540 policë të përjashtuar se gënjyen për shkollimin
Për shkak se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, që nga themelimi i Policisë së Kosovës e deri tash, nga ky institucion janë larguar 540 zyrtarë policorë.
Zëdhënësi i Policisë, Brahim Sadriu, ka thënë për Kosovapress se arsyet e largimit janë të ndryshme, por kryesisht ka të bëjnë me deklarimet e rrejshme të tyre rreth shkollimit.
“Në këtë numër janë të përfshirë zyrtarë policorë dhe stafi civil. Arsyet e largimit janë të ndryshme. Në radhë të parë kemi numrin më të madh të rasteve pasi që në momentin e punësimit në Policinë e Kosovës kanë deklaruar që kanë të kryer nivelin e shkollimit, që është i domosdoshëm për të qenë pjesëtar i Policisë dhe të njëjtit janë larguar për shkak se kishin deklaruar rrejshëm se e kanë të kryer atë shkollim. Në këtë numër kemi të përfshirë edhe rastet kur punonjësit kanë kryer kundërvajtje të ndryshme administrative, që bien në kundërshtim me rregulloren e punës së Policisë së Kosovës, por ka edhe raste të përfshira në vepra të ndryshme penale”, ka thënë ai.
Sipas Sadriut, Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta luftuar çdo dukuri negative, përfshirë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës zyrtare - si brenda vetes, ashtu edhe në institucione të tjera.
Njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se numri prej 540 zyrtarëve policorë të larguar nga puna është shqetësues. Analisti për çështje e sigurisë, Rifat Manallaku, ka thënë se një numër i tillë dëmton rëndë buxhetin e Kosovës.
“Mund të merret si numër brengosës dhe shqetësues në aspektin financiar, duke ngarkuar buxhetin e Policisë, respektivisht buxhetin e Kosovës, por edhe mund të ketë ndikim edhe në vetë imazhin e Policisë. Por, njëkohësisht, mund të konsiderohet edhe si aspekt pozitiv. Është një tregues se edhe Policia e Kosovës është duke trajtuar këto raste që paraqiten nga qytetarët, por ka raste edhe kur vetë policia përmes veprimeve të tyre arrin t’i identifikojë defektet e brendshme ose përfshirjen e policëve në fushat, të cilat bien ndesh me ligjin, procedurat e brendshme dhe kodin”.
Manallaku thekson se trajnimi bazik i një polici kushton afërsisht 10 mijë euro.
Sipas një raporti të Inspektoratit të Policisë, qytetarët në vitet 2008-2009 kanë bërë 1571 ankesa rreth policisë në këtë institucion, ndërkaq vetëm gjatë vitit 2010 janë bërë 590 ankesa. Numri i hetimeve të brendshme është edhe më i madh. Gjatë viteve 2008-2009 janë hetuar 2141 raste, ndërsa gjatë 2010-tës kanë filluar hetimet për 595 sosh.
Nga rekomandimet mbi masat disiplinore, deri më tash nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë janë proceduar dhe shqiptuar masat ndëshkimore ndaj 247 punonjësve policorë.
Gjatë vitit të kaluar, shtatë zyrtarë të Policisë së Kosovës janë suspenduar nga puna, për shkak të zhdukjes së disa pajisjeve të njësitit të specializuar të policisë. Kurse, më 17 janar të këtij viti janë suspenduar katër policë, për shkak se një person i arrestuar, i cili po priste të paraqitej para gjyqtarit në Gjykatën e Vushtrrisë, ka arritur të ikë.
Policët pijanecë
Një rreshter dhe një polic patrullues, të stacionit në Leposaviq, janë suspenduar nga detyra mbi bazën e dyshimit të shkeljes dhe mosrespektimit të Ligjit të Policisë dhe parimeve e procedurave të Policisë së Kosovës. Ndërkaq, tre pjesëtarë të tjerë janë nën hetime të brendshme.
Armët e të suspenduarve janë sekuestruar, ndërkaq masa për ta vlen 48 orë, me pagesë, për vazhdim të hetimeve të brendshme.
Sipas Zyrës për Informim të Policisë, besohet se pesë pjesëtarët e policisë kishin konsumuar alkool gjatë detyrës zyrtare dhe të njëjtit ishin përfshirë në një zënkë verbale ndërmjet vetes, në një kafeteri lokale.
Dy policë suspendohen për tri “Marlboro”
Vushtrri, 9 mars - Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë ka marrë vendim për suspendimin e dy policëve nga Vushtrria, mbi bazë të dyshimit marrje ryshfeti. Procedura është iniciuar me kërkesë të një qytetari, i cili kishte deklaruar se dy policët ia kishin marrë tri pako cigare “Marlboro” dhe nuk ia kishin bërë pagesën. Vlera e cigareve është 5.10 euro.