5 milionë lekë gjobë organizatës që kërkonte vdekjen e Berishës
Organizata Kuvendi Civil, të rinjtë e së cilës shpërndanë disa trakte pak ditë më parë, ku ironizonin me vdekjen e kryeministrit Berisha, janë gjobitur me 5 milionë lekë nga ana e Tatimeve.
Gjoba është bërë e ditur vetëm një ditë pas daljes nga burgu e të rinjve që vendosën posterat për Berishën, ndërkohë që Tatimet pretendojnë se e kanë vendosur një muaj më parë.
Tatimet e kanë vendosur gjobën me motivacionin se kjo lëvizje nuk ka deklaruar punonjësit e vet, në një kohë që të rinjtë janë aktivistë, jo të punësuar.
Më poshtë është reagimi i Kuvendit Civil për këtë gjobë.
Kuvendi Civil denoncon hapur raprezaljet shtetërore të urdhëruara nga kupola qeveritare për të sulmuar zyrat tona dhe aktivitetin civil. Jemi të indinjuar pasi prisnim një reflektim të institucioneve dhe qeverisë, mirëpo në shenjë hakmarrje për fushatën tonë për vdekjen e kryeministrit, organet tatimore na kanë gjobitur me 5 milionë lekë dhe kjo masë na është kontaktuar vetëm një ditë pasi pjestarët tanë kanë dalë nga qelitë e paraburgimit. Kjo gjobë është sajuar e stisur sikur është vënë një muaj përpara por pa asnjë dijeni nga ana jonë. Gjoba ishte me arsye se ne nuk kemi deklaruar punonjësit, ndërkohë që këto të rinj janë aktivist dhe nuk janë punonjës por shtetas vullnetar që punojnë me zell dhe dëshirë për një Shqipëri më të mirë. Zyrat tona funksionojnë prej disa vitesh, por ja që pushteti u kujtua vetëm tashmë që ne denoncuam sjelljen e kryeministrit Sali Berisha, të cilit gjoja i vjen keq për ne. I themi kryeministrit që para se të gjobisë shoqërinë civile dhe organizatën tonë, të shkojë dhe të kontrollojë një herë bilancet e arit të zi, monopol që nuk paguan asnjë taksë, të kontrollojë mënyrën se si ka shitur Shqipërinë me koncesione. Të gjitha këto do i qartësojmë në vazhdim me aktivitetet tona. Denoncojmë dhe sulmin ndaj faqes tonë të internetit. Kemi informacione se është blerë 5 milionë euro dhe eshte instaluar ne bodrumet e nje ministrie një aparaturë bashkëkohore për të përgjuar telefona, adresa elektronike dhe për të sajuar viruse po elektronike, duke i dalë edhe institucionit të SHISH-it në aktivitet paralel.I bejmë thirrje zotit Berisha, të heq duar e pista nga institucioni i vetëm i papolitizuar i rinisë shqipëtare dhe të tërheqi gjobat komuniste sepse dhe ne do gjobisim çdo institucion te Saliut me gjoba rinore.