Pilula blu, dhjetë vite më vonë
"Jo, unë ende nuk kam pasur nevojë… Të shohim se çdo të ndodhë në të ardhme". Ky quhet optimizëm, apo jo? Shumë të rinjve u ka shkuar të paktën një herë ndërmend ta përdorin pilulën blu dhe ja si shprehen disa prej tyre: "Jam matur shumë herë ta provoj, por nuk kam vendosur dot", ka thënë një djalosh. A ka ndonjë mes jush që e ka provuar viagrën? Me sa duket, jo. Në fakt, në këtë dhjetëvjeçar meshkujt të paktën kanë pasur kohë të mendohen. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo pilulë është krijuar për 60-vjeçarët, por në fakt, mesa duket, nuk është vërtet kështu. Ajo vazhdon të mbetet më e preferuara për meshkujt, duke filluar që nga 40-vjeçarët e lart. "Gjithçka mund të jetë e vërtetë, por kjo është për të rinjtë", thotë një profesor 86-vjeçar. Më pas ai shton: "Ne kënaqemi me atë që na lejon natyra dhe mosha, ndërsa ata jo".
Në këto dhjetë vjet janë shitur të paktën 60 milionë pilula dhe duket qartë se viagra nuk është pilua që preferohet nga të moshuarit, të cilët dëshirojnë të zgjasin jetën seksuale. Të dhënat e shitjeve tregojnë se gjashtë në dhjetë tableta viagrash konsumohen nga meshkujt nën moshën 60 vjeç. "Brezi i vërtetë viagër" që ia vlen të quhet kështu, duket se është pikërisht ai nga mosha 25-34 vjeç, madje 55% e tyre janë të bindur se pilula "përmirëson adetet seksuale".
Historia e viagrës, pilula e dytë e revolucionit seksual dhe ilaçi më i njohur pas aspirinës, është pikërisht një histori e suksesshme e pavullnetshme, pa ndonjë qëllim të keq.
Pfizer Incorporated, kompania farmaceutike më e rëndësishme në botë, kërkonte një parim aktiv kundër angjinës. Kështu, kjo pilulë e kaltër që "Food and drug Administrion" ia autorizoi daljen në treg më 27 mars të 1998-ës, u prezantua në botë si zgjidhja finale e mileniumit kundër impotencës. Tre në katër të moshuar e mohojnë faktin se përdorin viagra, edhe pse kanë nevojë. Në fakt, kush e ka domosdoshmëri klinike, nuk preferon ta blejë.
Kush e quan dështim këtë pilulë? Shihni postën tuaj elektronike: qindra të panjohur kërkojnë ta shesin me çdo kusht. Shkruajeni emrin e saj në "Google" dhe do të shihni që në ekranin tuaj do të shfaqen miliona citime, dhjetë herë më shumë se "Prozak"-u. Fjala viagër ka zënë vend në fjalor që në ‘99-ën dhe është sinonim i kënaqësisë fenomenale. Për viagrën janë krijuar filma, madje tregohen edhe histori. U jepet kuajve para një gare vrapimi, ndërsa në Tajlandë është përdorur për të blerë votat e zgjedhjeve.
Viagra (dhe "kushërinjtë" e saj agresivë si Cialis, Tadalafil, që gjejnë një shtrirje gjithmonë e më të madhe në treg) nuk është më një ilaç, por një fenomen social, madje edhe më shumë: është një metaforë, një mitologji mashkullore. Viagra e "mban" premtimin edhe për atë që është e pamundur. Ai që e përdor thotë se nuk është ajo që duket, ose më saktë "një kushtëzues i përgjigjes ngrehje", një ilaç kundër dembelizmit të trupave të ngjitur, që nuk jep superfuqi dhe nuk funksionon nëse nuk ka një stimulues seksual të jashtëm. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Është ajo që nuk mund të thuhet, por thjesht besohet: afrodiziaku universal i padështueshëm, karburanti i kënaqësisë që mund të mbahet në xhep, ilaçi magjik që vepron automatikisht, edhe kundër vullnetit. Vitin e kaluar, një grua ia hodhi fshehtas bashkëshortit në gotën e verës, por e ekzagjeroi me dozën. Është e vërtetë se arriti ta shtrinte në një krevat, mirëpo jo në atë bashkëshortor, por në spital.
Mos ndoshta është eliksiri i supermeshkujve? Shpesh herë është qetësimi i të pasigurtëve. Viagra është më tepër ilaçi i dëshirës së dobët, se sa i trupit të lodhur. "Shumë individë kërkojnë nga ajo jo vetëm t‘u japë forcë, por edhe dëshirën për të bërë dashuri", thotë një doktor, i cili i njeh mirë pacientët e tij, që janë shumë të rinj dhe të fuqishëm. "Thonë: Doktor, kam frikë ta provoj pa konsumuar më parë viagrën. Ndërsa unë u përgjigjem: Provoje një herë djalosh. Nëse nuk kënaqesh herën e parë, do të shkojë mirë herën tjetër. Nuk jemi makina, sa herë që motori nuk ndizet, duhet të vrapojmë te mekaniku. Nëse nuk arrin të bësh dot seks pa pirë këtë ilaç, atëherë nuk do ta mësosh kurrë se si është kënaqësia jote natyrore". Doktori shprehet se do t‘ua jepte me kënaqësi viagrën të moshuarve, sepse ajo është krijuar posaçërisht për ta, "është mundësia që ata të kenë sërish një marrëdhënie të kënaqshme seksuale edhe në moshë të thyer".
Dikush e përdor për nevojshmëri e dikush tjetër për kuriozitet, por askush nuk mund t‘i rezistojë efektit të viagrës. Një sondazh i bërë kohët e fundit nga media të ndryshme nxori në pah shumë emra personazhesh të njohur që janë fansa të çmendur të pilulës blu, për të përmirësuar jetën e tyre seksuale. Aktori i njohur Xhek Nikolson merr ndihmë të vogël nga ilaçet kur bëhet fjalë për gratë. Protagonisti i shumë filmave është shprehur se viagra është shpëtimi i shumë çifteve, madje dhe vetë Nikolson e përdor atë për të përballuar emocionet e forta. Një tjetër emër i njohur është edhe babai i "Playboy"-it, Hju Hefner, 80 vjeç, i cili nuk e ka mohuar përdorimin e viagrës si një burim i rinisë së përjetshme. Edhe manjati amerikan, Riçard Brenson, e sheh viagrën si një ndihmë normale për jetën nën çarçafë.
Pilula me emrin viagër mund ta ketë shtuar fuqinë e senatorit republikan Bob Doll, por me shumë siguri nuk e ndihmoi në garën për t‘u bërë President në vitin 1996.
Përdorimi i madh i viagrës i ka shqetësuar pa masë prodhuesit e saj. "Mitologjia false mbi viagrën e dëmton atë. Nëse do të shpërfytyrohet mendimi i eliksirit, atëherë vepra jonë edukative ka dështuar", ka përfunduar ai.