Kanuni shkon në Gjermani
Shfaqja ‘Kanuni’, në regji të Agnes Nokshiqit, do të niset të premten drejt Gjermanisë, për të marrë pjesë në festivalin ‘Off Europa’, i cili do të mbahet nga data 17 deri më 24 shtator në Lajpcig dhe Dresden. Festivali ‘Off Europa’ është i themeluar në vitin 1992 në Lajpcig me emrin Manovër dhe u kushtohet kryesisht kombeve dhe shteteve të caktuara. Gjatë viteve të shkuara ka vënë në pah situatën e teatrit bashkëkohor të Rumanisë, shteteve të Baltikut, Gjeorgjisë dhe të disa shteteve të dala nga ish-Jugosllavia. Në edicionin e këtij viti vëmendja do të përqendrohet te Shqipëria dhe Kosova. Gjatë festivalit do të shfaqen punë të teatrove nga të dy shtetet shqiptare në dy qytetet e mëdha të Saksonisë, në Lajpcig dhe Dresden. Programi kryesor do të pasurohet edhe me shfaqje filmash dhe koncertesh të përcjellë me ligjërata dhe diskutime. Kosova dhe Shqipëria prezantohet me veprën “Kanuni”. Krahas shfaqjeve nga Kosova dhe Shqipëria, programi do të përcillet edhe me shfaqje filmash, koncerte, ligjërata dhe debate.