502 vota pro Shqipërisë, raporti e rendit vendin në krye të rajonit në rrugën e integrimit

Parlamenti Europian ka miratuar me 502 vota pro, 120 kundër dhe 64 abstenime raportin mbi progresin e Shqipërisë për vitet 2023–2024, duke vlerësuar ecurinë e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Eurodeputetët theksuan konsensusin e gjerë politik dhe mbështetjen e fortë publike për integrimin, si dhe përafrimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Ata thanë se e mirëpresin qëllimin e Shqipërisë për të përfunduar bisedimet e pranimit deri në vitin 2027.
Eurodeputetët nënvizuan gjithashtu nevojën për intensifikimin e reformave, veçanërisht në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe rritjen e pluralizmit në media.
“Ka një nevojë urgjente për të intensifikuar reformat. Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë gjyqësore, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Rritja e pluralizmit dhe transparencës në medie mbetet thelbësore për të ndërtuar besimin publik,” thonë eurodeputetët.
Raporti vëren polarizimin e vazhdueshëm politik dhe bën thirrje për një dialog më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës mes forcave politike.
Raportin për Shqipërinë për vitet 2023–2024 u hartua nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder. Dokumenti vlerëson progresin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe e pozicionon Shqipërinë si lider në rajon sa i përket ecurisë së reformave, ndërsa çmon veçanërisht ecurinë e reformës në drejtësi, punën e SPAK, BKH dhe institucioneve të reja të sistemit gjyqësor.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/