E Diel, 1 Nëntor 2026

50-vjetori i festivalit, sillen këngët më të mira në vite

21/12/2011  Nata gala e Festivalit të Këngës do të ngjisë në skenë 26 këngë të përzgjedhura prej 41 festivaleve dhe emra të vjetër e të njohur të muzikës shqiptare

Janë 26 këngë përfaqësuese të 41 festivaleve të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, të cilat janë përzgjedhur të përcillen në natën Gala të Festivalit të 50-të të Këngës. Komisioni i ngarkuar nga Drejtori i përgjithshëm i RTSH-së, Petrit Beci, i përbërë nga artistët Robert Radoja, Fatmir Hysi, Zana Shuteriqi dhe Thoma Gaqi ishte ai që përzgjodhi këngët. Sipas drejtorit artistik të Festivalit, Shpëtim Saraçi, ka qenë një propozim i drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së, për të kujtuar këngët më të mira të festivaleve tona. “Praktikisht ka qenë shumë e vështirë, sepse kemi 49 këngë fituese dhe t’i këndosh të gjitha në të njëjtën natë, shkon shumë gjatë... Jemi detyruar të mbledhim një komision profesional që përzgjodhën 26 këngë që do të ngjiten në skenë natën e tretë. Do të jenë me regjistrim. Të gjithë artistët do të jenë në skenë atë natë. Është konceptuar tërësisht ndryshe nga netët e tjera të festivalit. Kemi menduar një këngë për çdo kompozitor, pasi kishte që kanë fituar më shumë se një. Personalisht kam fituar tre herë çmimin e parë, por zgjodhëm vetëm një këngë. Po kështu edhe shumë kolegë të mitë. Kështu që ky ka qenë kriteri bazë”, shpjegon Saraçi. Për të sjellë këngë janë ofruar për t’i interpretuar ata këngëtarë që jetojnë dhe kanë mundësi vokale për të kënduar ato këngë me të cilat dikur kanë fituar çmimin e parë. Ndërsa pjesa tjetër do të interpretohet nga këngëtarë më të rinj, që kanë dhënë kontribut në festivalin e dhjetorit. Në këtë natë nuk do të mungojnë edhe tre përfaqësues nga Kosova. “Në këtë retrospektivë të muzikës shqiptare duhet të ishin të pranishëm edhe artistët kosovarë, të cilët sa herë kanë marrë pjesë kanë sjellë freski në festival, pavarësisht se nuk kanë marrë çmime të para. Në këtë 50-vjetor Kosova ka vendin e vet, aq më tepër që të gjithë shqiptarët janë shumë të ndjeshëm kundrejt saj”, vijon Saraçi. Disa nga këngëtarët që do të ngjiten në skenën e natës së tretë janë: Myfarete Laze, Sherif Merdani, Frederik Ndoci, Irma dhe Eranda Libohova, David Tukiqi, Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Mira Konçi, Manjola Nallbani, Juli Ndoci, Aleksandër Gjoka, Viktor Tahiraj, Rovena Dilo, etj.

B.Goce

Lista e këngëve të natës gala

1. “Fëmija i par”-muzika A.Grimci

2. “Flakë e borë” - muzika T. Daija, teksti Ll. Siliqi

3. “Të dua o det”- muzika T. Harapi tekst, M. Gurakuqi

4. “Valsi i lumturisë”- muzika A. Mula, teksti H. Milloshi

5. “Fati ynë shpresë dhe marrëzi”- muzika F. Deda, teksti I. Zhupa

6. “Këputa një gjethe dafine”- muzika L. Dizdari, teksti XH.Spahiu

7. “Dhuratë për ditëlindjen” – muzika N. Zoraqi, tekst F. Arapi

8. “Mesnatë”- muzika Sh. Kushta, teksti, F Arapi

9. “Kënga e nënës”- muzika A. Prodani, teksti A. Shehu

10. “Kur vjen pranvera”- muzika P. Gaci, teksti F. Arapi

11. “Veç një herë troket”, muzika Kujtim Laro

12. “Vajzat e fshatit tim”- muzika E. Shengjergji, teksti Zh. Jorganxhi

13. “Rrjedh në këngë e ligjërime”-muzika F. Ibrahimi teksti Gj. Beci

14. “Vajzë moj, lule moj”- muzika L. Zhegu, tekst A. Balashi

15. –“Në moshën e rinisë”- muzika V. Kotani, teksti A. Duka

16. “Dy gëzime në një ditë”- muzika D. Tukiqi teksti Gj. Beci

17. “Nuk e harroj”- muzika A. Krajka, teksti H. Rama

18. “E duam lumturinë”- muzika P. Çako, teksti A. Doçi

19. “Toka e diellit”- muzika A. Peçi, teksti Xh. Spahiu

20. “Askush s`do ta besojë”- muzika F. Shehu teksti. J Papingji

21. “Jon” – muzika A. Gjebrea, teksti Xh. Spahiu

22. “Pesha e fatit” - muzika O. Mula, teksti A. Boshnjaku

23. “Të sotmen jeto”- muzika Sh. Saraçi, teksti A. Boshnjaku

24. “Pyes lotin” - muzika V. Veizi, teksti E. Sina

25. “Jetoj” – muzika A. Hila teksti, J. Papingji

26. “Ante i tokës sime”- muzika A. Gjebrea, A Kaçinari, teksti R. Dilo

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›