E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malisheva ngritë gatishmërinë për trajtimin e etheve hemoragjike

Këtë vit, janë regjistruar 15 raste të thumbit nga rriqrat, ne Komunën e Malishevës, por asnjë rast nuk është hospitalizuar ose infektuar.

Sot në Malishevë, kanë qëndruar zyrtarë të institucioneve përgjegjëse, të cilat merren me trajtimin e etheve hemorragjike, përkatësisht përgjegjësit e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) dhe të Klinikës Infektive të QKUK-së. Ata janë takuar me kryetarin e Komunës, Isni Kilaj, ku janë zotuar se do bëjnë maksimumin për trajtimin e etheve hemorragjike, nëse paraqitet nevoja e trajtimit.

Kryetari Kilaj, i falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme, që Klinika Infektive dhe IKSHP-ja, i kanë dhënë Malishevës, në trajtimin e etheve hemorragjike. “Ne kemi dyfishuar kapacitetet tona për këtë vit, për realizimin sa më të mirë të fushatës së spërkatjes të zonave endemike”, tha kryetari Kilaj.

“Muaji prill, është muaji që vlerësohet më i rrezikshëm, ku mundësia e infektimit me ethe hemorragjike, është më e madhe, për shkak se rriqrat, si bartës të këtij infeksioni janë shumë aktiv, por ne si Klinikë Infektive, do të jemi në përkrahje dhe mbështetje tuajën, për menaxhimin sa më të mirë të rasteve eventuale”, tha drejtori i Klinikës Infektive, dr.Shemsedin Dreshaj.

Ndërsa epidemiologu Dr. Isuf Dedushaj, tha se është punuar shumë në këtë drejtim, si nga Komuna në terren, po ashtu edhe nga ana e ekspertëve.


Edhe përgjegjësi i IKSHP-së, Naser Ramadani, i ka quajtur të mira dhe efektive masat e ndërmarra deri tani, si nga ana e Komunës së Malishevës, ashtu edhe nga IKSHP-ja, pasi janë treguar rezultate të mira në parandalimin e infektimit me ethe hemorragjike.

“Fushata e luftimit të etheve hemorragjike, zyrtarisht fillon sot me ligjërata për trajtimin e etheve hemorragjike dhe rriqrave, që do të mbahet në QKMF në Malishevë”, tha drejtori i QKMF-së, Besim Zogaj.

Drejtori Zogaj, bëri të ditur se deri më tani, për këtë vit, janë regjistruar 15 raste të thumbit nga rriqrat, por asnjë rast nuk është hospitalizuar ose infektuar.

Ndërsa, drejtori komunal për shëndetësi, Skënder Hoti, i cili paralajmëroi se me 15 prill do të filloj fushata e spërkatjes së zonave endemike, fajësoi Ministrinë e Shëndetësisë, për mospërkrahje në këtë drejtim. Hoti, bëri të ditur, se kjo fushatë, do të bëhet në dy faza, ku do të bëhet dezinfektimi, dezinfektimi dhe derratizimi, i zonave endemike.

Të gjithë, në këtë takim, u pajtuan se QKMF-së në Malishevë, i duhet një aparat i hemogramit, për bërjen e analizave të shpejta, për rastet e thumbuara nga rriqrat, me çka edhe do të mundësohej që rastet eventuale të prekura nga ethet hemorragjike, të kuptoheshin më shpejt dhe rrjedhimisht edhe trajtimi i tyre të bëhej më shpejt dhe më sigurt./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›