500 mijë euro për intervenime emergjente në 50 monumente

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe organizata suedeze Cultural Heritage Without Borders (Trashëgimia Kulturore Pa Kufij) kanë nënshkruar sot Memorandum Mirëkuptimi për intervenime emergjente në 50 monumente të trashëgimisë kulturore në Kosovë, për vitin 2013 dhe vitin 2014.
Memorandumi është nënshkruar nga Sekretari i MKRS-së, Veton Firzi dhe Drejtori i CHËB-së për Kosovë, Sali Shoshi. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes i pranishëm ka qenë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.
Me anë të këtij memorandumi, MKRS për këto dy vjet do të ndajë 300 mijë euro për intervenime emergjente, nga 150 mijë euro për secilin vit, ndërkaq CHWB-ja do të ndajë 200 mijë euro për dy vjet, nga 100 mijë euro për secilin vit.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi tha se ky memorandum është një hap tjetër i rëndësishëm në fushën e trashëgimisë kulturore dhe është një vazhdimësi e programit të MKRS-së për intervenime emergjente që është filluar para dy vitesh. Ai ka falënderuar CHWB-në për bashkëpunimin që iu ka ofruar institucioneve të Kosovës për disa vjet dhe për përkushtimin që ky bashkëpunim të thellohet.
“Ne planifikojmë që përveç këtyre 300 mijë eurove, të ndajmë edhe një mjete të tjera për intervenime emergjente. Intervenimet emergjente janë një program që ka filluar para dy vitesh dhe ky para se gjithash është një hap që ndihmon në pengimin e dëmtimit të mëtutjeshëm të një monumenti, deri në krijimin e kushteve për restaurimin e plotë. Vitin e kaluar në kemi ndarë mbi 200 mijë euro për këtë program, e ku janë restauruar apo janë në përfundim restaurimet në mbi 30 monumente”, ka thënë ai.
Ministri tha se në fushën trashëgimisë kulturore kanë ndodhur vërtetë shumë ndryshime këto dy vjet, më implementim të shumë projekteve qoftë nga MKRS –ja apo edhe me iniciativa dhe mbështetje nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
“Natyrisht se ka ende sfida para nesh, por ne jemi vërtetë të përkushtuar që të punojmë, duke ngritur profesionalizmin dhe përgjegjësinë në punë, në çdo sferë e në veçanti në fushën e trashëgimisë kulturore që është një punë mjaftë e rëndësishme dhe kërkon përgjegjësi dhe profesionalizëm të lartë”, tha ai.
Sali Shoshi, drejtor i CHWB-së për Kosovë ka përgëzuar MKRS-në për programin e intervenimeve emergjente, duke thënë se me këtë po tregohet se ka një përkushtim të madh për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë. Shoshi tha se memorandumi ndahet në disa fazë dhe përveç, e ndër të cilat është edhe përfshirja e komuniteteve lokale në këtë program, duke përfshirë rrëfimet e tyre për secilin monument që restaurohet në mënyrë që vërtetë të ruhet origjinaliteti. Ai tha se do të ketë një përkushtim të dy anshëm që puna të shkojë me profesionalizëm dhe kujdes të veçantë por që edhe gjithë ky numër i monumenteve, që do të përcaktohet në bashkëpunim me MKRS-në dhe komunitetin, të dokumentohet dhe promovohet. /Indeksonline/