5 sfidat kryesore të qeverisë së re Rama-Meta
Nga buxheti në krizë, ndarja e tortës qeverisëse, Presidenti e reformimi i policisë
Edhe pse ende rezultati zyrtar nuk ka dalë, zgjedhjet e përgjithshme të 23 Qershorit e kanë dhënë verdiktin e tyre. Koalicioni i majtë ka arritur një fitore bindëse dhe ka marrë nga votuesit mandatin për të qeverisur vendin gjatë katër viteve të ardhshme. Por qeverinë e re Rama-Meta e presin shumë sfida të forta, ku më kryesorja është ekonomia. Shumicën e re e pret sfida e qeverisjes së një vendi që është duke vuajtur pasojat e krizës ekonomike dhe të keqësimit të parametrave buxhetorë. Edhe pse Shqipëria ka shumë sfida përpara, ne po paraqesim pesë sfidat më kryesore dhe më imediate që do të përballet qeveria e re që 100 ditë e para.
Ndarja e tortës qeverisëse
Ky është problemi numër një. Edhe pse nuk quhet problem qeverisës. Ende nuk ka diçka zyrtare se sa ministri do të marrë Lëvizja Socialiste për Integrim në qeverinë e re. Por duke parë që LSI mori një rezultat spektakolar në këto zgjedhje, oreksi i saj do të jetë edhe më i madh, duke kërkuar jo më katër ministri siç bëri në qeveri me Parinë Demokratike. Pritet që shumë socialistë të ndihen ndoshta të zgjënjyer nga ndarja e tortës, sidomos ata deputetë që ua kanë vënë syrin disa ministrive për ti drejtuar.
Administrata
Problemi i dytë është ai i administratës. Çfarë do të bëjnë PS-LSI me punonjësit që kanë punuar gjatë qeverisë Berisha? Një pjesë e tyre, sidomos drejtorët pritet të shkarkohen menjëherë për tu hapur rrugë socialistëve. Edhe pse Edi Rama ka premtuar se nuk do të hiqen njerëzit e aftë, kjo ka pak mundësi të ndodhë. Tashmë në Shqipëri është bërë zakon që sa herë ndryshohet qeveria, ndryshohet edhe administrata. Megjithatë pritet që disa punonjës të rolit të dytë dhe të tretë nëpër ministri dhe specialistët të qëndrojnë në vendin e tyre.
Ekonomia
Rritja ekonomike është në nivelet më të ulëta në 15 vjet, ndërsa borxhi publik në nivelet më të larta historike. Për pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat tatimore në buxhet janë afro 14 miliardë lekë më pak se plani, ndërsa deficiti buxhetor ishte mbi 38 miliardë lekë, afro 80% e gjithë deficitit vjetor të programuar. Përfshirë borxhin e ri dhe rifinancimin e borxhit të mëparshëm, qeveria siguroi një shumë të përgjithshme prej 11.5 miliardë lekësh. Menaxhimi i financave publike do të jetë një ndër sfidat më delikate të qeverisë së re. Në programin e vet politik, Partia Socialiste ka premtuar rikthimin e programit të bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, tatim progresiv mbi të ardhurat personale të individëve dhe heqjen e TVSH për disa nga produktet ushqimore bazë. Partia fituese e zgjedhjeve nuk e ka detajuar efektin financiar të këtyre masave, por gjasat janë që ato të miratohen për buxhetin e vitit të ardhshëm. Ndërkohë, konsolidimi fiskal dhe mbajtja nën kontroll e borxhit janë një sfidë urgjente me të cilën qeveria e re duhet të përballet qysh ditën e parë.
Presidenti
Tashmë Shqipëria ka një mazhorancë të majtë, madje tepër të madhe, ndërsa Presidenti vjen nga kampi i djathtë. Tani sfida është se si do të bashkëpunojë mazhoranca e re me një President që jo vetëm nuk e votoi, por edhe e ka sulmuar fort, duke e cilësuar si jo të denjë për postin që mban. Madje e kanë cilësuar edhe si ushtar të Berishës. Pra bashkëpunimi me Bujar Nishanin është një ndër sfidat më kryesore të qeverisë së re.
Policia
Si Edi Rama, ashtu edhe Ilir Meta kanë premtuar një reformim të plotë të policisë. Madje edhe gjatë zgjedhjeve dy liderët e së majtës duke marrë parasysh ngjarjen e Laçit akuzuan drejtuesit kryesorë të uniformave blu se ishin në rresht të pushtetit. Në fakt Partia Socialiste prej kohësh i ka akuzuar kupolën drejtuese të policisë si të lidhur me krimin dhe ka premtuar një reformim të plotë të saj. Por tashmë të shohim nëse reforma do të jetë sipas standardeve europiane, duke emëruar në postet e larta profesionistë, apo kupola drejtuese e policisë do të mbushet me militantë socialistë.