkuar Dalai Lama u kërkoi gjithë mbështetësve të tij të grumbulloheshin për të kujtuar përvjetorin e 49-të të largimit të tij nga vendi, pas një revolte të dështuar kundër dominimit kinez. Me këtë rast u tha bashkatdhetarëve se "represioni vazhdon të rritet me shkelje të paimagjinueshme të të drejtave të njeriut, me mohimin e lirisë së shprehjes dhe të besimit", por shtoi se ai vetë do vazhdonte t‘u përmbahej përpjekjeve për të dialoguar me Kinën dhe gjetjen e një "zgjidhjeje politike që të kënaqte të dyja palët".
Tibetianët e rinj, shumë prej të cilëve kanë lindur jashtë kufijve të atdheut, po e shohin me sy gjithnjë e më shumë kritik politikën me mjete të buta të Dalai Lamës dhe të liderëve të tjerë të rëndësishëm. Megjithëse i mbeten thellësisht besnikë Dalai Lamës, janë tashmë të bindur se demonstrimet e ashpra, madje edhe përballjet e dhunshme, janë më të frytshme në arritjen e asaj çfarë kërkojnë.
"Ka dy shkolla mendimi", thotë Lobsang Sangai, një ndër protagonistët e projektit të studimeve ligjore për Azinë Lindore në Shkollën e Ligjit të Harvardit. "Sipas njërës, nuk mund të kihet kurrsesi besim te qeveria kineze, pasi nuk do të pranojë kurrë të negociojë në kushte paqeje, gjë që e bën përballjen ‘dhëmbë për dhëmbë‘ si mundësinë më të mirë. Sipas tjetrës, në krye të së cilës qëndron Dalai Lama, mundësia më e mirë është dialogimi mes palëve".
Por që të dyja palët bien dakord në faktin se Lojërat Olimpike të këtij viti në Pekin janë një mundësi shumë e mirë për të dhënë publicitet dhe për të tërhequr vëmendjen e publikut ndërkombëtar mbi çështjen e tyre. B. Tsering, kryetarja e Shoqatës së Grave Tibetiane, tha për revistën amerikane, "Time", se grupi i saj, bashkë me katër organizata të tjera me bazë në Indi, i kanë shpenzuar vitet e fundit në përpjekjet për nxitjen e një fushate demonstrimesh paqësore, që të përkonte me nisjen e lojërave olimpike. Janë dashur dhjetëra takime për të caktuar një strategji të përbashkët pjesërisht, pasi grupet ndahen në qëndrimet nëse duhet të kërkojnë autonomi brenda Kinës, apo të këmbëngulin për një Tibet të pavarur. Pavarësisht arrestimit të rreth 100 aktivistëve nga autoritetet indiane përpara tri ditësh, marshimi drejt Tibetit qëndron ende si mundësi. "Nuk është çasti i duhur për mosmarrëveshje", thotë Tsering. Të gjitha grupimet e aktivistëve këmbëngulin se protestat jashtë kufijve qenë të planifikuara, ndërsa ato brenda në Tibet ndodhën spontanisht. "Nuk ka pasur asnjë lloj koordinimi, thotë Tsering, megjithëse të gjithë e shihnim njëri-tjetrin përmes valëve të BBC-së".
Protestat në Tibet qenë spontane, pranon eksperti ligjor, Lobsang Sangai, por rebelimi i dhunshëm qe i pashmangshëm. Ndërthurja e frustrimit nga negociatat e dështuara 6-vjeçare të Dalai Lamës me Pekinin, me fluksin e kinezëve që janë vendosur së fundmi me banim në Tibet, i kanë shtyrë tibetianët në pikën e shpërthimit të zemërimit, tregon Sangai, i cili vetë është rritur jashtë kufijve të atdheut. "Niveli i zemërimit ka arritur pika shumë të larta", thotë ai. "Kur studion lëvizjet e dhunshme, vëren se kur frustrimi kalon përtej çështjeve politike dhe prek edhe probleme të mbijetesës, reagimi bëhet shumë më agresiv dhe i dhunshëm, dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh tani".
Ngjarjet e javës së shkuar gërshetojnë tiparet e revoltës së vitit 1959 dhe të protestave të fundit të viteve ‘80, beson Sangai, që të dyja të pasuara nga përpjekje për të vendosur dialog. "Ekziston një lidhje e ngushtë mes dështimit të dialogut dhe demonstrimeve, dështimit të dialogut dhe rritjes së zemërimit. Kur dialogu dështon, në të gjitha rastet revolta të tilla bëhen të pashmangshme. Pyetja nuk është më nëse do ndodhin, por kur do ndodhin", thotë Sangai. "Do të thotë se Dalai Lama ka ndjekur rrugën e duhur, por një vullnet i tillë nuk ekziston te pala tjetër, ndërkohë që njerëzit arrijnë në konkluzionin se Dalai Lama nuk po merret nga kinezët me seriozitetin e duhur".
Gjithsesi, protestat e fundit mund të shënojnë një shtyrje drejt përballjeve edhe më të ashpra. Tsering vëren se kjo është hera e parë që revolta të përmasave të mëdha janë zhvilluar njëherësh jashtë dhe brenda kufijve të Tibetit, ndërkohë që dy komunitetet duket se marrin guxim nga veprimet e njëri-tjetrit. Ekziston gjithashtu një ndjesi e përgjithshme se Tibeti po humbet me shpejtësi atë kulturë pas së cilës tibetianët janë të lidhur aq fort, gjë që i bën shpresat për kompromis edhe më të vakëta.
"Faktori kryesor është mosha e thyer e Dalai Lamës, thotë Sangai. Në të kundërt të viteve ‘50 apo ‘80, njerëzit brenda dhe jashtë Tibetit tani janë shumë më të informuar mbi ngjarjet dhe mbi atë çfarë ndodh nëpër botë. E dinë mirë se për arritjen e një marrëveshjeje të kënaqshme koha është faktor kyç. Lipset një marrëveshje që mund ta arrijë vetëm një individ me përmasat e Dalai Lamës. Ndërkohë që Dalai Lama tani është 73 vjeç. Sa më shpejt të bëhet, aq më në favor të tibetianëve do të jetë. Tibetianët brenda kufijve ndjejnë një lloj urgjence, duan që ai të kthehet në atdhe sa më shpejt të jetë e mundur. Duan t‘i japin fund shpejt kësaj tragjedie të historisë".