E Martë, 3 Nëntor 2026

50 vjet nga krijimi, Baza Ajrore e Gjadrit rikthehet në funksion për fluturimin e helikopterëve Black Hawk

Në 50-vjetorin e krijimit të saj, Baza Ajrore e Gjadrit në Shqipërinë veriperëndimore ka rifilluar funksionimin e saj.

Ajo ka pritur për herë të parë fluturimin e helikopterit të ri UH-60 Black Hawk në pistën e saj, pjesë e modernizimit të Forcës Ajrore Shqiptare.

Gjatë ceremonisë së organizuar për këtë rast, Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral Ferdinant Dimo, theksoi rëndësinë historike të kësaj baze.

“Në këtë bazë kanë punuar me përkushtim ushtarakë, pilotë dhe teknikë, duke realizuar detyrat e fluturimit dhe duke shërbyer larg familjeve të tyre për mbrojtjen e vendit. Sot, kur konceptet e sigurisë janë zhvilluar, rivitalizimi i bazës do të ofrojë infrastrukturë të re për trajnimet e ekuipazheve fluturuese të helikopterëve dhe për trajnimin bazik të pilotëve të rinj,” u shpreh gjeneral Dimo.

50 vite me parë, dy pilotë nga aeroporti i Rinasit, Haki Jupasi dhe Serafin Shegani, u ulën për herë të parë në pistën e sapondërtuar të aerodromit të Gjadrit me avionët supersonic MIG-19 dhe MIG-21.

Tani pas 50 vjetësh, kjo bazë është bërë operative për fluturimin e helikopterëve më të rinj dhe më modernë të Forcës Ajrore të ushtrisë shqiptare.

Në ceremoni morën pjesë edhe personeli trajnues amerikan për helikopterët Black Hawk, duke reflektuar bashkëpunimin shqiptaro-amerikan në zhvillimin e kapaciteteve ajrore të vendit.

Baza e Gjadrit i bashkagjitet bazës ushtarake ajrore të NATO-s në Kuçovë, e cila do të vihet në funksion të misioneve taktike të aleancës.

Autoritetet shqiptare kanë deklaruar me këtë rast se Shqipëria merr më shumë përgjegjësi për paqen dhe sigurinë në rajon. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›